Misteri i zhdukjes së Ukshin Hotit, 16 vjet më vonë

 

Fati i personalitetit të madh kosovar Ukshin Hoti është një nga fatet më tragjike të shqiptarëve të Kosovës. Plot 16 vjet më parë, ai mbushi dënimin e tij. Ishte ditë e diel dhe sipas dëshmisë, ai do të shoqërohej nga dy roje drejt daljes, në një ditë jo të zakonshme për lirimin e të burgosurve. Që atëherë nuk dihet më fare për fatin e tij. Ka qenë politolog dhe një nga njerëzit më të iluminuar të Kosovës. Në vitet ’70, ushtroi detyra të ndryshme në pozita të ndryshme të jetës politike dhe arsimore të Kosovës. Kalvari i dënimeve të veta ndodhi pas një diskutimi publik në Fakultetin Filozofik në Prishtinë më 19 nëntor 1981, ku ai haptas i mbrojti kërkesat e studentëve shqiptarë për Republikë të Kosovës në kuadër të Jugosllavisë. Për këtë, ai u dënua me 9 vjet burg, të cilat nga gjyqi suprem u reduktuan në 3,5 vjet. Pas lirimit nga burgu u kthye në vendlindje ku u izolua.

Në mars të 1993 u burgos për herë të dytë, pasi një vit më parë kishte organizuar homazh për martirët e demokracisë në Brestovc. Në të njëjtin vit u rrah keq nga forcat speciale serbe pasi që kishte vizituar pjesëmarrësit e grevës së urisë në pallatin e shtypit në Prishtinë, thotë Koha Ditore. Më 17 maj 1994 e dënuan me 5 vjet burg për arsyen se ishte pjesëmarrës i lëvizjes për Republikën e Kosovës. Që atëherë nuk u pa më.

SHKARKO APP