Lugina e Preshevës, Brukseli dhe Krishtlindjet serbe

 Një deklaratë e tillë e Ministrit Hoxhaj, nxiti reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët  e mirëpritën idenë e Qeverisë së Kosovës, që çështja e tri komunave shqiptare në Serbi, të jetë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd, sa do që kjo ide nga disa qarqe në Kosovë, konsiderohet paksa e vonuar…

Nga Sevdail Hyseni

Vikendi i parë i janarit të Vitit të Ri, përshkoi Luginën e Preshevës, me të reshura të dendura të borës, e cila ka vështirësuar qarkullimin e lirë të njerëzve dhe makinave, duke shkaktuar, madje edhe incidente zinxhirore.

Vëmendjen e përqendruar të institucioneve lokale, te problematika e stuhisë së borës dhe virusit epidemiologjik, e zhvendosi në rrafshin politik, deklarata e ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili tha se “Lugina e Preshevës, duhet të bëhet temë diskutimi në Bruksel”.

Një deklaratë e tillë e Ministrit Hoxhaj, nxiti reagimin e menjëhershëm të përfaqësuesve të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, të cilët  e mirëpritën idenë e Qeverisë së Kosovës, që çështja e tri komunave shqiptare në Serbi, të jetë pjesë e dialogut Prishtinë-Beograd, sa do që kjo ide nga disa qarqe në Kosovë, konsiderohet paksa e vonuar.

Ndërkaq, për kryetarin e Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, një nismë e tillë është e mirëseardhur, ngase në Bruksel ka çka të diskutohet për çështjen shqiptare në Luginë të Preshevës.

“E nevojshme ka qenë gjithmonë, kjo ide duhet të përshëndetet. Lugina e Preshevës, ka shumë probleme që duhet të shikohen”, u shpreh zoti Kamberi. Problemet e stinës së bardhë me të reshura e stuhi bore, që e goditën nga qielli Luginën e Preshevës, pasoi deklarata e shumëpritur e ministrit Hoxhaj për përfshirjen e Preshevës, në procesin e Brukselit, për të vazhduar me Krishtlindjet serbe, të cilat u përcollën me krisma armësh, zjarre e ngritje të tre gishtërinjve.

E premtja e gjashtë janarit, në mbrëmjen festive të krishtlindjeve ortodokse, në qendrën e Bujanocit dhe në periferi të Preshevës, te Stacioni i Trenave, u trazua me ndezjen e fishekëzjarreve dhe të dushkut, të cilat, pastaj, u shoqëruan me ngritjet e flamujve dhe tre gishtërinjve, si shenjë provokimi për shqiptarët shumicë të këtyre komunave/ njofton portali jetapress/

SHKARKO APP