Ministri kroat u kërkon 5 shteteve të BE-së të njohin Kosovën
Kroacia po punon për të ndihmuar Kosovën që të njihet dhe nga anëtarët e fundit të BE-së. Kjo është ajo që ka deklaruar Ministri i Jashtëm i Kroacisë, Gordan Grlic Radman për mediat vendase.
Grlic deklaroi se Kroacia inkurajon pesë anëtarët BE-së, Qipron, Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Spanjën ta njohin Kosovën pasi kjo do kontribuonte në stabilizimin e rajonit dhe vetë Kosovës.
Këtë të mërkurë, ministri i Jashtëm i Kroacisë po merr pjesë në konferencën ndërkombëtare GLOBSEC në Bratislavë, ku do të diskutohet edhe për situatën në Ballkanin Perëndimor.
Ministri kroat u shpreh se për stabilizimin e rajonit, thelbësore janë 3 kushte, respektimi i integritetit territorial të shteteve, barazia kushtetuese e boshnjakëve, serbëve dhe kroatëve në Bosnje e Hercegovinë dhe vendosja e besimit të ndërsjellë pas luftërave të viteve 1990.
“Integriteti territorial i vendeve të Ballkanit duhet të ruhet dhe respektohet. Pa rivendosur kufijtë, siç kemi dëgjuar muajt e fundit duke qarkulluar disa non-papers të famshëm që ishin drejtuar në atë drejtim”, tha Grlić Radman.
Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008 dhe deri më tani njihet nga 100 shtete duke përfshirë të gjitha shtetet anëtare të BE-së përveç Qipros, Greqisë, rumanisë, Spanjës dhe Slovakisë.
Aktualisht po punohet me qeverinë e Serbisë që dhe kjo e fundit të njohë përfundimisht Kosovën. Ditën e djeshme në Bruksel u zhvillua një takim mes kryeministrit Albin Kurti dhe Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç ku u paraqitën qëndrimet e para për normalizimin e marrëdhënieve mes dy shteteve.