Memli Krasniqi heq dorë nga kandidimi për deputet
Ish-kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi është emëruar Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor të kësaj force politike për zgjedhjet e 28 dhjetorit. Ai ka theksuar se do të angazhohet plotësisht në udhëheqjen e fushatës së partisë. Ai tha se PDK hyn në këtë garë e përgatitur, e bashkuar dhe e vendosur për t’i rikthyer vendit “normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin”. Krasniqi njoftoi se nuk do të jetë pjesë e listës zgjedhore për deputet, pasi ka vendosur t’i përkushtohet tërësisht menaxhimit të fushatës dhe mbështetjes së kandidatit për kryeministër të PDK-së, Bedri Hamza.
Postimi i plotë
Sot, me vendim të Kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, kam marrë përsipër përgjegjësinë për të udhëhequr fushatën zgjedhore të partisë, si Shef i Shtabit Qendror Zgjedhor, në rrugën tonë drejt fitores më 28 dhjetor.
Këto zgjedhje janë mundësi për t’i rikthyer vendit normalitetin, stabilitetin dhe zhvillimin. PDK hyn në këtë proces më e përgatitur, e bashkuar dhe shumë e gatshme për t’i dhënë vendit drejtimin që meriton.
Në këtë fushatë, do të jem plotësisht në shërbim të fushatës sonë, të ekipit, të strukturave dhe të fitores sonë të përbashkët. Prandaj, pas shtatë mandateve si deputet i Kuvendit të Kosovës, këtë herë kam vendosur që të mos jem pjesë e listës tonë zgjedhore.
Ky është një vendim i qëllimshëm, që më lejon t’i përkushtohem tërësisht organizimit dhe udhëheqjes së fushatës dhe mbështetjes së plotë për Kryetarin dhe kandidatin tonë për Kryeministër, Bedri Hamza.
Ecim bashkë, me besim dhe vendosmëri, për një Kosovë ma të mirë për të gjithë!
KOHA JONË SONDAZH

