“Masakra e Reçakut”, dita kur bota morri vesh për krimet serbe në Kosovë

Agon Fehmiu

Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore-ushtarake, si dhe paramilitare serbe, vranë dhe masakruan 45 civil shqiptarë të paarmatosur, në mesin e të cilëve kishte edhe pleq, gra dhe fëmijë.

Të nesërmen, më 16 janar, Reçakun e vizitojë shefi i atëhershëm i misionit të OSBE-së, ambasadori William Wallker, për të parë nga afër se çfarë kishte ndodhur. Pasi vizitojë fshatin dhe u ngjitë lartë te vendi i quajtur “Gropa e Bebushit”, aty ku sot gjendet Kompleksi Memorial i Reçakut, ndërsa po afrohej tek lugu i ngushtë, ambasadori Walker u tmerrua nga pamjet e kufomave dhe pa hezituar në ato momente deklaroi: “Nga ajo që pashë, ishte evidente se kemi të bëjmë me masakër dhe krim kundër njerëzimit”.

Ishte ky momenti i cili, përfundimisht, ndryshoi rrjedhën historike të Kosovës. 16 vite më vonë, familjarët, bashkëfshatarët, mijëra e mijëra qytetarë nga mbarë Kosova dhe përfaqësues të institucioneve të Kosovës, si dhe ata të partive politike, që nga orët e hershme të mëngjesit kishin marr rrugën drejt Kompleksit Memorial të “Masakrës së Reçakut”, për t’i kujtuar viktimat dhe për t’iu shpreh respektin gjithë të vrarëve në këtë akt të krimit kundër njerëzimit.

Në mesin e atyre që kujtuan këtë ditë ishte edhe Muhamet Bilalli, njëri nga luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmitari i kësaj ngjarjeje. Sipas tij, ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët luftuan në këtë zonë, një ditë më herët, kur trupat serbe kishin tentuar ta pushtojnë fshatin dhe shtabin e UÇK-së, e kishin zmbrapsur armikun dhe i kishin shkaktuar humbje të mëdha.

Por  më vonë, fshati Reçak ishte rrethuar sërish nga formacionet e policisë speciale, ushtarake dhe paramilitare serbe të pajisura me autoblinda dhe mjete tjera të shumta të motorizuara të cilat u futën në fshat dhe vranë civil të pafajshëm. “Kur e ka parë armiku që ka pas humbje, atëherë në orët e pasdites është kthyer dhe ka bë hakmarrje në popullatë, njerëzit e pambrojtur që ka bërë një masakër, të cilën edhe atëherë e kishte quajtur ambasadori i OSBE-së, Walker-i, ka qenë një masakër apo krim kundër njerëzimit” kujton Bilalli ato çaste.

Ai tregon se, nuk e kishin vështirë të luftonin me ushtri edhe pse në numër shumë më të vogël se forcat serbe, me vetëm 44 ushtarë të UÇK-së dhe me shumë pak arsenal sepse, ishte morali i lartë dhe guximi që i ka mbajtur gjatë një beteje të ashpër dhe në afërsi të madhe por e kishin vështirë ta mbronin popullatën.

“Kur i kanë parë humbjet e veta, armiku e ka lënë ushtrinë dhe iu ka kthyer popullatës, duke ju hakmarrë popullit. Kemi të vrarë edhe pleq, që i përkasin moshës mbi 80 vjeçare, kemi edhe gra edhe fëmijë. Në mesin e tyre është edhe një nënë e këtij fshati të cilën e kanë rrëmbyer dhe sot e kësaj dite , fati i saj nuk dihet dhe aty është varri i saj i zbrazët. Eshtrat e saj ende nuk janë gjetur” rrëfen Muhamet Bilalli dhe shton se pas këtij krimi kundër njerëzimit, bashkësia ndërkombëtare, së bashku me miqtë dhe aleatët e Serbisë që deri atëherë nuk kishin besuar se çfarë po bënte aparati shtetëror serb në Kosovë, u vetëdijesuan dhe e panë realitetin.

“Me këtë ngjarje krejt bota e pa se çfarë plani pati Serbia, që ta spastroj etnikisht Kosovën, por këtë nuk ia arriti fal Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare që e pa një realitetin dhe ndërhyri. Pas kësaj, erdhi deri te thirrja e Konferencës së Rambouillet-së, ku dihet se si u zhvilluan gjërat, prej aty filluan bombardimet e NATO-së dhe sot jemi ku jemi, këtu” përfundoi Muhamet Bilalli, vëllai i madh i të cilit atëbotë ishte vrarë ndërsa babai dhe vëllai i vogël ishin plagosur. 

Ndër të parët të cilët erdhën për të nderuar viktimat e Masakrës së Reçakut, ishte Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Kadri Kastrati. Pasi që vendosi kurorë te Pllaka Përkujtimore dhe vizitoi varrezat e dëshmorëve, ai ngushëlloi familjarët e viktimave të kësaj masakre. “Kjo ditë shënon inicimin e vetëdijes së faktorit ndërkombëtare që në Kosovë ka ndodhur një masakër, një luftë jo e barabartë , një luftë ku forcat serbe nuk kanë zgjedhur caqet civile. Pikërisht ky vend ka dëshmuar se forcat policore dhe ushtarake serbe kanë masakruar edhe civil dhe kjo në njëfarë mënyre , na ka hap rrugën që faktori ndërkombëtarë të ngritët në këmbë” tha gjenerallejtënant Kadri Kastrati për Anadolu Agency duke mos harruar të shpreh respektin për veprimin e William Walkerit i cili ka pasur guxim që, në ato rrethana, të vijë në Reçak dhe t’ia paraqet gjithë botës se çka po ndodh në Kosovë. Për këtë, thotë Komandanti i FSK-së, populli i Kosovës do t’i jetë mirënjohës përjetë, ambasadorit William Walker. 

Rreth orës, 10:30 minuta, varrezat e viktimave të Masakrës së Reçakut i vizitoi edhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, duke bërë homazhe dhe vendosur kurore, raporton Anadolu Agency (AA).

“Është një pasqyrë e veprave më morbide të regjimit të atëhershëm serb, të ushtrisë, të policisë dhe të paramilitarëve, të cilët vranë dhe masakruan njerëz të paarmatosur, pleq edhe të rinj, që flet për dimensionet e një lufte shumë të ndytë, dhe një sjelljeje çnjerëzore, e cila u manifestua ndaj popullatës shqiptare këtu, por po ashtu edhe për vlerat e lirisë dhe pavarësisë sonë, të cilat u ngritën mbi gjakun e njerëzve tanë, mbi flijimin e tyre, edhe mbi patriotizmin e tyre” tha kryeministri Mustafa.

Në mesin e atyre që erdhën për të nderuar dëshmorët e Masakrës së Reçakut, ishin edhe Kadri Veseli, kryetari i Kuvendit të Kosovës, pastaj në orët e hershme, zyrtarët e Aleancës për Ardhmërin e Kosovës të prirë nga Donika Kadaj-Bujupi dhe Ahmet Isufi, lideri i Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti i shoqëruar nga nënkryetari i LVV-së, Rexhep Selimi, kryetari i Iniciativës Qytetare NISMA, Fatmir Limaj dhe shumë të tjerë.

Atë që duhet theksuar nga dita e stome, janë kritikat drejtuar udhëheqësve të Qeverisë së Kosovës që nuk kanë ndërmarr masa ndaj ministrit për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviqit për deklaratat fyese të ministrit në qeverinë e Kosovës, drejtuar nënave të personave të Zhdukur dhe të vrarë.

Më 15 Janar 1999, në fshatin Reçak të Shtimes, forcat e policisë, ushtrisë dhe njësitet paramilitare serbe, kishin vrarë dhe masakruar 45 civil shqiptarë, në mesin e të cilëve pleq, gra dhe fëmijë.

SHKARKO APP