LDK bojkoton varrimin e Adem Demaçit

Me nderimet më të larta shtetërore i është dhënë lamtumira e fundit Adem Demaçit, veprimtar i shquar i çështjes kombëtare, Hero i Kombit, fitues i çmimit “Sakharov”, njeriu që ndryshe njihet si “Mandela i Kosovës”.

Ai do të prehet në “Varrezat e Dëshmorëve” në lagjen Velania në Prishtinë, pak metra larg nga varri i ish-presidentit historik, Ibrahim Rugova. Por nëse Rugova dhe Demaçi do të prehen pranë njëri tjetrit, sa ishin gjallë patën përplasje të mëdha. Kjo shkaktoi edhe bojkotin e zyrtarëve të LDK-së nga ceremonitë shtetërore të mbajtura në Prishtinë këtë të dielë.

Asnjë përfaqësues i LDK-së nuk ishte prezent. Në një nga deklaratat e tij Demaçi thoshte: “Rugova sabotoi luftën”. Mediat e Kosovës kanë tentuar të martrin një reagim nga krerët e LDK-së, por ata i kanë mbajtur telefonat e mbyllur. Të premten nënkryetari i LDK-së së Klinës, Besim Hoti e cilësoi “monstrum dhe përçarës” Adem Demaçin. Këtë koment e përkrahën edhe deputetët Naser Rugova dhe Armend Zemaj.

Deklaratat e Besim Hotit kanë shkaktuar përplasje në Prishtinë. Deputeti i NISMA-s Socialdemokrate, Milaim Zeka, e quajti Hotin, “psikopat” dhe të gjithë ata që e kritikojnë Demaçin sipas tij janë “krimba”.

“As Shesheli nuk kish me fy Demaçin në këtë mënyrë. Një psikopat, për fatin e zi të mbiemrit të tij të respektuar, pasiqë edhe gjyshja ime është Hoti, nga Likovci i Drenices ky (Besim Hoti) ështe nga Kilna e Dukagjinit), e ka quajtur bacen Adem, ‘njeri monstrum’! Ky psikopat i llojit të specieve në zhdukje, le ta bënë një kontroll të xheneve të tij, edhe ata që e kanë përshëndetur fyerjen e tij, dhe pastaj do ta shihni se rezultati do jetë shokues.

Po të mos ishte Adem Demaçi, as Adem Jashari nuk do ishte ai që ishte. As Rugova nuk do të ishte ai që ishte. As ne nuk do ishim ata që jemi. Adem Demaçi është gjeneral i të gjithë gjeneralëve. Është kryeakademik i të gjithë akademikëve. Adem Demaçi është i vetmi njeri që e kam takuar dhe që më ka bindë që njerëzit sikur ai e trembin edhe vdekjen. Krimbit sado që vetja i duket Shqiponjë, prap krimb mbetet. Ju që e shani Adem Demaçin, jeni krimba të baglave të këqija. Ai është heroi i gjithë shqiptarëve të botës. Ai është heroi i të drejtave universale të botës mbarë”, – shkroi Zeka në Facebook.

Ndërsa zëdhënësi i Partisë Socialdemokrate Shkodran Hoti, e quan shpirtvogëlsi të LDK-së fyerjen e bërë ndaj Demaçit.

“Adem Demaçi i ka kalu 28 vite në burgje të Serbisë, pra 1/3 e jetës. Pas lirimit, asnjëherë të vetme s’ka nxitë urrejtje kundër serbëve. E ka kritiku ashpër veç politikën e Serbisë e është angazhu për përmirësim të marrëdhënieve shqiptaro-serbe. Kurse, LDK e quan monstrum pas vdekjes veç pse kishte bindje tjera. Kjo quhet shpirtvogëlsi”, – shkruan ai në Facebook.

Në ceremoni Presidenti Hashim Thaçi, tha se Demaçi ishte një kolos që u flijua gjithë jetën për shqiptarët dhe se ideal jetësore e kishe bashkimin e shqiptarëve. Ai tha se sot bota po ndahet nga “Mandela i Evropës” pasi flijoi 28 vitet në burgje pa u mposhtur asnjëherë. Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, tha se veprimtari Adem Demaçi, qëndroi, luftoi dhe fitoi, duke u bërë shembull për të gjithë shqiptarët. Kryeministri Ramush Haradinaj tha se baca Adem Demaçi ishte patriot si të tjerët por i veçantë me veprën e tij.

Pak fjalë për babain e tyre folën edhe dy fëmijët e Demaçit, Abetarja e Shqiptari. “Para se të vdiste më thoshte se më e rëndësishmja është ta njohësh veten. Ishte njeri që u sakrifikua për shqiptarizmin. Po ta njihnin shqiptarët mirë veten do përpiqeshin ta përmirësonin veten, dhe në mënyrë kritike të luftohej e keqja, më thoshte ai. Kështu si jemi, nuk e njohim as veten, nuk e dimë rëndësinë e bashkimit dhe do na përsëritet historia”, tha Abetare Demaçi. Ndërsa, Shqiptar Demaçi falënderoi të gjithë ata që ishin të pranishëm për të nderuar babanë e tij. Demaçi ndërroi jetë në moshën 82-vjeçare, të enjten, më 26 korrik, në shtëpinë e tij në Prishtinë.

SHKARKO APP