Medvegjë, Konferencë shkencore për akademik Idriz Ajetin

Java e parë e nëntorit në Medvegjë, njëra ngë komunat më të vogla të Luginës së Preshevës, mblodhi personalitete të shquara të kulturës shqiptare rreth konferencës shkencore kushtuar Akademik Idriz Ajetit, “babait” të gjuhës shqipe, siç e quajnë studiues të shumtë “rrapin shekullor”, i cili në fillim të këtij viti ka mbushir 100 vjet.
Ky evenimet shkencor u organizua nga Shoqata për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore nga Lugina e Preshevës, e cila, në Pallatin e kulturës, zhvilloi një Konferencë shkencore për Akademik Idriz Ajetin, me origjinë nga Medvegja, duke e vlerësuar lartë, kontributin e tij në fushën arsimore, kulturore dhe shkencore.
Në këtë konferencë shkencore, morën pjesë përfaqësues nga të gjitha viset shqiptare dhe nga diaspora si: profesorë, shkrimtarë, nxënës e studentë, në festën e madhe në Medvegjë, për ta nderuar dhe respektuar njeriun më të shquar, Akademik Idriz Ajeti.
Në ambientet e Hotel Gejzerit në Banjë të Siarinë, në një sallë të stërmbushur me njerëz, dashamirës, profesorë, intelektualë, nxënës etj.
Prof. dr. Isak Shema, nga Kosova, i cili e kishte patur për profesor Akademik Idriz Ajetin, tha se duhet bërë më shumë për këtë njeri, si në Medvegjë, Preshevë e Bujanoc, ngse sipas tij, kemi të bëjmë me një albanolog të spikatur të gjuhësisë shqiptare.

Profesor Shema u paraqit në Konferencë me kumtesën: ” Veprimtaria arsimore, kulturore dhe shkencore e Akademik Idriz Ajetit”, pastaj me radhë: prof. dr. Bahtijar Kryeziu “Identifikimi i unit shkencor në veprat e Akademik Idriz Ajetit”, prof. dr. Begzad Baliu dhe prof. dr.Naile Mala “Pikëpamjet e prof. Idriz Ajetit për prof. Çabejn”, prof.dr. Faton Krasniqi “Ndihmesa e Akademik Idriz Ajetit për albanologjinë”, dr. Berton Sulejmani “Recension për librin “Rrapi shekullor-Idriz Ajeti” të autorëve: Bahtijar Keyeziu dhe Begzad Baliu”, prof. Rexhep Abazi “Kontributi i Akademik Idriz Ajetit në zhvillimin e kulturës së gjuhës dhe shkollës shqipe”, M.A. Fatlum Hetemi “Kontributi i Akademik Idriz Ajetit në fushën e arsimit”, drof.Gani Krasniqi “Shekullori i Meditës Akademik Idriz Ajeti, një shekull në shërbim të gjuhës shqipe”, Rrahman Hyseni, shkrimtar “Akademk Idriz Ajeti- burrë i denjë i kombit”, Ilmi Rexhepi “Venerime sintaksore të Akademik Idriz Ajetit dhe nevoja e riaktualizimit të tyre”.

Shoqata për Trashëgëmi dhe Krijimtari Kulturore, me kryetarin e nderuar prof. Xhemaledin Salihu, ndau mirënjohje për Akademik Idriz Ajetin dhe për lexuesit e kumtesave shkecore.
Mirënjohje për akademikun ndau edhe Idriz Sinani, kryetar i IGFM-së (Forumi Ndërkombëtar për të Drejtat e Njeriut). Mirënjohjet i pranoi nipi i tij, z. Hasan Ismajli, ku në emër të akademikut u përcolli pjesëmarrësve përshendetjet më të sinqerta.
Pjesa shtesë e konferencës u përcoll me recitime nga nxënësit nga Medvegja: Arbenita Balaj, nxënëse e Shkollës Fillore “Baja e Sarinës” me poezinë “Fjalët e qiriut” dhe Adelina Osamani, me poezinë “Gjuha shqipe”, nxënëse e Shkollës së Mesme “Nikolla Teslla”. Gjithashtu recitimevet u shoqëruan me një valle instrumentale nën tingujt e çiftelisë, të cilën e paraqit Sokol Musliu.

Sevdail Hyseni

Biografia
Idriz Ajeti lindi në fshatin Tupallë të Komunës së Medvegjës më 26 qershor të vitit 1917, është shkrimtar dhe akademik shqiptar.
Shkollën fillore e mbaroi në Banjën e Sijarinës më 1930, të mesmen e kreu në Shkup më 1938. Po atë vit u regjistrua në Fakultetin e Filozofisë të Universitetit të Zagrebit – në Degën e romanistikës. Studimet i mbaroi pas luftës, në vitin 1949 në Fakultetin e Filozofisë të Beogradit. Që atëherë e deri në vitin 1953, me cilësi profesori të gjuhës shqipe, punoi në Gjimnazin e Prishtinës. Nga viti 1953deri në vitin 1960, me cilësi lektori, jepte mësim në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Beogradit. Në vitin 1958 mbrojti disertacionin e doktoratës me temën: Zhvillimi historik i së folmes gege të shqiptarëve të Zarës së Dalmacisë. Që nga viti 1960, njëherë docent, pastaj profesor inordinar dhe nga viti 1968 profesor ordinar, jep mësim në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit të Filozofisë të Prishtinës. Iu dhanë disa shpërblime e dekorata, ndër të cilat edhe Shpërblimi i 7 korrikut dhe ai i KAÇKJ. Presidenti Ibrahim Rugova e dekoroi me Medaljen e Artë të Lidhjes së Prizrenit, ndërsa me rastin e 90-vjetorit të lindjes, Presidenti Fatmir Sejdiu e dekoroi me Çmimin Presidencial për Studiues. Hetimi i dialekteve nga pikëpamja diakronike, pastaj trajtimi i dokumenteve të moçme gjuhësore të shkruara me alfabetin arabo-turk dhe më në fund studimi i marrëdhënieve të shojshoqme shqiptare-serbe – janë troje të interesimit shkencor të Idriz Ajetit. Merret edhe me çështje të gjuhës së sotme shqipe. Qe iniciator i shumë konsultave dhe bashkëmarrëveshjeve gjuhësore ku u kërkuan shtigje të reja për njësimin e gjuhës shqipe dhe të drejtshkrimit të saj. Hartoi tekste shkollore për nxënës të shkollave të mesme dhe për studentë të Degës së Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filozofik të Prishtinës. Me nismën e tij, pas hapjes së Fakultetit të Prishtinës (1960), u nxor revista shkencore Gjurmime albanologjike (1962) e më 1974 u organizua Seminari i Kulturës Shqiptare për albanologë të huaj. Gjatë vitit 1969–1971ishte drejtor i Institutit Albanologjik, më 1971-73 ishte dekan i Fakultetit Filozofik, në vitet 1973–75 rektor i Universitetit të Prishtinës. Pas zgjedhjeve paralele të vitit 1998 për Kuvendin e Republikës së Kosovës, zgjidhet kryetar i parë i tij nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Në vitet 1979–1981 dhe 1996–1999 ishte kryetar i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës. Në vitin 1997, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës i ka botuar veprën e plotë në pesë vëllime.

Sevdail Hyseni

SHKARKO APP