Kurti takohet me Orhan Pamuk: Shkrimtari është shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka darkuar me shkrimtarin e madh Orhan Pamuk në Stamboll.

Lajmi është bërë i ditur nga kryeministri Kurti përmes një postimi në rrjete sociale, ku shkruan se nuk e ka besuar që shkrimtari Pamuk po e fton për darkë.

Kurti thotë se Orhan Pamuk ka një dashamirësi dhe vëmendje të frikshme dhe po ashtu është i interesuar për Kosovën, shqiptarët dhe Ballkanin.

“Në fillim nuk i besova doktorit Bilgin Sait, që shkrimtari Orhan Pamuk po më fton për darkë. Gjersa afrohej mbrëmja, minutat më dukeshin të gjata porsi orët, ndërkaq tri orë e gjysmë me të më ikën porsi minutat. Në restoranin Sur Balık-Cihangir të lagjes Beyoğlu në Stamboll temat e bisedës ndërroheshin më shpesh se pjatat mbi tryezë.

Mbase arritëm të shkruajmë përmbledhjen hyrëse të kapitujve të miqësisë sonë të ardhshme. Artisti Orhan Pamuk, fitues i çmimit Nobel për Letërsi në vitin 2006, ka një dashamirësi spontane dhe vëmendje të frikshme. Dhe, aq shumë i interesuar për Kosovën, shqiptarët, Ballkanin. Nder që nuk e shpjegoj, kënaqësi që nuk e përshkruaj”,shkruan Kurti.

SHKARKO APP