Letër nga Prishtina: Politika e lutjeve në Kosovë

Katedralja e re e Prishtinës nuk është vetëm monument fetar, është simbol politik, shkruan «Politico».

Në rezidencën e Katedrales së Shën Terezës së Kosovës, pak ditë para ceremonisë së bekimit në shtator, Lush Gjergji mezi e mban veten nga mahnitja.

I veshur me kujdes dhe me jakën klerikale, prifti shtatshkurtër, por dinamik ma dorëzon me entuziazëm të përkthyer në anglisht njërën prej librave të tij të shumta për Nënë Terezën.

Gjergji është mbase eksperti më me nam i kësaj katolikeje të famshme, të lindur në Shkup, tani kryeqytet i Maqedonisë, ndërsa dikur ishte pjesë e krahinës së Kosovës së Perandorisë Osmane. Ai e takoi atë më shumë se njëzetë herë – në Kolkata (atëherë Kalkutë), në Kosovë dhe Shqipëri – dhe e shoqëroi në Oslo kur ishte shpërblyer me çmimin Nobel për Paqe më 1979.

Andaj edhe është e kuptueshme se Gjergji është vikar i përgjithshëm i dioçezës katolike i përkushtuar për kujtimin e saj. Katedralja është e para që është ndërtuar në kryeqytetin e Kosovës qysh se qyteti ishte plaçkitur prej osmanëve në fund të viteve 1600. Një ndërtesë gjigante me pamje italiane në zemër të peizazhit të betontë të Prishtinës – në bekimin e së cilës mori pjesë edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe përfaqësuesi shqiptar i Vatikanit – objekti nuk është vetëm një monument fetar; ka edhe vlerën e tij në simbolizmin politik.

Projekti ishte iniciuar nga ish-presidenti Ibrahim Rugova, i cili i priu shumicës shqiptare etnike të Kosovës në fushatën e rezistencës kundër represionit serb në vitet nëntëdhjetë. Për Rugovën, katedralja – që është ngritur në këndin e rrugës që mban emrin Bill Clinton e që lidhet me tjetrën me emrin George W. Bush – është dëshmi sinjalizuese për Europën se shteti më i ri i saj, që e shpalli pavarësinë nga Serbia më 2008, është i hapur dhe tolerant. Me numrin më të lartë për kokë banori të qytetarëve që i janë bashkuar grupeve islamike në Lindje të Mesme, Kosova është e etur ta dëshmojë para Europës se popullsia e saj me shumicë myslimane nuk përbën shqetësim, dhe se bashkëjeton paqësisht me popullsinë shqiptare të krishterë.

Është një hapësirë masive për famulli goxha të madhe. 95 për qind e kosovarëve identifikohen si myslimanë. Vetëm 2,2 për qind e popullsisë prej 1.9 milionë banorësh e konsiderojnë veten katolikë. Gjergji – zyra e të cilit është e mbushur me portrete të gruas së lindur me emrin Anjezë Gonxhe Bojaxhiu – ka thënë se katedralja do të jetë e hapur për të gjithë. «Shpirti i Nënës Terezë është shpirt i hapjes dhe pranimit, dhe njerëzit e të gjitha feve do të jenë të mirëseardhur këtu. Duke mirëpritur këdo, ne jo vetëm që e nderojmë Nënën Terezë, por edhe matemi me të», thekson ai. Shenjtërimi i katedrales shënoi rikthimin e administratës apostolike të Kosovës pas më shumë se tre shekujsh në njëfarë ekzili të brendshëm.

Pasi trupi i Ipeshkvisë Shqiptare dhe lideri i rezistencës, Pjetër Bogdani, ishin zhvarrosur prej osmanëve në fund të viteve 1600 dhe ushqyen qentë në sheshin kryesor të qytetit, katolicizmi u tërhoq në Prizren në perëndim të Kosovës, ku ishte vendosur prej atëherë. Shenjtërimi shënoi gjithashtu – edhe më kundërthënës – kulmin e përpjekjeve evangjeliste të kishës këtu. «Kjo ishte arritje kulmore e punës sonë», thekson Gjergji. Në të vërtetë, që nga koha e luftës në Kosovë, që përfundoi fushatën bombarduese të NATO-së më 1999 dhe fundin e sundimit serb, Vatikani u turr në vend, pavarësisht se nuk e njeh Kosovën si shtet sovran. Vatikani ka bërë shtytje të hovshme për konvertimin e myslimanëve në krishterim, hapi një numër shkollash katolike dhe është akuzuar se po afron politikanë të caktuar, përfshirë Rugovën, i cili, shumëkush beson, ishte konvertuar në katolicizëm para vdekjes.

«Rilindje shpirtërore»

Duke i dhënë krah kësaj përpjekje, është bindje e kishës se pushtimi osman i Ballkanit – dhe për pasojë konvertimi i shumicës së rajonit në islam – ishte hap i gabuar historik që mund dhe duhet të ndreqet. Kosova ishte e krishterë para pushtimit osman, pretendon kisha, dhe rrjedhimisht e tillë mbetet në zemër. «Ne gjithnjë e kemi ditur se paraardhësit tanë ishin katolikë», thekson Gjergji. «Ata gjithnjë konvertoheshin në islam nën ndikimin e osmanëve». «Kjo katedrale është simbolikë e ringjalljes shpirtërore që ka kohë që po vinte». Përkthyesi im zmbrapset në këtë pikë. Sugjerimi se myslimanët e Kosovës janë vetëm nominalisht të tillë, natyrshëm se i torturon. «Ai nuk flet kështu me gazetarët kosovarë», më thotë më vonë përkthyesi. Ka një perceptim të gjithëmbarshëm se katedralja po ndërtohet në kurriz të jokrishterëve. Një shkollë e mesme ishte rrafshuar për t’ia lëshuar hapësirën, duke i detyruar nxënësit të zhvendosen në periferi të qytetit. Katedrales i është ndarë vendi më i mirë në qendër të qytetit, derisa kërkesat për tokë për ndërtimin e një xhamie ishin refuzuar fillimisht. Një hapësirë eventualisht ishte caktuar për xhaminë prej asamblesë komunale dhe më 2012 u vendos gurthemeli, por projekti ka ngecur prej atëherë. Sipas Ahmet Sadriut, zëdhënës i Bashkësisë Islame të Kosovës, ndërtimi «pritet së shpejti të nisë». Më 2010, disa ditë pas hapjes së katedrales Nëna Terezë – megjithëse atëherë, dhe tani, është larg prej përfundimit – ishte mbushur me grafite pro-islame.

«Kishë politike»

Pesë minuta ecje nga katedralja, xhumaja falet në Bulverardin Bill Clinton. Qindra burra drejtohen nga Meka dhe bien në sexhde nëpër sixhade dhe kartonë në rrugë. Ata ulen qetë në hijen dhe çadrave të Coca-Colas, dhe dëgjojnë hytben e imamit, zëri i të cilit vjen prej zmadhuesve lart. Kur e kreu ligjëratën imami, besimtarët u çuan përsëri në këmbë, ranë në gjunjë dhe vunë kokën në trotuar. Pastaj ata mblodhën sixhadet, hoqën kartonët dhe u kthyen në qendër duke kaluar pranë shtatores së Clintonit dhe një flamuri të vjetruar amerikan. «Kishim katolikë dhe të krishterë në bashkësinë tonë për shekuj me radhë, dhe kurrë nuk kemi pasur problem me ta», thekson Albert Berisha, një tridhjetëvjeçar nga Prishtina, që kishte udhëtuar më 2013 në Siri që të luftonte në krah të Ushtrisë së Lirë Siriane. I zhgënjyer prej çfarë kishte parë në Siri, u kthye dy javë më vonë dhe tani përballet me tri vite e gjysmë burgim për përpjekje për t’iu bashkuar «Shtetit Islamik», megjithëse thotë se u është përkushtuar projekteve të deradikalizimit pas kthimit.

«Ata meritojnë të kenë kisha kudo që jetojnë, jo vetëm një të madhe në qendër të kryeqytetit», thekson ai. Por nuk është adhurues i katedrales së re. Kjo është «kishë politike», thekson ai, duke e krahasuar me kishën e madhe ortodokse serbe që ishte ndërtuar në kampusin e Universitetit të Prishtinës gjatë sundimit të liderit nacionalist serb, Slobodan Millosheviq, dhe ka kohë që është bërë cak i një serie protestash studentore paqësore. «Kisha katolike mëton t’i tregojë botës se ne kosovarët jemi katolikë dhe se islamin e sollën vetëm turqit», thekson Berisha. «Është një përpjekje për ta gënjyer botën për identitetin tonë. Kurrkush nuk ka probleme me katolikët, por ata e ndërtuan këtë kishë për ta provokuar situatën». Sadriu, zëdhënësi i BIK-ut, mban qëndrim më pajtues. «Shqiptarët e kanë kultivuar historikisht harmoninë dhe tolerancën ndërfetare, që janë të mishëruara thellë në identitetin tonë kombëtar», thekson ai.

Sadriu i përshkruan aktet e para vandaliste në katedrale si vepër e dikujt që mund të jetë «manipuluar» dhe thekson se situata u kapërcye «falë mirëkuptimit që ekziston ndërmjet vëllezërve«». Në katedrale, Lush Gjergji më prin rreth zonës së ndërtimit. Dritaret me xhama plot ilustrime – mbase me elemente kiçi për nga shija – ilustrojnë historinë e Kishës Katolike në rajon prej territorit antik të Ilirisë deri në epokën komuniste. Në një dritare, Papa Gjon Pali i Dytë ia shtrëngon duart Nënë Terezës. Në një tjetër, Papa Benedikti i Gjashtëmbëdhjetë ia pason skeptrin figurativ papa Françeskut, i cili e vizitoi Shqipërinë më 2014 në turneun e tij të parë europian. Punëtorët vazhdojnë punën në pjesët e altarit. Gjergji thotë se shpreson që katedralja do të jetë vend krenarie për të gjithë shqiptarët kosovarë pavarësisht bindjeve të tyre fetare. «Ndjenja jonë e përbashkët e kombësisë është larg më e madhe se çfarëdo dallimesh fetare», thekson ai.

SHKARKO APP