Leksioni i zgjedhjeve nga Kosova, sidomos për Shqipërinë

Nga Agron Gjerkmarkaj –

Dje në Kosovë u zhvilluan zgjedhjet politike! Ato shfaqën disa karakteristika. Shqiptarët atje morën pjesë masivisht në votime dhe shembën pushtetin e partive që e menaxhonin atë qysh pas lufte nëse s’e llogarisim dymuajshin e Kurtit. Ata besojnë që përmes pjesëmarrjes diçka mund të ndryshojë. Procesi nuk u shoqërua me shitblerje votash.

Kosovarët, të cilët e patën shtetin e tyre përmes sakrificash të panumërta e çmim gjaku tejet të lartë, e kanë ende të fortë marrëdhënien me dinjitetin. Kriminelët, bandat, cubat, hajnat nuk patën asnjë rol përballë qytetarëve. Shoqëria kosovare nuk është perfekte, por s’e ka pranuar asnjëherë këtë mediacion me politikën. Qytetari votën s’e menaxhon nga frika apo paraja po nga bindja dhe interesi i vet. Opozita erdhi në pushtet pa pengesa artificiale.

Shpejtësia e numërimit të votave është mbreslënëse. Nuk zgjasin me ditë, netë javë e muaj. Ushtria , policia dhe të gjithë organizmat e sigurisë funksionuan si garanci për të gjithë e jo vetëm për qeverinë.

Avdullah Hoti humbi me nder. Albin Kurti fitoi me lavdi. Tani në Kosovë fillon një epokë e re në qendër të së cilës do të jetë Kurti, i cili iu dhuroi kosovarëve rrotacionin, ndërsa të gjithë ata presin ndryshimin. Shekspiri thoshte: më jepni një maskë e ju them të vërtetën. Albin Kurti e pat atë gjatë viteve të gjata të opozitarizmit!

Tani fillon më e vështira, transformini i saj. Albin Kurti zgjidhet Kryeministër me një mbështetje të madhe. Avdullah Hoti si Kryeministër në fushatë nuk bëri asnjë ligj për t’u krijuar vështirësi kundërshtarëve.

Ai u mundua të ishte serioz dhe me kut mase. Nuk tregoi qyfyre e barsoleta. Vaksinat nuk i shndërroi në spektakël propagande. Madje as pandeminë, një çështje kaq delikate, nuk e shndërroi në masë ndëshkuese për opozitën e Kurtit, nuk e gjobiti dhe s’e beri target. Administratës nuk iu kërkuan kartat e identitetit dhe lista me kushërinj e miq për të votuar Hotin.

Mediat në Prishtinë nuk bënë diversion kundër opozitës në favor të qeverisë. Vetë fushata ka ruajtur në tërësi etikën e komunikimit. Zgjedhjet në Kosovë na mësuan se kur ato janë me standarde demokratike, shërbejnë më shumë për ta lënë pushtetin pa kosto morale e politike për vendin, sesa për ta marrë atë. Fitorja e Kurtit komenton vetveten.

Gjithsesi, ajo ka simbolikën e vet që duhet lexuar. Mbi 20 vite opozitë, të cilat e shohin atë një protagonist në rritje përmes betejash e privimesh personale. Ai u ka shkuar deri në fund betejave të veta, duke provuar edhe qelinë. Si ka munguar kurajoja të përplaset me ambasadorët e fuqive të mëdha në emër të kauzave që ka çuar përpara. Pas një udhëtimi të gjatë që zë fill në burgjet e Serbisë dhe shtetit të pavarur të Kosovës, ai dje ia doli të jetë politikani më i votuar pas Ibrahim Rugovës.

Koherenca dhe qëndrueshmëria mbeten aleatët afatgjatë të Kurtit. Dita e djeshme është një leksion i madh etiko-demokratik për kombin shqiptar e sidomos për Shqipërinë, e cila gjendet në fushatë elektorale. Kosova ka sjellë ndryshime ekzistenciale në historinë e popullit tonë, qysh me kryengritjet e udhëhequra nga Pjetër Bogdani, tek ato që çuan në Pavarësinë e shtetit të cunguar më 1912-ën.

Po kaq me dialektikën që ka ndjekur për liri e shtetformim me demonstratat e vitit 1968, ato të vitit 1982, me themelimin e LDK-së në vitin 1989, shtetin paralel, luftën e UCK-së deri te Pavarësia dhe njohja e ndërkombëtarëve. Për t’u theksuar është fakti i nderimit që ata shfaqën për votën, për proceset elektorale, rezultatet dhe njohjen e tyre.

Shqipëria edhe pse shtet më i vjetër ku e ku duhet të ndjekë shembullin e Kosovës për të realizuar atë që atje është e zakonshme ndërsa këtu gati e pamundur: zgjedhje të lira e të ndershme. Kosova di të rritet duke ndryshuar ndoshta edhe për faktin se ata komunizmin s’e morën kurrë seriozisht dhe njeriu i ri nuk triumfoi asnjëherë mbi të vjetrin.

SHKARKO APP