Mbreti është cullak
Nga Berat Buzhala – Aktualisht Thaçi nuk ka fishek në karikatorin e tij. Ai e mban në dorë një armë të zbrazët, të cilës më së shumti i frikësohet vetë, por edhe Isa Mustafa. Askush tjetër. Kërcënimet i ka të kota. Rrugës i ka humbur të gjithë partnerët, shokët, aleatët, që e bënin të dukej i frikshëm Mandatin i dytë i Thaçit si Kryeministër, koalicioni me AKR’në, – ku isha edhe unë deputet – shënoi edhe rënien përfundimtare të çfarëdo vullneti, a dëshire, për të bërë dallimin në qeverisje. Jo vetëm në këtë mandat, por edhe në atë para tij, PDK ka treguar se është shumë më e interesuar për të punuar katër vjet se si të fitohen zgjedhjet, se sa të punonte katër vjet në mënyrë që në fund, si rrjedh logjike e asaj pune në qeverisje të fitoheshin zgjedhjet.
Kjo gjë e kishte çrregulluar tërësisht algoritmin politik. Thaçi i krijonte vetes varësi kronike ndaj figurave ‘historike’ në PDK, sepse sipas tij ishin ata që i fitonin zgjedhjet, e assesi performanca e punës në qeverisje. Sipas kësaj logjike ti mund të qeverisësh shumë mirë, por t’i humbësh zgjedhjet, ose mund të qeverisësh shumë keq, por t’i fitosh zgjedhjet në mënyrë skematike, ose me ndihmën e figurave ‘historike’.
Për këto arsye ishin përmbysur edhe vlerat e vërteta politike, ose ato që në vende normale do të konsideroheshin të tilla. Pozitat e larta ministrore, e posaçërisht pozitat e dyta ose të treta në qeverisje, ishin të dedikuara si vende të rezervuara për përfaqësuesit e personaliteteve ‘historike’, në mënyrë që pastaj të krijoheshin kushtet për t’i fituar zgjedhjet.Kështu që pyetja më e rëndësishme që është shtruar në PDK për tetë vjet ishte kjo: A na dëmton në vota? Ata kurrë nuk kanë dashur të dëgjojnë argumentet se një politikë e mirë, një qeverisje e mirë, ka mundësi që t’i humbë disa vota në një pjesë të Kosovës, por t’i kompenzon në disa pjesë të tjera.
Me pak fjalë ajo çfarë ka bërë Thaçi gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë, me shumë se sa aktivitet intelektual, një punë fizike. Energji e jashtëzakonshme e shpenzuar për punë të kota, që nuk kishin të bënin me qeverisjen, për të cilin ishte aty, por për kalkulime ditore. Më shumë kohë i ka kushtuar opozitës se qeverisë. Më i rëndësishëm për të ka qenë sabotimi i një deputeti të opozitës, se sa zgjidhja e një problemi madhor në shëndetësi. Kështu që, për shkak të këtyre rrethanave, për shkak të këtij obsesioni të Thaçit, PDK kishte nevojë për së paku dy kryetarë: një që merret me kalkulime ditore, e një tjetër që merret me obligime normale qeveritare.
Në anën tjetër, karakteri i qeverisjes kishte ndryshuar shumë prej mandatit të parë në të dytin. Meqë në mandatin e parë, atë prej vitit 2007 – 2010, aferat për korrupsion ishin të jashtëzakonshme. Ishin ngritur afera për miliona euro. Në mandatin e dytë ishte një strategji tjetër: të mos shkaktoheshin afera. Qëllim në vetvete ishte të mos shkruanin mediat se po vidhet. Dhe kjo, edhe me kushtin që asgjë të mos punohet. Qeveria po dukej si një institucion gjigant kontabiliteti. Paguheshin paga për administratën. Ministrat ishin aty për të mos vjedhur. Kjo do të duhej të nënkuptohej, por te ne nënkuptohet e kundërta: ministrat janë aty për të vjedhur, e prandaj hajde o burra t’i ndalim që të mos vjedhin.
Dhe realisht kjo ishte edhe fryma e kësaj qeverisje. Nuk u vjedh shumë. Por nuk u punua hiç.
I vetmi segment në të cilin bëhej diçka ishte ai që lidhej me negociatat me Serbinë. Aty ekzistonte një dinamizëm që duhej të ndiqej. Gjithashtu plotësoheshin formularë edhe për raportet me Eulex’in. Kurse në Kuvend aprovoheshin ligje në mënyrë rutinore.
Prej vitit 2010 deri në vitin 2014 Thaçi u tregua i zoti për ta asgjësuar tërësisht partnerin e koalicionit, të vetmin që e kishte të sigurt, AKR’në e Pacollit. Nuk ka politikan, sikur Thaçi, që tregon më pak respekt për partnerin me të cilin punon. Ndoshta nuk e bën me dëshirë, por kjo ka pak rëndësi. Ai e eksploaton deri në shkatërrim partnerin. Nuk ka kufi as tahmin. Nuk ka mjaft. Për një meskinitet, për një trill, a një intrigë, që atij i duket relevante, ai është në gjendje ta ofendojë partnerin, ose bashkëpunëtorin. E gjithashtu nuk ka as faleminderit. Ndoshta vetëm herën e parë. Herën e dytë, e deri në vdekje, partneri duhet ta ndiej përgjegjësi dhe privilegj shërbimin ndaj tij.
E ka shumë të rëndësishme një çlirim dhe një buzëqeshje në mbrëmje, pa marrë parasysh pasojat që mund të janë shkaktuar për të ardhur tek ajo. Dhe ai nuk i sheh pasojat. Është pothuajse i pavetëdijshëm për dëmet e shkaktuara. Prandaj e ka të vështirë të gjejë bashkëpunëtorë. Kjo është arsyeja kryesore e mllefit kundër tij. Dëshira e jashtëzakonshme e tij për t’i poshtëruar, gjoja me shkathtësi politike, të gjithë të tjerët në skenën politike tashmë i është plotësuar.
Nuk ka asnjë subjekt politik, nuk ka asnjë udhëheqës politik, nuk ka asnjë bashkëpunëtor të afërt, që ai nuk e ka mundur. Që nuk e ka koritur. Por tash të mundurit, të koriturit, të abuzuarit, janë me shumicë në anën tjetër. Ata kanë filluar ta kuptojnë që ka jetë edhe përtej varësisë kronike, ose shërbimit të përjetshëm ndaj Thaçit. Ata që sot janë afër Thaçit, në fakt nuk kanë jetë të tyre personale. Ata jetojnë për të kënaqur dhe për të argëtuar Shefin. Sa për ilustrim, me terma pak më konkret: Thaçi sillet ndaj njerëzve të afërt sikur mjeku me dhëmbin e pacientit. Përpara se ta rregullojë dhëmbin, e mbyt nervin e tij. E shpon deri në fund. Shkakton fillimisht dhimbje, por pastaj vdes. Është i përshtatshëm që të hash me të. Nuk ka jetë, por është aty. Pak a shumë kështu janë edhe shumica e bashkëpunëtorëve të mbetur të Thaçit.
Dhe kjo dukuri, ose ky fetish, nuk është specifikë vetëm e Thaçit. Nuk ke nevojë të kesh shumë informata për ta kuptuar gjendjen edhe në partitë e tjera. Edhe aty varësit janë sikur dhëmbët e vdekur. Vetëm mjet në shërbim të liderit. Dhe në këtë mënyrë, me metoda klasike të tij, Thaçi e kishte shkatërruar një të varur kronikisht ndaj vetës, siç ishte AKR dhe Pacolli. Por tash pyetja shtrohet edhe ndryshe: Kush u dëmtua më shumë, Thaçi a Pacolli? Po besoj që përgjigjen po e shihni në rrugë. Për këto arsye nuk ka shumë çka të flitet për mandatin 2010 – 2014. Ishte monoton. Ishte tipik. Thaçi ishte kapiten i ekipit. Ishte portier. Sulmues. Mesfushor. Trajner. Tifoz. Komentator. Ai e mbante topin. Driblonte i vetëm. Pastaj i jepte notat. Pastaj i jepte golat. E përqafonte vetën. E donte veten. E çmonte veten. Qeshte me veten. E duartrokiste veten. A jam më i miri? A janë të tjerët dështakë? A jam i vetmi që di politikë? A i kemi bërë nervoz?
Të tjerët, që janë afër tij, sipas tij, janë vetëm për të shkaktuar problem. Për ta dëmtuar performancën e tij të jashtëzakonshme. Dhe po të mos ishte ai, ata të gjithë do të vdisnin urie, së bashku me familjet e tyre. Është ai që i mban gjallë. Që i bën të rëndësishëm. Që i veshë me pushtet. Ose që i zhvesh nga pushteti.
Këto kanë qenë arsyet kryesore përse unë, por edhe kjo gazetë, e kishte përkrahur VLAN’in, gjatë përpjekjes së tyre për të bërë një qeveri, pa PDK’në. Isha i bindur që mësimi më i mirë për Thaçin dhe për PDK’në ishte kalimi i tyre në opozitë. Reflektimi i tyre. Por për fatin e keq të Thaçit, edhe të PDK’së, kjo nuk ndodhi.
Kryetari i PDK’së, nuk e di se në çfarë forme, as nuk po më intereson, e kishte realizuar salton e fundit, duke e ngrehur pas vetës viktimën e radhës – me gjasë të fundit – LDK’në. Patjetër që kjo do t’i kushtojë, në fund të procesit, më së shumti LDK’së, por kësaj here edhe PDK’së. Aktualisht Thaçi nuk ka fishek në karikatorin e tij. Tash ai e ka në dorë vetëm një armë, të zbrazët. Kërcënimet i ka të kota. Askush më nuk frikësohet prej tij. Përveç tij. Dhe Isa Mustafës.
Mbreti është cullak. Siç rëndom ndodh në kriza që zgjatin, tashmë nuk është fare me rëndësi përse ka filluar e gjithë kjo. Unë edhe sot e kësaj dite e mbështes Asociacionin, a sic thotë Vetëvendosje, Zajednicën. Unë e mbështes nënshkrimin e demarkacionit me Malin e Zi. Unë edhe sot e kësaj dite vazhdoj ta konsideroj Lëvizjen Vetëvendosje si të dëmshme, nëse në çfarëdo forme qeveris më vendin.
Pra, në vija të përgjithshme nuk jam lëkundur asnjë fije prej qëndrimeve iniciale që kjo çfarë po bën opozita është ilegale. Ose, unë mendoj që në rastin konkret ka të drejtë Qeveria. Por as kjo nuk ka rëndësi tash e tutje. Sikur nuk do të kishte aspak rëndësi që në gurin e varrit të një të vrari të shkruhej se ‘ky ishte i pafajshëm’.
Problemi është që ngjarja është shumë më komplekse, e shumë më e thellë. Pse gjendja po eskalon, e sigurisht do të vazhdojë të eskalojë, është meritë kryesore e Hashim Thaçit, Kryetar i PDK’së dhe kandidat për President. Është Thaçi, me politikat e tij, njeriu më meritor përse Vetëvendosja, prej një numri të madh njerëzish po shihet si alternativë. Sepse, këta njerëz janë të bindur që Thaçi vetëm udhëheqësin e kësaj lëvizje, Albin Kurtin, nuk e ka dribluar asnjëherë. Nuk ndodh rastësisht që pas qeverisjesh të dobëta, të korruptuara, të degraduara, të vijnë në pushtet qeverisje despotike. Kështu kishte ndodhur me Iranin. Kështu kishte ndodhur me Kubën. Kështu mund të ndodhë edhe me ne. Kjo duhet të parandalohet. Për të ndodhur kjo, së paku përkohësisht, duhet të përfundojë periudha e dominimit të Thaçit në politikën tonë. Zgjedhja e tij president nuk është rruga e duhur.
“Exspress”