Me emigrantët kosovarë në kufirin me Hungarinë, udhëtimi në “tokën e premtuar”

Medin Halilovic –

Duke ecur përmes pyllit, fshatrave të Serbisë, kolona e kosovarëve muajin e fundit në mënyrë të paligjshme kalojnë kufirin ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, në përpjekje për të kaluar në një nga vendet e Evropës Perëndimore. 

Pavarësisht paralajmërimit të kontrolleve më rigoroze nga autoritetet e Serbisë dhe Hungarisë, shqiptarët e Kosovës, me autobusë apo transport privat, përmes Beogradit arrijnë në Suboticë, ku pastaj duhet të kalojnë një kanal të mbushur me ujë, për të kaluar në Hungari dhe pastaj për të vazhduar drejt vendeve të tjera të BE-së.

Përfaqësues të organeve shtetërore, qytetarët e Suboticës, si dhe vetë emigrantët nga Kosova, në bisedë me gazetarët e Anadolu Agency (AA), konfirmojnë se në këtë vend kanë ardhur që përmes kufirit më të afërt të kalojnë në BE dhe të kërkojnë azil. 

Kosovarët përmes vijave të jashtëzakonshme të autobusëve çdo ditë arrijnë në stacionin e Suboticës dhe pastaj, kryesisht me taksi shkojnë deri në Paliq, ndërsa nga ky vend pranë kufirit në grupe ecin drejt kufirit. Taksistët pranojnë se marrin pak më shumë para për t'i transportuar në vendet e caktuara, por edhe që solidarizohen me ata. 

Taksisti Zhelko Hajduk konfirmon se pak më parë deri në Paliq ka transportuar një grup dhe thotë se këtë e bënë çdo ditë. Ai thotë se bazuar në fjalët e tyre, arrijnë në përfundim se "diçka nuk është në rregull në Kosovë, sepse pavarësisht se i kapin dhe i dënojnë, ata përsëri kthehen" në tentativë për të kaluar në vendet e BE-së.

"Nuk mund të shpjegoj se si është të shohësh një djalë 25-30 vjeç duke mbajtur foshnje… Ata kështu emigrojnë dhe qëllimi i tyre është vetëm Evropa. Nga Kosova kanë predispozita ku duhet të lajmërohen. Mos dhashtë Zoti askujt të përjetojë atë që ata përjetojnë", thotë Hajduk, taksisti më i vjetër i Subotës.

– Më shpesh ditën e kalojnë në Paliq – 

Sipas të dhënave zyrtare, kufirin shtetëror me Hungarinë në territorin brenda juridiksionit të Gjykatës Penale në Suboticë, nga fillimi i këtij viti kanë tentuar të kalojnë 820 persona, në mesin e tyre edhe personat nga Afganistani dhe vendet tjera aziatike, që është për 50 përqind më shumë krahasuar me tërë vitin e kaluar. 

Kryetari i Gjykatës Simo Lubiç thekson se në 40 ditët e kaluara rreth 600 persona nga Kosova kanë tentuar në mënyrë të paligjshme të hyjnë në Hungari. Pasi janë ndaluar nga policia, mesatarisht për kundërvajtje kanë marrë dënim prej 10.000 dinarë (82 euro).

"Në deklaratat e tyre në gjykatë ata haptas thonë se dëshirojnë të shkojnë në Evropë. E vetmja mënyrë për ta, tani për tani, është mënyra ilegale. Nuk posedojnë dokumente të vlefshme dhe kjo është e vetmja mënyrë pse shkojnë përmes kanaleve dhe rrugëve të fshehura", vlerëson gjykatësi Lubiç.

Ai shtoi se dënimet i paguajnë menjëherë dhe pas kësaj nuk kanë obligime ndaj gjykatës dhe se është i vogël numri i atyre që janë dënuar përsëri në tentimin e kalimit të kufirit ilegalisht. 

Në Suboticë është e zakonshme të takoni grupet e njerëzve që "dallon nga mjedisi". Në vendpushimin e njohur Paliç ata mblidhen në motelet e ndryshme, ndërsa pastaj në mënyrë të organizuar gjatë ditës ecin drejt kufirit. 

Një prej kanaleve për kalim ilegal në Hungari fillon në një vilë pranë rrugës kryesore Paliq-Horgosh, që menaxhohet nga një shqiptar, me dokumente të Serbisë.

Shumica e emigrantëve refuzojnë të fotografohen dhe të flasin para kamerës, por pranojnë të flasin. Në vende të caktuara dhjetëra njerëz, kryesisht prindërit me fëmijë në krahë, pas rreth njëqind metra ecje në rrugën kryesore, vazhdojnë drejt vendeve Hajdukovo, Tresetishte, Baçki Vinogradi, vendet këto të cilat ndodhen në afërsi të kalimeve kufitare. 

Çdo grup udhëhiqet nga një kontrabandist i cili fshihet nga kamera dhe njeh mirë gjuhët. Grupet përbëhen edhe nga pesëdhjetë persona, madje edhe njëqind, pas pak kilometra ecje ndahen në grupe më të vogla. Zakonisht prindërit me fëmijë shkojnë në një anë, ndërsa meshkuj pa fëmijë në anën tjetër. Për t'i dërguar deri në të ashtuquajturën "tokën e premtuar" ata kontrabandistëve u japin 50, 100 apo 200 euro për person. 

– Në Kosovë nuk ka jetë…- 

Në grupin, me bashkëshorten dhe fëmijët ndodhet edhe Ismail Avni nga Prizreni, i cili në gjuhën boshnjake thotë se jeta e ka detyruar të shkojë në Evropë dhe të kërkojnë të ardhmen për fëmijët e tij.

"Vajzën e kam të sëmurë, në Kosovë nuk ka jetë. Varfëria na ka detyruar për këtë", thekson Avni, me kërkesë që mos të fotografohet për shkak të mundësisë se dikush mund ta njohë kur arrin në Hungari. 

Ndërsa me fëmijët dhe familjarët shkel në rrugët me baltë dhe akull të fshatit Hajdukova, Imer Metoli nga Prishtina, duke mos fshehur emocionet dhe duke rrëmbyer mikrofonin thotë: "Unë kthehem me ju, vetëm asaj (duke treguar për vajzën) t'i siguroj bukë."

"Bukë, bukë, socialja. Shkojmë të gjithë, dëshiroj t'i dërgoj. Unë do të kthehem, vetëm le t'i dërgojnë fëmijët e mi në Evropë. Vetëm le t'i marrin fëmijët e mi, un nuk kam bukë tua japë", thotë dukshëm i pikëlluar Metolli.

Pranë hekurudhës, duke pushuar, AA takon Faik dhe Astrit Gashin dhe ky djemtë tjerë nga Klina dhe Peja. Ndryshe nga të tjerët, ata pranuan të dalin para kamerave. Ankohen se u kërkojnë nga njëqind euro për të kaluar kufirin. Faiku thotë se, pasi të kalojë në Hungari, azilin do të kërkojë në Gjermani, ndërsa Astriti në Belgjikë. Pasi ka ardhur rendi i tyre, nisën në kolonë drejt "destinacionit". 

Në fshatin me ferma, shtëpiza pushimi, mund të shihet numri i vogël i kalimtarëve, me raste haset në automjete, edhe pse gjithçka ndodhë në mes të ditës, në dy-tri kilometra nga kufiri me Hungarinë, askund nuk ka pasur automjete të policisë, të paktën me shenja zyrtare. 

– Ikin nga policia dhe nuk krijojnë probleme – 

Banorët e fshatrave përmes të cilëve prej javësh, ditë e natë i kalojnë me kosovarët që kalojnë, kryesisht shqiptar, theksojnë se ata nuk u shkaktojnë probleme dhe se ju vjen keq për këta njerëz. "Nuk bëjnë asnjë problem, të mjerët. Erdhën këtu, shkojnë, por nuk e dinë ku", thotë Iboja Urba nga Palliç.

Këtë e konfirmon edhe banori i fshatit Hajdukovo, Peter Karon Tibor, ndërsa kolona prej tridhjetë njerëzish kalojnë pranë tij. "Neve nuk na pengon, jo nuk kanë krijuar probleme", thekson ai. 

Zdravko Ajdareviç nga Subotica, i cili ndodhet në pushim në Tresetish, vendin pranë kufirit, thotë se grupe njerëzish, ditë e natë kalojnë. "Ju tregoj ku është Hungaria, përse nuk do të bëja këtë. Është e mjerueshme, gratë shtatzëna kalojnë. Nuk bëjnë asnjë problem. Kur dëgjojnë policinë, shpërndahen, ikin. Policia kalon këtej rregullisht. Nuk mund të kuptoj se si mund të kalojnë kufirin, janë vetëm kanalet. Ne, fqinjët, çuditemi, është shumë e pikëllueshme", thotë ai. 

Nga Prishtina çdo natë dhjeta autobusë nisen drejt Suboticës. Deri më tani nuk ka të dhëna të sakta dhe zyrtare mbi largimin e qytetarëve të Kosovës nga vendi i tyre. Por, vlerësohet se nga fillimi i vitit mbi pesëdhjetë mijë qytetar të Kosovës kanë ikur në vendet e Bashkimit Evropian.

SHKARKO APP