Ministrja serbe: Nuk do të heqim dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të UÇK-së
Ministrja serbe e Drejtësisë, Nela Kuburoviç, tha se Serbia kurrë nuk do të heqë dorë nga ndjekja e ish-ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për krimet e supozuara ndaj popullatës serbe. Duke folur për kërkesat që Serbia të tërheqë fletë-arrestet për ish-ushtarët e UÇK-së, në një intervistë për Novosti, Kuburoviç tha se diçka e tillë nuk mund të ndodhë pasi ato janë bazuar në dëshmi.
“Procedimi para gjykatave Serbe është iniciuar duke u bazuar në prova materiale, që nuk ka asnjë shpjegim ligjor dhe arsye për të hequr urdhër-arrestin për kriminelët”. Ajo thotë se shteti i saj ka ofruar prova të “pamohueshme” në Tribunalin e Hagës dhe Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kundër.
Pasi institucioneve të Republikës së Kosovë iu referua si “të përkohshme”, ajo foli edhe për nismën për Ligjin për Mbrojtjen e Vlerave të Luftës së UÇK-së – të cilën e quajti përpjekje të dëshpëruar për të shmangur të vërtetën për UÇK-në, e cila nga ministrja serbe u cilësua “organizatë terroriste”.