Kush e vajton Kosovën sonte…

 

Nga Enver Robelli 

Sonte Kosovën e vajton Ali Podrimja me poezinë që përbetohej se ky vend është gjak që nuk falet.
Sonte Kosovën e vajton Azem Shkreli me mençurinë e tij burimore.
Sonte Kosovën e vajton Gazmend Zajmi që shkroi dhe shtroi rrugën juridike të këtij vendi.
Sonte Kosovën e vajton Esad Mekuli me këngët e tij kundër xhandarëve – «Rr’xoju qiell, i randë si tunxhi! Hapu, moj tok’e ngrime – / Kjo jetë s’na duhet gja, të shtypun në robni».
Sonte Kosovën e vajton Anton Pashku me lutjet e mbrëmjes.
Sonte Kosovën e vajton Agim Deva me vargje drithëruese për fëmijët e Kosovës.
Sonte Kosovën e vajton Ibrahim Rugova me qëndrueshmërinë e tij.
Sonte Kosovën e vajton Fehmi Agani me urtësinë e tij.
Sonte Kosovën e vajtojnë minatorët e Trepçës që më 1989 u bënë lajm ndërkombëtar me grevën e tyre.
Sonte Kosovën e vajton Valmir Deliu.
Sonte Kosovën e vajton (dhe ndoshta e mallkon) Anton Çetta.
Sonte Kosovën e vajton Nurie Zekaj. Sonte Kosovën e vajton Mirko Gashi, i strukur diku në rrugët e errëta të Prishtinës.
Sonte Kosovën e vajton Ali Sutaj.
Sonte Kosovën e vajton Beqir Musliu i Gjilanit me poezitë e tij për Prizrenin.
Sonte Kosovën e vajton Vehap Shita, ai burri që solli në shqip aq shumë vepra të rëndësishme.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata ushtarë shqiptarë të Armatës Popullore të Jugosllavisë që u vranë pas shpine nga regjimi kriminal jugosllav. Sonte Kosovën e vajtojnë burrat e fshatrave të Prizrenit dhe Rahovecit të therur në zemër e në qafë nga bandat kriminale të Serbisë.
Sonte Kosovën e vajton çdokush që e ndërtoi dhe e bëri të tillë: të aftë për të kërkuar lirinë e vet.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që dhanë para e shpirt për të.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që po e shohin vendin e tyre duke u fundosur.
Sonte Kosovën e vajtojnë ata që zemërplasur ikin prej saj.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë që nuk dëshironin që vendi i tyre të jetë në duar të kriminelëve.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që nuk dëshironin që në pozita drejtuese të vinin banditë.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që nuk dëshironin që liderë opozitarë të jenë kriminelët e luftës, banditët, vjedhësit e zadrugave, kërcënuesit e dëshmitarëve, miqtë e dilerëve të drogës.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që e duan një atdhe që përqafon vlera perëndimore.
Sonte Kosovën e vajtojnë ata që s’i vodhën asgjë dhe janë dëshmitarë si po e rrjepin tyxharët e fatit tonë.
Sonte Kosovën e vajtojnë të gjithë ata që bënë shumë për çlirimin e saj.
Sonte Kosovën e vajton çdonjëri që i doli në mbrojtje me penë dhe me pushkë.
Sonte Kosovën e vajton ai që e përjetoi ditën që kriminelët e regjur të marrin përgjegjësi shtetërore dhe kriminelët e regjur kuaziopozitarë të kërkojnë të marrin përgjegjësi shtetërore.
Sonte Kosovën e vajtojnë ata që shohin opingarët duke lozur rolin e çlirimtarëve.
Sonte Kosovën e vajtojnë ata që i shohin patriotët e rrejshëm duke e shkatërruar këtë shtet me aq brutalitet, saqë edhe Serbia do t’ua kishte zili. Sonte Kosovën e vajtojmë të gjithë që e duam.
Por vajtimi s’po mjaftuaka. 

SHKARKO APP