Magjia dhe dominimi mashkullor në një qytet të Kosovës
Osman Musliu, një imam 52-vjeçar, po më çon me makinë në qytetin Vushtrri në veri të Kosovës. Musliu ka një buzëqeshje të ngrohtë dhe një kollare të kuqe. Po shkojmë në atë që ai e quan një ceremoni divorci
Nga Jeta Abazi Gashi, BIRN
“Disa çifte në Kosovë nuk bëjnë martesë zyrtare. Vetëm kur kanë fëmijë ndodh që të shkojnë në komunë për një martesë zyrtare. Ata fejohen dhe divorcohen gojarisht,” thotë Musliu.
Kam bërë kërkime për diskriminimin e grave në çështjet e trashëgimisë, që ndonjëherë vendosen nga mbledhjet e imamëve dhe pleqve të komunitetit si kjo ku do të marrim pjesë.
Por takimi i kësaj dite të majit është i gjithi për rënien dakord mbi ndarjen e një çifti të ri. Sipas ‘organit të pleqësisë’ që mbikëqyr procedurat, ky vlen si divorc. Në sytë e ligjit, megjithatë, ky çift nuk është martuar kurrë. Ata ishin të fejuar vetëm për tre muaj.
Takimi zhvillohet në një dhomë në një xhami. Po heqim këpucët përpara se të hymë. Dhoma është e vogël, e dekoruar me simbole islamike dhe ka shumë tavolina. Teksa ceremonia është gati të fillojë, numëroj të gjithë burrat në dhomë, ata janë 24. Unë jam e vetmja grua e pranishme.
Ali Pasoma, një 52-vjeçar që drejton mbledhjen, hap procedurat me një frazë arabe që zakonisht përkthehet si ‘Në emër të Zotit, më të madhërishmit, më të mëshirshmit’: “Bismillah al–Rahman al-Rahim, shpresoj që Zoti të na udhëheqë dhe ne të veprojmë me drejtësinë e tij. Çdo gjë ka rregullat e veta, si ky organ pleqësie,” deklaron ai me zë të lartë dhe solemn.
Një takim si ky mund të zgjasë deri në gjashtë orë. Ky zgjat katër. Atmosfera është dramatike dhe e trishtuar.
Detyra e burrave është të ndajnë çiftin sipas Kanunit të Lekë Dukagjinit, një përmbledhje e zakoneve të lashtë shqiptare i përpiluar në shekullin e 15 dhe i shkruar në fillim të shekullit të 20 nga prift françeskan, shqiptar i Kosovës, Shtjefen Gjecovi.
Një burrë që prezanton vajzën në këtë çështje flet i pari, i ndjekur nga djalit i burrit të përfshirë. Sipas traditës, secila palë është e përfaqësuar nga një numër i barabartë burrash.
Babai ul kokën, shpreh pendesë për atë që ka bërë djali i tij. Më pas djali 22-vjeçar flet. (Në mënyrë që të respektohet privatësia e tyre, emrat e anëtarëve të familjes nuk janë përmendur).
Djali, i veshur me xhinse, sjell një karrige në mes të dhomës dhe fillon një lloj rrëfimi.
“Kontaktonim nëpërmjet Facebook. Ajo përdori magji për të më bërë të bija në dashuri. Nuk do të lidhesha kurrë me të, por ajo më futi diçka në pije kur vendosa ta takoj për herë të parë dhe t’i thosha se nuk isha i interesuar për të. Rrëfej se nuk jam në dijeni se si u fejuam,” thotë ai, teksa një burrë i moshuar në divan fshin lotët.
Zilja e një telefoni më trondit nga absurditeti i shpjegimit të tij dhe më kthen në realitet. Dy botët e ndryshme të provokuara nga i riu – botët e magjisë dhe lidhjeve shoqërore – përbëjnë një kombinim të çuditshëm.
“Zakonisht është më e lehtë kur nuk kemi asnjë grua të pranishme,” thotë Sherif Kutllovci, një këshilltar dhe anëtar i trupit të pleqve. Ai kërkon falje për pyetjen intime që i duhet të bëjë përpara meje. “Na thuaj,” pyet ai të riun. “Fjetët bashkë?”
Burri refuzon të përgjigjet. Nëse thotë po do të rrisë pagesën që familja e tij duhet t’i japë familjes së vajzës. Duke pretenduar se ai ishte disi i sëmurë kur filloi lidhjen e ul sasinë e parave. Kjo duket se është arsyeja përse ai përmendi magjinë.
Ai i ka sjellë turp familjes së vajzës, thonë burrat; ai duhet të paguajë. Kutllovci dhe i riu largohen nga dhoma për të diskutuar çështjen veçmas. Sipas trupit të pleqve, ndonëse çifti ishte i fejuar, ata duhet të kishin bërë marrëdhënie.
Në fund, pa e zbuluar përgjigjen për pyetjen e Kutllovcit, trupi i pleqve vendos që i riu duhet të paguajë 4000 euro brenda një muaji. Gjykimi është konfirmuar në një shënim të shkruar me dorë.
Gjyshi i vajzës së re pretendon se paratë nuk mund ta heqë turpin që ka rënë mbi të.
Pas vendimit, i bashkohem trupit të pleqësisë për drekë. Burrat që përfaqësojnë vajzën janë gjithashtu të pranishëm. Ne ulemi së bashku në një restorant të vogël me vetëm katër tavolina. Familja e vajzës paguan për vaktin. Sherif Kutllovci, Osman Musliu dhe Ali Pasoma thotë se ata nuk marrin para për pjesëmarrjen në mbledhje.
Më vonë, kontaktoj me vajzën e re, e cila është 19 vjeçe. Ajo më thotë se donte të vinte në mbledhje, por gjyshi dhe babai i saj i thanë se nuk kishte nevojë. Ata i kishin thënë ‘do të vendosim ne për ty’.
Ajo nuk e di se çfarë do të ndodhë me paratë, por më thotë se ajo dhe i fejuari i saj kishin planifikuar të martoheshin në dhjetor. Nëse do të kishte qenë për të, ata do të vazhdonin të ishin bashkë.
Por djali donte t’i jepte fund marrëdhënies dhe një grup burrash ia plotësuan dëshirën, megjithëse me një çmim të majmë, pasi pala e saj në këtë çështje ishte përfaqësuar nga një tjetër grup burrash.
Ligjet e Kosovës thonë se burrat dhe gratë janë të barabartë, por në komunitete tradicionale si ky, realiteti është shumë i ndryshëm.