Ministri Kuçi: Kosova do të ketë Kodin Civil për herë të parë në histori
Ministri i Drejtësisë, Prof. Dr. Hajredin Kuçi, sot ka marrë pjesë në takimin e përbashkët të Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, së bashku me kryesuesit e grupeve punuese, anëtarët e këtij komisioni si dhe ekspertët e projektit “mbështetje kodit civil dhe të drejtave pronësore”, i menaxhuar nga zyra e BE-së në Kosovë.
Ministri Kuçi, në cilësinë e Kryesuesit të Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës, pasi ka falenderuar të gjithë anëtarët e Komisionit për punën e bërë, si dhe ekspertët e projektit “mbështetje kodit civil dhe të drejtave pronësore’’, theksoi që puna në finalizimin e Kodit Civil, është vepra më kapitale për Qeverinë, Ministrinë e Drejtësisë dhe për sistemin e të drejtës civile në përgjithësi.
Ministri Kuçi, theksoi mbështetjen e plotë të Ministrisë së Drejtësisë dhe të Qeverisë për punën e Komisionit për hartimin e Kodit Civil të Republikës së Kosovës. Në vijim të takimit, kryesuesit e grupeve punuese prezantuan konkluzionet dhe rekomandimet kryesore të nxjerra nga takimet e mbajtura më parë ku janë diskutuar raportet e vlerësimit të hartuara nga Projekti “Mbështetje Kodit Civil dhe të Drejtave Pronësore”.