Kush do t’i lutet Nënë Terezës në Kosovë?

Çfarë thonë prifti Don Lush Gjergji, hoxha Bekim Jashari dhe sekularisti ateist Yll Rugova për shenjtërimin e Nënës Terezë? A është e rëndësishme për një mysliman shenjtërimi i Nënës Terezë?

Vatikani ka vendosur që me 4 shtator Nëna Terezë të bëhet e shenjtë. Kjo nënkupton që Nëna Terezë tashmë sipas fesë katolike do të jetë një ndër personat e shenjtë të cilës njerëzit mund t’i luten dhe të kësisoj të garantohet se kjo lutje apo falënderim i transmetohet Zotit.

Personat e shenjtë janë të njohur në konceptet e gati të gjitha religjioneve por vetëm feja katolike e ka ruajtur dhe specifikuar shenjtërinë, si një person që ka bërë mrekulli shëruese.

Në Kosovë, lajmi për shenjtërimin e Nënës Terezë është parë si një nga lajmet më të rëndësishme për imazhin e shqiptarëve në botë.

Krenari dhe nderë, vendimin e Vatikanit e kanë cilësuar edhe liderët shtetëror dhe personalitete të rëndësishme të jetës akademike, politike  e kulturore në Kosovë.

Zyrtarisht Kosova me Kushtetutë është vend laik. Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë në vitin 2012, në Kosovë janë 1 milionë e 739 mijë e 825 banorë. Fiks 1 milionë e 660 mijë  598 kosovarë apo 96 për qind e të regjistruarve janë deklaruar mysliman, 2.2 për qind katolik dhe 1.5 për qind ortodoksë.

Në formularët e regjistrimit të popullsisë ishte edhe mundësia që të mos deklarohet fare feja apo edhe të mohohej ajo. Kësisoj 1 mijë e 209 kosovarë të Kosovës janë deklaruar se nuk i përkasin asnjë feje, ndërsa 7 mijë e 77 persona nuk janë përgjigjur fare se cilës fe i takojnë.

Çfarë thonë prifti Don Lush Gjergji, hoxha Bekim Jashari dhe sekularisti ateist Yll Rugova për shenjtërimin e Nënës Terezë? A është e rëndësishme për një mysliman shenjtërimi i Nënës Terezë?

Sipas fesë katolike:  “Është diçka e jashtëzakonshme, dekreti përfundimtar për caktimin e ditës kur do të ngjajë mesha e shenjtërimit të Nënës Terezë. Është caktuar dita e diel e 4 shtatorit si dita kur do të bëhet shenjtërimi i saj. Kjo lidhet me datën e rëndësishme sepse pikërisht të dielën e 5 shtatorit 1997, Nëna Terezë kaloj në amshim apo siç thoshte ajo ‘po i kthehet të Atit’. Tashmë me shenjtërimin e saj, Nëna Terezë e cila sa i ishte gjallë na përfaqësoj denjësisht, do të jetë avokati apo ndërmjetësi i njerëzve tek Zoti. Tash çdo shqiptar mund t’i lutet dhe ta falënderoj Zotin nëpërmjet Nënës Terezë. Ta lusim dhe ta falënderojmë Zotin nëpërmjet Nënës Terezë dhe ajo do t’ia përcjellë atit tonë”, ka thënë Don Lush Gjergji për televizionin publik, transmeton Insajderi.com.

Sipas fesë islame : “Nëna Terezë është e vetmja humaniste shqiptare të cilën e njeh e gjithë bota, dhe jemi krenar që identifikohemi me të. Nga ana humane dhe përkatësia nacionale, Nëna Terezë është krenaria e shqiptarëve. Nga ana fetare, në islam, nuk ka të shenjtë. I shenjtë është veç Zoti. As Muhamedi nuk është i shenjtë e kësisoj asnjë mysliman nuk i lutet askujt tjetër përpos Zotit. Është për t’u respektuar dhe nderuar vendimi i Vatikanit për ta bërë këtë shenjtërim që sipas fesë katolike njihet, por për myslimanët nuk ka njeri të shenjt sepse i shenjtë është ai që nuk ka asnjë gabim, e në islam nuk ka njeri pa gabime. Prandaj i lutemi vetëm Zotit dhe askujt tjetër”, ka thënë hoxha Bekim Jashari, për Insajderi.com

Sipas ateizmit: “Për me u shenjtëru një besimtar, duhet të dëshmohet mrekullia që ai ose ajo ka kryer. Nëna Terezë u konsideruaka që ka kryer mrekulli kur e ka zhdukur kancerin nga truri i një personi në Brazil. Vatikani paska dërguar incpeksione të veçanta për ta vërtetuar mrekullinë. Natyrisht krejt kjo është farsë jo-shkencore. Mendoj që ky lloj i maskaradës funksionon sepse rreth 80% e popullatës janë besimtarë. Pra të tij lloji që besojnë në jetë pas vdekjes, engjëj, djaj, demonë etj. Sidoqoftë, në Kosovë e Shqipëri, nuk është se kemi shumë figura që ndërkombëtarisht po na zbardhin fytyrën. Kështu që shenjtërimi i Nënës Terezë edhe prej besimtarëve, edhe prej skeptikëve po shihet si diçka e mirë për shqiptarët. Të them të drejtën, nuk është se mund t’i fajësojmë, këto ditë shumë pak lajme jo negative për shqiptarët po publikohen ndërkombëtarisht. Në Kosovë realisht sipas statistikave, e praktikojnë fenë veç rreth 13%. Pjesa tjetër, janë ma shumë kulturalisht mysliman. Pra si trashëgimi kulturore. Si të tillë, ma shumë identifikohen me Nënën Terezë, nëse ajo ka imazh tê mirë në perëndim, sesa me cilindo mysliman që ka imazh tê mirë në lindje”, ka thënë Yll Rugova, një nga kosovarët që më së zëshmi flet për ateizmin dhe skepticizmin ndaj fesë. /Insajderi.com

SHKARKO APP