Lufta në Kosovë – Enver Petrovci konkretizon skenarin e shkruar para 14 vitesh

 

 Filmi “Teuta” me skenar nga Enver Petrovci pritet të nisë xhirimet këtë muaj, duke pasur në vëmendje dramën e luftës në Kosovë.

I njohur prej vitesh për aktivitetin e tij artistik me teatrin dhe filmin, këtë herë Enver Petrovci vjen me një projekt të filmit artistik me metrazh të gjatë si skenarist.

 

Një skenar i shkruar para 14 vitesh prej tij, por që vetëm tani duket se ka mundësinë që të konkretizohet në një film artistik me metrazh të gjatë ku në qendër është një familje kosovare, dhe Petrovci pohon se xhirimet e filmit pritet të nisin më datë 17 maj, ndërsa financimi kryesor mbetet nga shteti turk.

“Skenari për filmin “Teuta” është shkruar para 14 viteve, dhe përcjell një familje kosovare para, gjatë dhe pas luftës në Kosovë, dhe ndërsa ne e përcjellim këtë familje shohim edhe ngjarjet në Kosovë. Në skenar kemi luftën, refugjatllëkun, edhe kthimin nëpër shtëpi, por edhe rindërtimin e Kosovës”, tregon mes të tjerave Petrovci, skenarist i filmit “Teuta” që do të realizohet me regji nga regjisori turk me prejardhje kosovare, Murat Vela Derman.

Filmi do të xhirohet jo vetëm në Kosovë, por dhe në Turqi, ndërsa rolin kryesor, Teutën, skenaristi tregon se janë dy aktore të njohura shqiptare që po mendohen për këtë personazh, por ende nuk ka një vendim. “Teuta është një grua e cila ka tre fëmijë, por burrin e ka në burg, dhe për këtë rol janë dy aktore, Eliza Dushku dhe Luli Bitri, njëra prej tyre do të interpretojë Teutën, por ende nuk ka një vendim përfundimtar”, pohon aktori Enver Petrovci, këtë herë si skenarist i filmit.

Por vite më parë ky skenar ka qenë menduar dhe si një projekt filmi me italianët, por për shkak të problemeve me pagesat e aktorëve, nuk ka mundur që të jetë në prodhim filmi. “Skenari atë kohë duhej të xhirohej me italianët, por nuk jemi marrë vesh për pagesën time, ku producent duhet të ishte “Forca Italia”, pohon skenaristi Petrovci. Në aktivitetin e tij, Petrovci është shumë i njihur dhe i vlerësuar, shumë vëmendje ka marrë dhe me filmat që ka lozur në Shqipëri. Ka arritur një karrierë shumë të suksesshme në teatër nëpër mbarë ish Jugosllavinë, duke u vlerësuar një nga aktorët me të famshëm të asaj kohe.

Interpretimet e tij në film ishin gjithashtu shumë të mirëpritura, duke arritur famë shumë të madhe në kinematografinë ish jugosllave, kosovare dhe ndërkombëtare

SHKARKO APP