Mjekët shqiptarë shpëtojnë foshnjën 9-muajshe, nëna serbe e prekur

Mjekët e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i kanë shpëtuar jetën një foshnje 9 muajshe, duke i hequr një kokërr fasuleje nga mushkëria e djathtë. I vogli kishte pasur probleme të mëdha me frymëmarrjen dhe ishte dërguar në spitalin e Gjilanit.

Më pas mjekët, kur e konstatuan problemin e të voglit e nisën menjëherë për në Prishtinë, ku kirurgët ndërhynë për plot 40 minuta duke ia hequr fasulen nga bronku kryesor i mushkërisë së djathtë. QKUK thekson se gjendja shëndetësore e foshnjës është e mirë dhe sot do të lirohet për në shtëpi.

Milica Stojkoviç, nëna e fëmijës, ka falënderuar mjekët për punën e bërë duke shtuar se ka mbetur e habitur me sjelljen ndaj mjekëve, pavarësisht se ajo i përket komunitetit serb. ”Jashtëzakonisht jemi të kënaqur me mënyrën se si është trajtuar foshnja jonë. Nuk kam fjalë ta përshkruaj. Këtu njerëzit nuk dallohen në bazë të nacionalitetit. Çdo serb që ka probleme shëndetësore, mund të vijë këtu pa asnjë problem”.

SHKARKO APP