Marrëdhëniet Kosovë-Serbi, Ambasadorja amerikane në OKB takim me Milanoviç

Marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë kanë qenë në fokus të një takimi të organizuar mes Ambasadores amerikane në OKB, Niki Hejli dhe homologut të saj serb Milan Milanoviç. Palët kanë shprehur besimin se do të gjejnë një zgjidhje për të normalizuar situatën mes Prishtinës dhe Beogradit, gjë për të cilën ka shprehur mbështetje edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara Nikki Haley ka zhvilluar një takim me homologun e saj serb Milan Milanoviç. Përmes një postimi në llogarinë e saj zyrtare në Twitter, Haley ka pohuar se diskutimet për marrëdhënien mes Kosovës e Serbisë kanë qenë në fokus të këtij takimi.

“Patëm një takim produktiv me ambasadorin serb Milanoviç për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës, për gjetjen e një zgjidhjeje me të cilën pajtohen të dy vendet dhe për shtimin e paqes në rajon,” shkroi ambasadorja Haley në postimin në fjalë.

Vetë presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dhënë nga Davosi mbështetjen e tij për dialogun me Prishtinën, ndërkohë që ka shprehur edhe besimin se palët do të arrijnë kompromisin mes tyre.

Por siç raportojnë mediat serbe, Vuçiç gjithashtu ka shtuar se shpresat janë të pakta që të ketë një zgjidhje në fund të 2018.

Ndërkaq, i pyetur në Davos se përse ai nuk do t’i ndihmojë serbët e Kosovës me armatime, Vuçiç theksoi se për ta është më e rëndësishme të kenë mjetet e duhura për të jetuar denjësisht në Kosovë, si infrastruktura, shkollimi dhe asistenca ekonomike.

SHKARKO APP