Mbrojtja kërkon lirimin e Haradinajt nga paraburgimi në Hagë
Nënkryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Nasim Haradinaj doli të martën për herë të parë para gjykatës së Dhomave të Specializuara në Hagë, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.
Gjatë paraqitjes së tij, Haradinaj përsëriti qëndrimin se nuk i njeh Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen si Gjykata Speciale.
“Nuk e kam njohur këtë gjykatë, nuk e njoh dhe nuk do ta njoh. Jeni me mandat të skaduar që nga 2 gushti”, tha Nasim Haradinaj.
Kundër Haradinajt ende nuk ka aktakuzë të ngritur, megjithatë Prokuroria në Hagë tha se këtë do ta bëjë së shpejti.
Haradinaj u arrestua më 25 shtator në një lagje të Prishtinës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, nën dyshimet për pengim të drejtësisë.
“Për të dyshuarin është lëshuar fletarrestim për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, përkatësisht për frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës”, thuhej në njoftimin e këtyre dhomave.
Gjyqtari i procedurës paraprake, Nicolas Guillou teksa ia lexoi të drejtat, i tha Haradinaj se ka të drejtë të kërkojë që të lirohet nga paraburgimi nëse brenda një viti ndaj tij nuk ngritet aktakuzë.
“Nuk janë ngritur ende akuza kundër të dyshuarit. Do të thotë nuk është paraqitur ende aktakuzë nga prokurori i specializuar. Në këtë seancë nuk do të paraqiten dhe nuk do të debatohen prova”, tha gjyqtari Guillou.
Avokati i Haradinajt, Bes Martens njoftoi se mbrojtja ka ngritur mocion për hedhjen poshtë të pretendimeve të Prokurorisë së Specializuar dhe mocion për lirimin e klientit të tij.
“Ky është një tribunal për krime lufte dhe klienti im nuk është i akuzuar për krime lufte”, tha Martens.
Zyrtarë të Dhomave të Specializuara, gjatë seancës thanë se arrestimi i Haradinajt ishte i domosdoshëm sepse “rrethanat tregojnë se ekziston rreziku i arratisjes së tij, se ka motiv, mjete dhe mundësi për të penguar ecurinë e procedurës” dhe se ai do të përsëriste veprën penale të cilën dyshohet se e ka kryer.
Më 25 shtator është arrestuar edhe kreu i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, i cili dyshohet po ashtu për pengim të drejtësisë. Seanca e parë ndaj tij është caktuar të mbahet më 1 tetor.
Gucati u arrestua në zyrat e kësaj organizate, pasi Zyra e Prokurorit të Specializuar kreu një aksion bastisjeje që zgjat më shumë se tetë orë.
Arrestimi i Haradinajt dhe Gucatit ndodhi pasi kjo organizatë të cilën ata e udhëheqin, tri herë radhazi mbajti konferenca për media ku shpërndanë materiale që pretendohet se janë dokumente konfidenciale të Gjykatës Speciale.
Përmbajtja e këtyre dokumenteve është e panjohur dhe ende nuk është konfirmuar nëse ato janë autentike.
Zyra e Prokurorit të Specializuar, me seli në Hagë, njoftoi të enjten e kaluar se ka arrestuar nën dyshime për krime lufte, Salih Mustafën njërit prej themeluesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në zonën e Llapit.
Ky ishte arrestimi i parë në Kosovë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Mustafa, gjatë paraqitjes së parë para Dhomave të Specializuara në Hagë të hënën, ka zgjedhur që të mos deklarohet rreth akuzave për krime lufte që rëndojnë ndaj tij.
Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, që ndryshe njihen edhe si Gjykata Speciale, kanë selinë në Hagë dhe merren me hetimin e krimeve të supozuara të luftës të pjesëtarëve të ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës./ REL