Lugina e Preshevës, kur kufijtë politikë e humbin kuptimin klasik?!

Nga Sevdail Hyseni/Java e fundit e tetorit dhe fillimi i nëntorit, të këtij viti, sollën një klimë të freskët relaksimi, për banorët e brezit kufitar, që shtrihen, natyrshëm, këndej dhe matanë kufirit Kosovë – Serbi.

Kufijtë politikë mes Kosovës dhe Serbisë, në të kaluarën ishin të karakterit administrativë, ndërsa, më vonë, me shpalljen e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt 2008, ato filluan të marrin formën e një kufiri shtetëror, ndonëse Serbia, vazhdimisht, provon t’i injoroj dhe provokoj ato.

Pavarësisht, qëndrimeve rigoroze, të Serbisë sa i përket vijës kufitare me Kosovën, dialogu i Brukselit, mbështet jetësimin e marrëveshjeve mes dy shteteve sovrane, për realizmin e legalizimit të pikë – kalimeve kufitare, të cilat krijojnë lehtësira, në qarkullimin e lirë të banorëve të brezit kufitar.

Këto projekte, që lidhin natyrshëm vendbanimet e brezit kufitar të Anamoravës dhe Luginës së Preshevës, kryesisht të komunave: Preshevë, Bujanoc, Medvegjë, Dardanë e Gjilan, janë të një rëndësie jetike, për qarkullimin e lirë të njerëzve, të cilët i lidhë territori etnik, gjuha, gjaku, miqësia e mbi të gjitha bashkëkombësia.

Këta kufij politikë, ishin sinonim i pengimit të qarkullimit të lirë të njerëzve, ideve dhe mallrave, të cilët prodhonin diskriminim, gjobitje, arrestime e maltretime fizike e shpirtërore të qytetarëve shqiptarë, nga autoritetet kufitare serbe, kurse tashti, kanë filluar, ngadalë, ta humbin kuptimin klasik, që kishin dikur.

Nga Sfirca te Zarbica

Më 28 tetor 2016, zyrtarisht u vu gurthemeli i pikë – kalimit në Kapi të Sfircës.

Në këtë ceremoni solemne merrnin pjesë përfaqësuesit e tre komunave të brezit kufitar: Dardanë ish Kamenica  – Kosovë dhe Medvegja dhe Buajnoci – Serbi.

Pjesëmarrës në fillimin e punimeve të këtij projekti ndërkufitar, të përkrahur nga Qeveria e Kosovës sipas marrëveshjes së Brukselit ishin: Ministrja për Dialog Edita Tahiri, kryetari i Komunës së Dardanës, Begzad Sinani, kryetari i Komunës së Bujanocit Shaip Kamberi, përfaqësues nga Komuna e Medvegjës, drejtori i policisë kufitare, doganave dhe zyrtarë e përfaqësues të tjerë.

Edita Tahiri ministre për dialog deklaroi se “Hapja e kësaj pike kufitare është rezultat i bisedimeve ndërmjet dy shteteve sovrane në mes të Kosovës dhe Serbisë. Jemi këtu për të zbatuar këtë projekt, që do të lehtësoj lëvizjen e lirë fillimisht do të jetë pikëkalim kufitar për njerëz po besojmë që në të ardhmen do të bëhet edhe për mallra”.

Sipas kryetarit të Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, “Hapja e pikëkalimit të ri kufitar Kapi në Sfircë, lehtëson dukshëm dhe u mundëson qytetarëve të Medvegjës, një lidhje më efikase me Kosovën, por edhe me Preshevën e Bujanocin. Njëkohësisht, mundëson afrimin dhe ruajtjen e bërthamës kombëtare në Medvegjë”.

Me kaq nuk përfundojnë veprimtaritë me interes për lidhjen rrugore të banorëve të vendbanimeve të Medvegjës dhe Malësisë së Bujanocit, me komunat e Anamoravës: Dardanë e Gjilan.

Më 4 nëntor 2016, kryetari I Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, zhvilloi një takim me banorët e Malësisë Bujanocit, për të parë nga afër punimet e asfaltimit të rrugës Muhoc – Zarbicë.

I pranishëm në këtë takim ishte edhe Ministri i Shëndetësisë, pranë Qeverisë së Kosovës, Imet Rrahmani, i cili është me origjinë nga Zarbica, Komuna e Bujanocit, ku me ç’rast shprehi falënderim për mbështetjet e kryetarit Kamberi për rregullimin e infrastrukturës rrugore për banorët e Malësisë së Bujanocit.

Kryqëzimi i kufijve

Këshilli i Evropës për hulumtimin e strategjive të përbashkëta për zhvillimin dhe integrimin rajonal ka mbështetur konferencat ndërkombëtare si “Eastwest Institute”, në Nish dhe Mikro–regjionin Gjilan – Preshevë – Kumanovë.

Këto iniciativa duhet të mbështeten edhe në të ardhmen në mënyrë që kufijtë politiko – shtetëror: Kosovë – Serbi – Maqedoni, të ngritura mes vendbanimeve shqiptare, të mos jenë pengës për qarkullim të lirë të njerëzve, mallrave dhe ideve.

Përfaqësuesit politikë dhe institucionalë të Luginës së Preshevës, prej vitesh, kanë një iniciativë si prioritet, që Luginën ta shpallin Zonë të Lirë Tregtare, ngase nëpër të kalon Korridori 10 – të rruga ndërkombëtare që lidh Evropën me Azinë.

Relaksimi i zonës kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, duke rregulluar infrastrukturën rrugore dhe duke zvogëluar numrin e jashtëzakonshëm të forcave të ushtrisë, xhandarmërisë dhe policisë, ta cilat paraqesin një pengesë për paqe dhe stabilitet në rajon, do të ndikoj dukshëm në kthimin e mijërave qytetareve të zhvendosur nga Malësia e Bujanocit, Karadaku i Preshevës dhe Medvegja, gjatë luftës në Kosovë dhe konflikteve të armatosura në Luginë të Preshevës.

*Autori është gazetar e publicist nga Lugina e Preshevës, kryetar i Bashkësisë Kulturore Shqiptare “Perspektiva”

SHKARKO APP