Me 62 vota pro dhe 16 kundër, Albulena Haxhiu zgjidhet kryetare e Kuvendit të Kosovës
Pas më shumë se një muaji ngërç politik, Kuvendi i Kosovës ka bërë hapin e parë drejt konstituimit të legjislaturës së 11-të. Deputetët kanë votuar Albulena Haxhiun në postin e kryetares së Kuvendit.
Haxhiu mori 62 vota pro, ndërsa 16 deputetë votuan kundër kandidaturës së saj. Pas përfundimit të votimit, ajo falënderoi deputetët për mbështetjen.
“Ju falënderoj për mbështetjen!”, u shpreh Haxhiu.
Seanca konstituive po drejtohet nga Avni Dehari, ndërsa pas zgjedhjes së kryetares, në rendin e ditës është edhe zgjedhja e nënkryetarëve të Kuvendit.
Ky zhvillim vjen pas një periudhe të gjatë bllokade institucionale, gjatë së cilës Kuvendi nuk arriti ta përmbyllte procesin e konstituimit brenda afatit kushtetues. Afati 30-ditor për konstituimin përfundoi më 7 gusht, ndërsa seanca e fundit ishte mbajtur një ditë më vonë.
Vazhdimi i seancës u bë i mundur pas marrëveshjes së arritur mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për çështjen e presidentit.
Në kuadër të marrëveshjes, profesori universitar Bekim Sejdiu është propozuar si kandidat i përbashkët për president. Megjithatë, marrëveshja është kundërshtuar nga gjashtë deputetë të LDK-së, duke ngritur pikëpyetje nëse do të sigurohen votat e nevojshme për zgjedhjen e tij.
Ndërkohë, PDK-ja dhe LDK-ja kanë konfirmuar pjesëmarrjen në seancë, ndërsa Aleanca ka vendosur të mos marrë pjesë, duke argumentuar se procesi nuk është duke u zhvilluar në përputhje me procedurat kushtetuese.
Pas zgjedhjes së kryetares, Kuvendi pritet të procedojë me zgjedhjen e pesë nënkryetarëve. Vetëm pas plotësimit edhe të këtyre pozitave mund të konsiderohet i përmbyllur procesi i konstituimit të Kuvendit.
KOHA JONË SONDAZH

