Lumir Abdixhiku zgjidhet kryetar i ri i LDK-së, Quni tërhiqet nga gara, ja sa vota morën dy kandidatët e tjerë

LDK-ja ka zëvendësuar gardën e saj të vjetër duke caktuar për kryetar partie, Lumir Abdixhiku. 37-vjeçari Abdixhiku ishte nga më të votuarit e partisë së vjetër më 14 shkurt. Ish-kryetari i dorëhequr, Isa Mustafa, thotë se pasardhësi i tij do e drejtojë LDK-në i pandikuar.

“Lidhja Demokratike e Kosovës” ia besoi udhëheqjen Lumir Abdixhikut, duke zëvendësuar pas më shumë se 10 vitesh kryetarin, Isa Mustafa.

Abdixhiku mori 191 vota nga 328 delegatët e mbledhur të dielën në Kuvendin e LDK-së.

Përballë tij kishte dy kandidatët e tjerë, Lutfi Haziri dhe Besian Mustafa, pasi Anton Quni e tërhoqi kandidaturën para fillimit të Kuvendit Zgjedhor.

Zgjedhjet për kryetarin erdhën pas rezultateve të dobëta në garën e 14 shkurtit.

Partia e vjetër nuk mori as 13 për qind të votave dhe vetëm gjysmën e mandateve aktuale.

Ish-kryetari Mustafa tha se prishja e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje ndikoi në rezultat.

Mustafa: Kam zgjedhur të kem partneritet me SHBA si partner strategjik. E kemi paguar pak këtë çmim, por kemi paguar në mënyrë të vetëdijshme dhe jam i bindur që edhe qytetarët e Republikës së Kosovës shpejtë do ta shohin këtë.

Ish-presidenti, Fatmir Sejdiu, fajësoi Mustafën për frymën jodemokratike me të cilën ka drejtuar LDK-në.

Ai shtoi se propozimi i tij për një reformë të mirëfilltë të partisë, nuk iu mor parasysh.

37-vjeçari Abdixhiku më 14 shkurt ishte një nga tre më të votuarit në listën e LDK-së.

Politikani i arsimuar si ekonomist ka shërbyer më parë si Ministër i Infrastrukturës dhe Mjedisit dhe ka kryesuar Komisionin parlamentar për Buxhetin dhe Financat.

SHKARKO APP