Mbyllen dyqanet, protestë kundër tarifave 100%

Të gjitha dyqanet e ushqimeve, ulën qepenat të hënën në veriun e Kosovës, e bashkë me ta u solidarizuan edhe kafenetë, farmacitë, pikat e karburanteve e madje edhe taksitë. Mbyllja e dyqaneve bëhet në shenjë proteste ndaj tarifave 100 për qind, që qeveria e Kosovës iu vuri mallrave serbe në nëntor të vitit të kaluar. Autoritetet në Beograd dhe përfaqësues lokalë të serbëve në veri, thonë se tarifat dhe kontrollet e Policisë së Kosovës, që kanë mbyllur rrugët alternative, kanë bërë që të mungojnë produktet kryesore, siç janë mielli, si dhe prodhimet e qumështit. Ata pretendojnë se veriu është në “prag të krize humanitare”.

Por autoritetet në Prishtinë thonë se kjo është një lojë e Beogradit dhe se nuk ka krizë humanitare në Kosovë. “Krizë humanitare nuk ka në Kosovë. Ka improvizim dhe tendenca të Serbisë për t’i paraqitur si viktima qytetarët serbë në veri të Kosovës. Prandaj është shumë me rëndësi që e gjithë bota demokratike të njohë realitetin dhe ta kuptojë atë. Dhe ky pretendim i ri i Serbisë është i dështuar”, deklaroi presidenti Thaçi.

Më 21 qershor, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj paralajmëroi përmes rrjeteve sociale se zyrtarë dhe biznesmenë serbë në veri të Mitrovicës, së bashku me Beogradin zyrtar, po përgatisin një plan për të paraqitur, gjendjen e një katastrofe humanitare në atë pjesë të Kosovës. Të hënën, kryeministri Haradinaj shkroi në rrjetet sociale se “simulimi i katastrofës humanitare nga ana e Serbisë, është një tjetër përpjekje e dështuar për destabilizim.

SHKARKO APP