Ministri i Brendshëm i Kosovës: Di gjithçka për Kumanovën, por s’mund të flas
Kosova është e sigurt dhe situata është nën kontroll. Kështu ka deklaruar për Gazetën Tribuna, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni. Ai ka thënë se Institucionet e Sigurisë dhe të rendit i kanë bërë të gjitha veprimet e nevojshme në mënyre qe gjendja të jetë nën kontrolle.
“Ne e kemi situatën nën kontroll në vendin tonë kaq mund të them. Ne larg prononcimeve të panevojshme publike jemi duke u marrë me situatën në shkallën më të lartë të seriozitetit”, ka thënë Hyseni.
Ai ka thënë se i ka të gjitha informacionet për situatën në Kumanovë, por qe ato nuk mund t’i ndajë më publikun.
E në anën tjetër, Rexhep Selmi anëtar i Komisionit për Punë dhe Siguri të Brendshme ka thënë se nuk është mjaftueshëm i informuar për të dhanë një vlerësim të saktë për situatën në Maqedoni. Sipas tij, deputetët nuk kanë marrë informata nga Kuvendi dhe institucionet tjera për të dhënë vlerësime. Ai ka thënë se Institucionet e Kosovës duhet të jenë të përgatitura, sepse konflikti atje mund të përshkallëzohet edhe më shumë.
“Ne mbledhjen e parë të komisionit do ta diskutojmë çështjen e sigurisë më Republikën fqinjë dhe cështjen e sigurisë që ndërlidhet me shqiptarët në Maqedoni. Ministri Skendër Hyseni mund të raportoj për masat qe ka ndërmarr përballë kësaj situate”, ka thënë Selimi.
Policia e Kosovës, ka dërguar njësitë e saja ROSU në kufi me Maqedoninë. ROSU është ndarë në dy grupe, disa janë stacionuar në Hanin e Elezit e disa të tjerë në pikën kufitare që lidhë Kosovën me Serbinë e Maqedoninë, në komunën e Gjilanit. Policia thuhet se do të monitorojë kalimet në kufi pas raportimeve se disa qytetarë të Kosovës kanë marrë pjesë në luftimet me forcat maqedonase në fundjavë.
Mediat kanë raportuar për një numër të madh të viktimave që kanë ndodhur gjatë aksionit policor në qytetin e Kumanovës. Shumë shqiptarë kanë braktisur qytetin e tyre për tu strehuar në qytete me të sigurta. Disa nga ta janë zhvendosur edhe në Kosovë. Opozita maqedonase po i kërkon dorëheqjen kryeministrit, Nikolla Gruesvki. Lideri opozitar, Zoran Zaev ka disa muaj qe ka filluar të publikoj skandale të pushtetit në Maqedoni.