Kuvendi i Kosovës, dy seanca për ratifikimin e MSA-së
Kuvendi i Kosovës javën e ardhshme ka në axhendë dy seanca, të hënën për shqyrtimin e miratimin e Projektligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, ndërsa, të premten nje seance në nder të Komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, i cili do te mbaje një fjalë rasti.
Të dy seancat janë të rëndësishme për “procesin e evropianizimit kuptimplotë” dhe për “përkushtimin e plotë shtetëror dhe institucional të Kosovës dhe me partneritet të plotë me Bashkimin Evropian”, të theksuar kryeministri kosovar Isa Mustafa me rastin e nënshkrimit të MSA-së, të vlerësuar ngjarje historike.
“Nënshkrimi i MSA-së, të martën në Strasburg, është ndër ditët më të rëndësishme për shtetin dhe qytetarët e Kosovës, pas shpalljes së pavarësisë”, theksoi shefi i qeverise në një konferencën për shtyp te mbajtur ne Prishtine.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimi, në 27 tetor 2015 në Strasburg, Komisioneri i BE-së për Politika të Fqinjësisë Evropiane dhe Negociata të Zgjerimit, Johannes Hahn, ka thënë se vërtetë është një arritje e madhe në marrëdhëniet dypalëshe, në veçanti kur është fjala për aspiratat evropiane të Kosovës.
“Mezi pres që të jem në Kosovë javën e ardhshme dhe të çojmë deri në fund atë për të cilën jemi marrë vesh sot dhe të shohim për mundësitë se si ta zbatojmë, sepse tash është koha për zbatim”, theksonte Hahn.
Projektligji për Ratifikimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian dhe Komunitetit Evropian të Energjisë Atomike u miratua unanimisht në 30 tetor në mbledhjen qeverisë se Kosoves dhe u procedua në Kuvend për seancën e të hënës, e vlerësuar shumë për rëndësinë politike, ligjore dhe ekonomike dhe si shprehje e vullnetit të gjithë qytetarëve kosovarë.
Opozita megjithë rezervat e shprehura për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit të qeverisë së Kosovës me BE-në, se “ajo nuk është e plotë, se ka mundur të negociohej më mirë dhe gjëra të tjera”, ka konfirmuar se në Kuvend “nuk do ta bllokojë procesin e votimit për ratifikimin e projektligjit për MSA-në”.
Opozita e bashkuar e tre partive me “aksione simbolike” proteste, madje edhe duke hedhur gaz lotësjellës, ka bllokuar seancat e rregullta të Kuvendit nga fillimi i sesionit vjeshtor, në kundërshtim të katër marreveshjeve të 25 gushtit me Serbinë dhe të marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi. Peticionin kundër këtyre marrëveshjeve me mbi 200 mijë nënshkrime të qytetarëve, tre liderët e opozitës e kanë prezantuar dje në një konferencë shtypi në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku hynë pa lejen e sigurimit dhe duke mos përfillur ndaljen që u bëhej në hyrje të ndërtesës.