Ministri i Jashtëm turk reagon ashpër ndaj Kosovës: Jeni në telashe me ne
Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, ka reaguar ndaj deklaratave të zyrtarëve të Kosovës, duke thënë se shteti turk nuk po përzihet në punët e kosovarëve, por vetëm po kërkon dëbimin e gylenistëve.
Ai ka thënë se Kosova duhet të pastrohet nga njerëzit që tentuan të bëjnë grusht shtet në Turqi.
“Shpresoj që Kosova të pastrohet nga këta të pabesë. Vëllezërit tanë kosovarë të gjejnë paqe, por pa marrë parasysh, qoftë në Kosovë qoftë në ndonjë vend tjetër nuk do të lejojmë strehimin e tradhtarëve ndaj nesh. Kjo nuk është përzierje në punët e brendshme të tyre. Kosova nuk duhet të strehojë në vendin e saj tradhtarët që kanë bërë grusht shteti në Turqi. Kjo është ajo që presim nga miku. Shpresojmë se pas kësaj Kosova ndërmerr hapa të përgjegjshëm dhe bën atë që kërkon miqësia dhe vëllazëria”. tha minstri i jashtëm turk, raporton Anadolu Agency. Reagimi i Çavuşoğlu ka ardhur pas akuzave të Kryeministrit Ramush Haradinajt dhe Kryeparlamentarit Kaadri Veseli se Presidenti i Turqisë po përzihet në punët e Kosovës, duke paralajmëruar fundin e Qeverisë aktuale.
Ky zyrtar turk ka përmendur faktin se Turqia ka ndihmuar Kosovën në shtimin e numrit të njohjeve, duke thënë se në secilin takim lobojnë për kosovarët.