Kurti: Vetëvendosje do të qeverisë në shtatë komuna, më shumë se kurdoherë më parë
Kryeministri në detyrë i Kosovës dhe kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka falënderuar qytetarët për pjesëmarrjen në balotazhin e zgjedhjeve lokale, të mbajtur në tetëmbëdhjetë komuna të vendit.
Në një reagim në rrjetet sociale, Kurti u shpreh mirënjohës për qytetarët që ushtruan të drejtën e votës, duke theksuar se ata treguan vullnet dhe pjekuri demokratike, duke kontribuar në orientimin e politikave publike në nivel lokal.
“Mbajeni përgjegjës tani secilin kryetar për premtimet e dhëna dhe gjendjen në qytete e fshatra,” shkroi Kurti, duke nënvizuar rëndësinë e llogaridhënies lokale.
Duke iu drejtuar aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Kurti bëri të ditur se pas raundit të fundit të balotazhit, VV do të qeverisë në shtatë komuna të Republikës së Kosovës, një arritje që ai e cilësoi si “më shumë se kurdoherë më parë”.
“Lëvizjen tonë s’e ndali dot as bashkimi i të gjithë kundërshtarëve. Ju faleminderit çdonjërit për angazhimin! Na presin shumë punë e sfida, që do të thotë se para nesh ndodhen shumë suksese e fitore,” përfundoi Kurti.
KOHA JONË SONDAZH

