Ministri i Brendshëm i Kosovës, Svelça: U zbulua sasi e jashtëzakonshme armatimi, agresorët kishin planifikuar …

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Svelça, ka reaguar pas sulmeve të një grupi terroristësh serbë në veri të Kosovës ndaj Policisë, ku mbeti viktimë një efektiv dhe një tjetër u plagos.

Svelça tha se janë vrarë të paktën 3 prej sulmuesve dhe janë arrestuar disa të tjerë, teksa sipas tij aksioni vijon. Ai tha gjithashtu se gjatë aksionit u zbulua një sasi e jashtëzakonshme armatimi, e mjaftueshme për qindra persona. Sipas tij, agresorët serbë kishin planifikuar të sulmonin institucionet e Kosovës, për të krijuar destabilizim.

“6 të arrestuar, 2 të plagosur dhe 4 të tjerë të arrestuar, që ishin në lidhje me ta me radiolidhje. Kemi edhe të paktën 3 prej tyre të vrarë. Policia ka zbuluar një sasi të jashtëzakonshme armatimi të rëndë, logjistikë, ushqime, pajisje për barrikada, etj, pra ishin pajisje për qindra sulmues të tjerë. Pra ishin përgatitur që të sulmonin Policisë dhe institucionet e Kosovës. Këta kanë dështuar falë angazhimit të jashtëzakonshëm të Policisë së Kosovës.

Këto i bën nder jo vetëm Afrim Bunjakut, por gjithë Kosovës. Këta janë grup terrorist, disa prej tyre të identifikuar edhe si pjesë e mbrojtjes civile. Policia është në çdo cep të këtij lokacioni. Ka një numër pelegrinësh. Do të hetohet që të mos ketë të infiltruar nga terroristët. Pjesëtarët që kanë sulmuar zyrtarët policorë janë të përzier. Ka disa armë që mund të lidhen me Zveçanin, kur zbuluam një sasi të konsiderueshme të armëve. Zona ku ata po kërkohen është më e gjerë”, është shprehur Svelça.

SHKARKO APP