Masat ndaj koronavirusit, paditet në Prokurori Hashim Thaçi
Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi është paditur në Prokurorinë Themelore të në Prishtinë nga ushtruesi i detyrës së ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla
Ky i fundit dorëzoi padinë kundër kreut të shtetit kosovar në lidhje me deklarimet e tij të datës 23 mars – për të mos respektuar vendimet e marra nga Qeveria në raport me masat mbrojtëse kundër virusit COVID-19.
Në një njoftim të Minisrtisë së Punëve të Brendshme thuhet se në padi potencohet se “Presidenti përmes deklarimeve të tij dhe thirrjeve për mos-respektim të Vendimit të Qeverisë në datën 23 Mars 2020, përveç që ka shkaktuar paqartësi tek qytetarët, i njëjti gjithashtu ka mundur të ndikojë që përmes këtyre thirrjeve të shkaktojë kaos nëpër rrugë dhe të “kontribuojë” në shpërndarjen më të madhe të Virusit COVID-19”.
Presidenti Thaçi në një konferencë për media e kishte kundërshtuar masën duke thënë se ajo është kundër kushtetuese.
“Qytetarët nuk janë të detyruar që t’i respektojnë vendimet kundër- kushtetuese dhe askush nuk mund t’i dënojë ata për këtë”, pati deklaruar Thaçi.