Lugina e Preshevës, zona më e militarizuar në Ballkanin Perëndimor
Këshilli për të Drejtat e Njeriut, në Bujanoc, ka vlerësuar se Lugina e Preshevës, vazhdon prej dekadash, të mbetet rajoni i stërmbushur me forca të shumta të policisë, xhandarmërisë dhe ushtrisë serbe, duke krijuar situata pasigurie dhe jo të këndshme për banorët shqiptarë të brezit kufitar Kosovë-Serbi…
Nga Sevdail Hyseni
Këshilli për të Drejtat e Njeriut, në Bujanoc, gjatë të hënës së 4 tetorit, ka zhvilluar një aksion rrugor, në emër të fushatës sensibilizuese, kundër përqendrimit të jashtëzakonshëm të forcave militare serbe në Luginë të Preshevës.
Në sheshin e qytetit të Bujanocit, veprimtarët e të drejtave të njeriut, në kuadër të projektit: “Forcimi i stabilitetit në Jugun e Serbisë, nëpërmjet integrimit të pakicës shqiptare”, kanë kontaktuar me qytetarë për të debatuar mbi gjendjen dhe sfidat e sigurisë në Luginë të Preshevës.
Siç bëjnë të ditura, burimet nga brenda KDNJ-së, rreth 330 qytetarë nga Komuna e Bujanocit, përmes kartolinave, në formë mesazhi, iu kanë drejtuar me vërejtje dhe kritika, Ministrit të Punëve të Brendshme të Serbisë, Nebojsha Stefanoviq.
Nga të njëjtat burime, mësojmë se “Këshilli për të Drejtat e Njeriut, në Bujanoc, ka vlerësuar se Lugina e Preshevës, po vazhdon për dy dekada, të mbetet rajoni më i militarizuar në Ballkanin perëndimor, ku në ketë zonë, veprojnë Policia Lokale, Xhandarmeria, dhe Ushtria serbe”.
Praninë e forcave të kombinuara serbe, në zonat e banuara me shqiptarë, kryesisht përgjatë vijës kufitare Kosovë – Serbi, e kanë kundërshtuar edhe drejtuesit e pushteteve lokale në Preshevë dhe Bujanoc.
Ndonëse, demilitarizimi i rajonit të Luginës së Preshevës, është në agjendën e institucioneve komunale, dike llogaritur edhe njërën nga shtatë pikët e kërkesave të liderëve shqiptarë, në bisedime me institucionet shtetërore të Beogradit, mjerisht, gjërat nuk kanë ndryshuar, rajoni vazhdon të mbetet i stërngarkuar me forca të shumta të sigurisë, duke krijuar situate të pakëndshme për banorët shqiptarë.
“Shtimi i forcave ushtarake dhe xhandarmërisë, duhet të pakësohet, nuk po them të largohen tërësisht, por nuk është e nevojshme të jetë një numër kaq i madh dhe kjo duhet të reduktohet në aq sa ka nevojë e jo të ketë prezencë aq të madhe”, ka thënë Xhelal Mehmeti, nënkryetar komune në Preshevë.
Vlen të theksohet se “nga përfundimi i luftës së armatosur në Luginën e Preshevës, në vitin 2001, ky rajon është i stërmbushur me prezencë të policisë, ushtrisë, dhe xhandarmërisë serbe”.