Maliqi: Serbia e do Veriun nëse e jep Luginën, kjo ide s’ishte e Thaçit

Analisti Shkëlzen Maliqi, thotë se ideja për korrigjimin e kufijve ishte e ideologëve serbë dhe disa diplomatëve ndërkombëtarë, por jo e Hashim Thaçit.

Sipas tij, Thaçi ka bërë fushatë të keqe, duke promovuar korrigjimin e kufijve, kur ka përmendur vetëm zgjerimin e Kosovës me Luginën e Preshevës por jo edhe çka merr Serbia.

“Ata e duan Veriun e Kosovës”, ka thënë Maliqi në një intervistë për Express.

Idenë e ndryshimit të kufijve nuk e sheh si ndërlidhje me Gjykatën Speciale.

Maliqi thotë se këtë mendim e kanë kundërshtarët politik të Thaçit, pasi deri më tani Gjykata Speciale nuk ka publikuar asgjë se kush do të akuzohet.

Lexojeni intervistën e plotë të Shkelzen Maliqit dhënë Gazetës Express.

Express: Pse po kërkohet korrigjimi i kufirit nga Presidenti Thaçi i cili për dhjetë vite ka dalë kundër kësaj ideje?

MALIQI: Mbase për shkak se kanë ndryshuar rrethanat dhe opsioni që Serbia do ta njeh Kosovën për tu bërë anëtare e BE-se nuk është më karrotë e mjaftueshme për Serbinë. Dialogu kështu dështon dhe ndoshta duhet pritur me vite që të kemi marrëveshje politike dhe stabilitet mes dy vendeve dhe në rajon. Ideja që tani plason Thaçi nuk eshtë e tij, e kanë lansuar prej kohësh ideologët serb por edhe disa diplomatë dhe qendra strategjike.

Express:  Kush mund t’i besojë një ideje që thuhet se Kosova do të zmadhohet me territor të Serbisë e Kosova s’do të jepe asgjë. Realisht a mund të ndodhë një gjë e tillë?

MALIQI: Thaçi për këtë fushatë ka bërë një Pi- ar shumë të keq dhe konfuz. Ai përmend zgjerimin e Kosovës me Luginën e Preshevës por jo edhe çka merr Serbia. Për të mos spekuluar duhet pritur dokumentin ku precizohet formula e këmbimit që e ka paralajmëruar ambasadori Petriq. Ai thotë se korrigjimi është minimal dhe pragmatik.

Express: Çka do t’i kërkohet Kosovës nëse vërtetë ndërkombëtaret dhe Serbia pajtohen që Lugina e Preshevës t’i bashkohet Kosovës?

MALIQI: Thash se nuk dua të spekuloj. Por të gjithë e dinë çka kërkon Serbia: veriun e Kosovës (një pjesë?)…

Express:  Financial Times shkroi se kompromisi i krejt kësaj është një autonomi për Veriun. I konvenon kjo Kosovës dhe Serbisë?

MALIQI: Jo, sepse askush nuk do një situatë si në Bosnjë ku kjo autonomi do të mbajë tensionet mes dy komuniteteve dhe do të mundësojë interferimin e vazhdueshëm të Beogradit në punët e Kosovës. Kosova duhet të jetë shtet funksional…

Express: Shihni ndonjë ndërlidhje të ndërmarrjes së Thaçit në ndryshim të kufijve me Gjykatën Speciale?

MALIQI: E shohin këtë ndërlidhje kundërshtarët politik të Thaçit. Nuk ka asgjë publike nga gjykata speciale se kush do të akuzohet. Unë shoh se kjo nismë ka logjikë politike dhe e favorizon një pjesë e diplomacisë ndërkombëtare që brengoset për sigurinë e Ballkanit dhe largimin e ndikimit të Rusisë nëse gjendja mbetet në limbo. Unë megjithatë mendoj se ky pragmatizëm ka edhe elementë kritike se hap kutijën e Pandorës… Madje ndoshta i shkon në favor të Rusisë…

Express: Mos Presidenti Thaçi po shkon drejt fundit politik dhe po bën manovra të tilla për të mbijetuar meqë edhe ish-partia e tij është në nivelin e viteve të pasluftës me përkrahje qytetare?

MALIQI: Nuk është më i rëndësishëm presidenti, por çështja si mund të arrihet një zgjidhje më e shpejtë dhe gjithëpërfshirëse për Kosovën dhe Serbinë. Jemi në fazën kur po luhet një poker amerikan diplomatik me disa letra të hapura dhe disa që janë të fshehura.  Çka nëse te letra e fshehur e Thaçit del se shkruan BE, NATO… Kjo është ajo që i tmerron kundërshtarët e Thaçit ku ndër ta ka edhe të tillë që u pëlqen krijimi i shtetit etnik shqiptar por nuk duan assesi që për këtë të kontribuojë Thaçi. Por, gjithsesi, Thaçi mund të dalë edhe humbës, por çështja është si do të dalë Kosova.

SHKARKO APP