Lëvizja e Legalitetit letër të hapur drejtuar deputetëve të Kosovës

NGA: SULEJMAN GJANA

 

Të nderuar deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shqiptare!

Ratifikimi i “Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, e njohur dhe publikuar ndryshe si “Marrëveshja e Demarkacionit me Malin e Zi”, që kërkohet nga Ju si trupë legjislative, ka rëndësi madhore për Kosovën dhe fatet e mëtejme të shqiptarëve në Ballkan, ndaj edhe ka ngjallur shqetësime mbarëkombëtare dhe interes po aq madhor.

PLL si parti kombëtariste, dhe baza e saj zgjedhore e mbështetëse (legalistët dhe mbretërorët shqiptarë në Shqipëri, në trojet etnike shqiptare dhe në mbarë botën), duke u bazuar në programin dhe statutin e PLL, si dhe në detyrimet atdhetare, të zbatuara dhe të mbrojtura qysh prej themelimit të saj, sot kërkon nga Ju që të mos e ratifikoni Marrëveshjen jotransparente, të panegociuar në mënyrë dypalëshe, të pathemeltë juridikisht dhe të pambështetur shkencërisht e metodologjikisht nga ekspertët e pavarur shqiptarë të Kosovës, Shqipërisë, të mbarë trojeve shqiptare dhe në mbarë botën.

Kërkojmë t’i thoni ‘JO’ kësaj marrëveshjeje kulisash, firmosur paraprakisht dhe përfolur nëpër zyra e korridore institucionesh, krejtësisht në përmasat e një informacioni minimal për Ju deputetët dhe publikun, dhe vetëm pasi më parë ishte bërë fakt i kryer në letra dhe në terren.

Themi me bindje “në terren”, pasi sot të gjithë e kanë mësuar se akoma pa u ratifikuar kjo Marrëveshje, qysh prej 5 vjetësh Mali i Zi ka zhvendosur në mënyrë të njëanshme piramidat në thellësi të territorit të Kosovës deri në kufijtë e terreneve-objekt të kësaj marrëveshjeje, dhe janë raportuar mjaft raste arrestimi të shtetasve kosovarë që i kapërcejnë ato.

Pra nga Ju kërkohet miratimi i një Marrëveshjeje të përfunduar e të firmosur në tavolinë me papërgjegjshmëri ulëritëse, në kufijtë e tradhtisë kombëtare.

* * *

Atyre që na kanë akuzuar e paragjykuar, na akuzojnë e na paragjykojnë për “ndërhyrje në punët e brendshme të Kosovës”, ne legalistët dhe mbretërorët u kujtojmë se çështja kombëtare dhe mbrojtja e interesave kombëtare nuk janë monopol i asnjë shqiptari apo grupi shqiptarësh, por njëkohësisht janë detyrim madhor i të gjithë shqiptarëve dhe brezave të tyre, kudo që ndodhen.

Kur Mbreti Zog u shpall “Mbret i Shqiptarëve” nga Parlamenti (me përbërje edhe prej shqiptarësh të Kosovës), thjesht pranoi me vetëdije dhe pëlqim të plotë detyrimet dhe përgjegjësinë e përjetshme të kryetarit të shtetit amë të Shqipërisë për fatet e bashkatdhetarëve dhe të kombit, në çdo kohë dhe rrethanë.

Kur në Mukje, legalistët dhe mbretërorët shqiptarë bashkëthemeluan “Komitetin për Shpëtimin e Shqipërisë Etnike” dhe vendosën të realizojnë në kushtet e asaj kohe bashkimin kombëtar me luftë çlirimtare në kuadër të Kartës së Atlantikut dhe parimit të shenjtë e të gjithëpranuar botërisht të së Drejtës së Vetëvendosjes së popujve, ata me vetëdije iu kundërvunë koalicionit serbo-sllav dhe vuajtën asgjësimin sistematik nga komunistët, që zbatonin agjendën serbo-sllave kundër popullit dhe trojeve shqiptare.

Kur Mbreti Leka pothuajse shumicën e veprimtarisë politike, diplomatike, organizative dhe deri ushtarake (në mërgimin e imponuar dhe në atdhe), ia dedikoi deri në fund të jetës çështjes kombëtare dhe veçanërisht Kosovës, e bëri me vetëdije të plotë – për çka edhe vuajti pasojat e disa atentateve dhe helmimeve të rënda, të kurdisura nga UDB-ja e kohës.

Kur legalistët, mbretërorët dhe kombëtaristët e mërgatës politike, për dekada të tëra protestonin para ambasadave të Jugosllavisë titiste e millosheviçiane në Europë, SHBA, Kanada e Australi, por edhe kur zhvillonin veprimtari politike, diplomatike e mediatike në mbrojtje të Kosovës dhe çështjes kombëtare, nuk pyetën as për propagandën e enveristëve, titistëve, rankoviçianëve dhe millosheviçianëve, as për plumbat e UDB-SDB dhe filialit të tyre, Sigurimit të Shtetit, plumba prej të cilëve ranë dëshmorë shumë veprimtarë legalistë e mbretërorë.

* * *

E kaluara tragjike 140-vjeçare dhe pjesëmarrja aktive e Malit të Zi, krahas Serbisë dhe në përbërje të mbretërisë së tyre, Jugosllavisë Federative titiste dhe Federatës Serbi-Mali i Zi deri në vitin 2006, në të gjitha veprimtaritë antishqiptare, por sidomos në ato politiko-ushtarake në kuadër të Armatës së Jugosllavisë, Policisë millosheviçiane, e deri edhe me paramilitarët malazezë gjatë Luftës së Kosovës 1988-1999 – nuk mund të shlyhet lehtë nga kujtesa kombëtariste dhe të shërbejë amnezia si alibi politike për “pacifistët” në pushtet.

Doktrinat politike na mësojmë se politika e jashtme, sidomos për shtetet e porsakrijuara, dhe sidomos referuar shteteve me të cilat janë trashëguar marrëdhënie të tensionuara, tragjike ose armiqësore – formulohet në kuadër të një platforme të kujdesshme dhe konform standardeve më të larta ndërkombëtare, miratohet dhe ndiqet rigorozisht vetëm nga parlamenti i atyre shteteve. Kurse diplomacia si derivat i kësaj politike të jashtme, është thjesht instrumenti me të cilin qeveritë e jetësojnë këtë politikë. Dhe nuk ndodh e kundërta, që qeveritë të formulojnë e realizojnë politikën e jashtme, ndërsa Parlamentin (këtë kryepushtet bartës dhe përfaqësues të sovranitetit të popullit sovran e nga ku burojnë të gjitha pushtetet e tjera), ta përdorin thjesht si miratues formal të atributeve të Tij substanciale, të përvetësuara, në rastin më të keq, nga qeveritarë që kanë interesa dhe agjenda partiako-pushtetore e personale.

Në rastin konkret, dhe në rastin e marrëveshjeve paraardhëse me Serbinë, që vazhdojnë edhe sot me negociatat në Bruksel, fatkeqësisht kanë qenë qeveritë e Kosovës ato që kanë përcaktuar paraprakisht agjendën diplomatike të Kosovës, gjithmonë në kushtet e mungesës absurde të një platforme për politikën e jashtme të saj, që lipsej të formulohej, të miratohej e të ndiqej gjatë zbatimit prej Kuvendit, gjegjësisht prej Komisionit të tij për Politikë të Jashtme.

Në kushte normale, Qeveria e Kosovës duhej t’i parashtronte Kuvendit kërkesën për mandatim për fillim bisedimesh për “Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, bashkëshoqëruar me informacion të plotë për kërkesat dhe pretendimet e Malit të Zi, si dhe me platformën dhe strategjinë qeveritare për vijimin e negociatave. Vetëm pasi të merrte në parim miratimin konceptual, qeveria duhej t’i propozonte Kuvendit miratimin e grupeve të punës, dhe sidomos miratimin nominal të grupit të negociatorëve, duke vendosur edhe kufijtë e paprekshëm të lëshimeve dhe fashën e kufijve maksimalë e minimalë të pretendimeve. Por fatkeqësisht nuk është vepruar kështu. Thjesht qeveria ka marrë kompetencat e Kuvendit të Kosovës dhe e ka vënë atë para faktit të kryer dhe detyrimit të ratifikimit me presion politiko-partiak.

Tashmë në kushtet e kundërshtimit të një pjese të spektrit politik parlamentar dhe joparlamentar, e sidomos të kundërshtimit mbarëpopullor, qëndrimi i PLL jo vetëm përligjet politikisht dhe nga pikëpamja etike, por i bashkëngjitet me vullnet të plotë reagimit politik dhe atij mbarëpopullor të kundërshtarëve të Ratifikimit të Marrëveshjes në fjalë.

PLL gjithashtu është e detyruar të ndërmendë se eksperienca botërore ka dëshmuar dhe vulosur përfundimisht faktin se marrëveshjet ndërshtetërore të Delimitimit bazohen thellësisht dhe kanë në sfond kriteret historike, etnike, demografike, politike, juridike, gjeografiko-hartografike, ndërsa “kriteri kadastral” (i mbivlerësuar nga Komisioni Shtetëror për Shënjimin e Kufirit Shtetëror), është nga të fundit për nga rëndësia, dhe gjithmonë paraprihet nga kritere të tjera shumë më të rëndësishme.

Në rrafshin doktrinar gjithashtu, ekspertët dakordësohen se marrëveshjet e Delimitimit bazohen në tri kritere themelore, që janë: raporti i forcave, vullneti i popujve dhe gjeografia fizike. Por sipas ekspertëve shqiptarë, asnjë prej këtyre kritereve nuk është marrë parasysh për këtë marrëveshje.

Ia vlen gjithashtu të ndërmendim se kufijtë realë midis Kosovës dhe Malit të Zi janë miratuar dhe vulosur konform miratimit të marrëveshjes ndër-republikane të vitit 1945, bazuar në rezultatet përfundimtare të arritura nga Komisioni i famshëm “Gjilas”, që asokohe kryesohej nga malazezi Milovan Gjilas, marrëveshje kjo e miratuar po atë vit nga kuvendi federativ.

Gjilasi malazez do të dëshironte që treva kosovare në fjalë t’i kalonte Malit të Zi, si trevë ku buronin ujëra malore me prurje të mëdha, me resurse turistike e pasuri të mëdha flore e faune endemike, por nuk mundi t’ia rrëmbente ato serbit Rankoviç, asokohe lideri më i fuqishëm serb i Jugosllavisë komuniste, i cili, ndër të tjera, edhe për këto resurse, me fuqinë e serbëve në Federatë e aneksoi Kosovën si krahinë e Serbisë.

Që këto treva konsideroheshin si “serbe”, e dëshmon fakti se pikërisht në to dhe mbështetur në burimet dhe prurjet ujore, në vitet ’50, qeveria e Serbisë planifikoi ngritjen e hidrocentraleve “Bistrica 1” dhe “Bistrica 2”, plan që dështoi për mungesë financimi.

Dhe së fundmi jemi të detyruar të ndërmendim përvojën pozitive shqiptare të shtetit amë të Shqipërisë në raste analoge, gjatë realizimit të marrëveshjeve ndërshtetërore për Delimitimin dhe Demarkacionin.

  1. Atë të Marrëveshjes midis Shqipërisë dhe Jugosllavisë të vitit 1925, quajtur ndryshe “Marrëveshja për Vermoshin dhe Shën Naumin”.

Në këtë rast, qeveria i paraqiti kërkesën Parlamentit Shqiptar për mandatim për negociata dhe miratim të komisioneve të punës me atë negociator në krye, në të cilin u miratua si kryenegociator diplomati i shquar atdhetar Mehdi Frashëri, i cili e kreu me nder detyrën. Ai pas 6 muaj negociatash intensive në Gjenevë, arriti t’i shkëpusë Jugosllavisë mbretërore plot 22.500 hektarë tokë, në këmbim të 700 metrave katrorë të manastirit të Shën Naumit, ku Cirili dhe Metodi hartuan alfabetin cirilik të sllavëve.

Dhe paskëtaj qeveria i kërkoi Parlamentit Shqiptar që ta miratojë marrëveshjen e arritur me palën jugosllave, çka u realizua me sukses, përderisa transparenca ishte e plotë, procedurat juridike dhe diplomatike ishin respektuar dhe interesi i vendit ishte mbrojtur.

Për këto negociata të shkëlqyera sot në Ministrinë e Jashtme të Shqipërisë dhe në Gjenevë ekzistojnë si prova shkresore të pamohueshme procesverbalet përkatëse, pavarësisht se çfarë thonë lehaqenët komunistë, shërbëtorë të Beogradit të djeshëm e të sotëm, që deshën ta bëjnë Shqipërinë republikë të shtatë të Jugosllavisë, por që nuk guxojnë t’i publikojnë këto procesverbale.

  1. Atë të Marrëveshjes për ujërat detare midis Italisë dhe Shqipërisë, realizuar pas gjashtë vite negociatash intensive (1981-1986).

Shembujt e mësipërm, për të cilat ka prova shkresore, dëshmojnë përgjegjshmëri kombëtariste dhe përvojën që kishin e shtuan ekspertët dhe diplomatët tanë atdhetarë, përvojë kjo që mund të shfrytëzohej sot në rastin konkret.

Këta shembuj qëndrojnë si standarde të respektuara, si antipod dhe si referenca demaskuese për të gjithë ata shqiptarë vendimmarrës, që naiviteti dhe papërgjegjshmëria mund t’i çojë në tradhti kombëtare të pajustifikueshme e të pashlyeshme me asnjë faturë.

Prandaj, ju lutemi Juve, deputetëve shqiptarë të Kuvendit të Kosovës shqiptare, që në momentin e hedhjes së votës të kuptoni përgjegjësinë morale, institucionale, politike dhe historike që peshon mbi supet tuaja, dhe të mos impresionoheni nga trysnia, shantazhi dhe demagogjia.

Mbrojtja e interesave të shenjta kombëtare vlen të bëhet edhe në dëm të përfitimeve integruese korrente! Kështu vepruan politikanët maqedonë, që sakrifikuan vazhdimësinë e integrimit në NATO e BE, por nuk hoqën dorë nga mbrojtja e një elementi, ndonëse i pathemeltë, por që ata e konsiderojnë si përcaktues të identitetit të tyre kombëtar – emrit Maqedoni. Kurse Kosova nuk po bën ndonjë sakrificë të tillë, edhe pse përdoret pseudo-argumenti se ratifikimi i kësaj marrëveshjeje do të sjellë liberalizimin e vizave me BE-në.

Në këto kushte, që emri Juaj të mbetet i panjollë në histori dhe të vlerësoheni se detyrën ndaj atdheut e kryet në mënyrë korrekte, Ju bëjmë edhe një herë thirrje që të mos e ratifikoni këtë marrëveshje, por minimalisht të gjeni mekanizmat për ta shtyrë këtë ratifikim duke kërkuar këshillim pranë Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, arbitrazh ndërkombëtar dhe/ose rinegocim dypalësh të marrëveshjes, duke shfrytëzuar edhe gatishmërinë që ka shprehur pala malazeze për një gjë të tillë.

Mbetemi me shpresë se gjithmonë do të na jepni mundësinë t’Ju shprehim konsideratën dhe respektin tonë më të lartë.

*Kryetar i PLL

https://www.facebook.com/sulejman.gjana/posts/10209897472905659?pnref=story

SHKARKO APP