Modeli i marrëveshjes ndërkombëtare të Prespës dhe Marrëveshja Kosovë-Serbi

Nga Dr. Skënder Demaliaj*
Marrëveshja e Prespës, Maqedoni-Greqi normalizoi marrëdhëniet Maqedoni-Greqi, hapi perspektivën euroatlantike dhe europiane të Maqedonisë, ndihmoi në stabilitetin rajonal. Është përshëndetur dhe mbështetur nga Komuniteti Ndërkombëtar dhe faktori shqiptar. Po rekomandohet nga kancelari dhe qarqe politike si model edhe për Kosovën dhe Serbinë.
Por ka disa dallime thelbësore në rastin e Kosovës dhe Serbisë dhe duhen plotësuar disa parakushte nga Serbia për të shkuar në nënshkrimin final të saj me garancinë e SHBA dhe Bashkimit Europian. Është kjo arsyeja që dita e nënëshkrimit të një Marrëveshjeje të Madhe Politike Kosovë-Serbi nuk është e afërt. Siç e theksova edhe më sipër topi është në fushën e Beogradit dhe ai duhet të ndërmarrë nisma dhe veprime të guximshme e të tregojë vullnet politik për realizimin e një marrëveshje të tillë.
1. Maqedonia dhe Greqia e nënshkruan Marrëveshjen si dy shtete të pavarura, sovrane që e kanë njohur njëra-tjetrën reciprokisht prej kohësh. Kur Serbia nuk njeh pavarësinë e Kosovës, atëherë për çfarë vlen Marrëveshja Kosovë-Serbi?!…
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç në një intervistë dhënë TVS, më datën 8 maj 2020 lidhur me Samitin e Zagrebit deklaroi: “Unë nuk do të shkruaj kurrë me dorën time njohjen e Kosovës… Nëse serbët kanë dikë që mund ta bëjë një gjë të tillë, le ta zgjedhin, zgjedhjet presidenciale do jenë në më pak se një vit.” Qëndrimi i tij dhe i udhëheqjes serbe ka qenë dhe mbetet i pandryshueshëm: “Nuk do të pranojmë pavarësinë e Kosovë, do të punojmë parreshtur për zhbërjen e pavarësisë së saj.” Pra njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia është parakushti, hapi i madh dhe i guximshëm për Marrëveshjen e Paqes Kosovë-Serbi.
2. Maqedonia dhe Greqia nuk kanë pretendime teritoriale ndaj njëra-tjetrës. Serbia në Kushtetutën e saj ka paragrafin e betimit të Presidentit: “Betohem se do të ushtroj të gjithë fuqinë që më jep Kushtetuta për ruajtjen e sovranitetit të tërësisë territoriale të Serbisë, përfshirë Kosovën dhe Metohinë si pjesë thelbësore përbërëse e saj”. Pra i duhet të bëjnë ndryshime në Kushtetutën e saj. Udhëheqja e lartë shtetërore serbe vazhdon avazin e vjetër, duke mbrojtur tezën e vjetër se Kosova është zemra e Serbisë dhe kosovarët janë shqiptarë që jetojnë jashtë atdheut të tyre. Edhe Kisha Ortodokse Serbe vazhdimisht ka mbrojtur idenë se serbët nuk kanë hequr dorë nga Kosova dhe nuk janë penduar për krimet atje: “Kosova dhe Serbia për ne serbët janë pjesa më e shenjtë, aty është zhvilluar e gjithë historia e popullit tonë. Është zhvilluar kultura dhe ana jonë shpirtërore. Numri i madh i shenjtorëve që ne nderojmë në kishën tonë është nga kjo krahinë”.
Gjithashtu kënga serbe “Vitin tjetër në Prizren”, e cila këndohet në të gjitha hapësirat serbe është thirrje për luftë, jo për paqe:

“Kosova është fara prej së cilës unë kam mbirë,
Burimi dhe shtrati prej të cilit populli ka rrjedhur…
Betimi i Kosovës, i cili do të zgjatë për gjithmonë…
Zemra e atdheut tim, esenca e personalitetit tim…
Shpirti ytë i lënduar,
Tokë e shenjtë prej Qiellit e blerë.
Lulëkuqet do të na ringjallën,
Kremtën, vitin tjetër në Prizren”.
Kërcënimet e Vuçiçt shkojnë edhe më tej: “Do të fitojmë pavarësinë dhe tërë territorin e saj të plotë”. Për të realizuar këtë Serbia po armatoset çdo ditë.
3. Marrëveshja Maqedoni-Greqi u nënshkrua nga një lidership i ri – Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, të cilët hapën një epokë të re në marrëdhëniet dypalëshe. Situatë tjetër është në Serbi. Kanë kaluar plot 21 vjet nga shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve të Kosovës nga pushteti serb, por as strukturat e larta shtetërore të Serbisë, as Akademia e Shkencave të Serbisë nuk kanë kërkuar falje për gjenocidin ndaj shqiptarëve të Kosovës. As nuk janë ndëshkuar urdhëruesit dhe ekzekutorët. Pikërisht gjeneralët vrasës, oficerët gjakpirës, ushtarët dhunues, paraushtarakët e droguar, plaçkitës e zjarrvënës u rritën në përgjegjësi dhe u dekoruan me motivacionin “Shembuj të Heroizmit e Patriotizmit”. Kur mungon institucioni i faljes duhet bërë kujdes dhe duhet treguar vigjilencë e lartë, sepse pasardhësit e Millosheviçit, të Sheshelit, të Arkanit po t’u jepet mundësia përsëri ushtrojnë gjenocid ndaj shqiptarëve të Kosovës. Atje e kanë mendjen… Barku që e polli nacionalizmin e çmendur e të sëmurë të Millosheviçit ende nuk është shterpëzuar. Është po ajo klasë politike në Serbi sot që ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve në dekadën e fundshekullit XX. Presidenti Vuçiç ka qenë Ministër i Informacionit në kohën e Millosheviçit, po qeveris në koalicion me Ivica Daçiç, kryetar i Partisë Komuniste të Millosheviçit. Në krye të ushtrisë janë gjeneralët që organizuan shpërnguljen e madhe të shqiptarëve, në diplomaci ata që mbrojtën në kancelaritë botërore gjenocidin serb ndaj shqiptarëve.
4. Marrëveshja Maqedoni-Greqi i hapi rrugë anëtarësimit të Maqedonisë në NATO (tashmë është anëtare me të drejta të plota e saj) dhe perspektivës së saj për në BE. Serbia po e pengon anëtarësimin e Kosovës në OKB dhe në organizatat e tjera ndërkombëtare dhe rajonale, duke patur edhe mbështetjen e Rusisë. Gjithashtu Serbia po e pengon Kosovën të jetë një shtet normal. I ka marrë tapitë e tokave, dokumentacionin për pensionet, dokumenta të tjera të rëndësishme. Duke i dhënë kompetenca legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore Asociacionit të Ri të Komunave Serbe synohet krijimi i një minishteti serb brenda territorit të Kosovës.
5. Është një marrëveshje e sinqertë midis dy popujve miq, pa urrejtje për njëri-tjetrin Marrëveshja e Maqedonisë me Greqinë. Situatë tjetër është në Serbi. Forcat destruktive atje (e nuk janë pak) nuk kanë hequr dorë nga urrejtja për shqiptarët. Dëgjohen herë pas here në sheshe, në stadiume, në manifestime, në protesta thirrjet: “Ubij, zakalji, da Siptár ne postaju” që në shqip do të thotë: “Vrit, prej që shqiptari të mos ekzistojë”. Udhëheqja e lartë serbe nuk është e sinqertë përsa i përket Marrëveshjes me Kosovën as me veten e saj, as me popullin e saj, as me shqiptarët, as me faktorin ndërkombëtar. Dinakëria, demagogjia, mashtrimi, pasinqeriteti – janë elementët që zotërojnë në propagandën dhe retorikën e saj për Kosovën. Aleksandër Vuçiç thotë se nuk ka asnjë ide sesi do të jetë zgjidhja e mosmarrëveshjes mes Serbisë dhe Kosovës. Nuk thotë të vërtetën me qëllime të largëta e të përcaktuara politike dhe për përfitime territoriale. Ai gjithnjë ka përsëritur tezën e tij konstante se nuk mund të arrihet një Marrëveshje Kosovë-Serbi pa përfituar Serbia. Pa e marrë veriun e Kosovës. Aspirojnë dhe e kanë në planet e tyre krijimin e Serbisë së Madhe. E tha vetë ai në takimin me serbët në Mitrovicën e Veriut: “Serbia do të jetë më e madhe”. Kryeministrja serbe Ana Brnabiç hiqet sikur nuk e di ç’është gjenocidi. Ajo e di shumë mirë, por nuk do ta dijë. Sipas saj: “Gjenocidi është kur ju jeni… duke vrarë gjithë popullsinë, gratë, fëmijët dhe kjo nuk ka ndodhur”. Siç duket asaj nuk po i mjaftojnë, pse politika serbe nuk ka arritur t’i vrasë të gjithë boshnjakët në Bosnje e Hercegovinë, të gjithë shqiptarët në Kosovë e kroatët në Kroaci e që pastaj udhëheqësit e Beogradit ta quanin gjenocid. Qëllimisht hiqen sikur nuk e dinë ç’është gjenocidi për të mos e dënuar gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës.
6. Maqedonia plotësoi kërkesën e Greqisë për ndryshimin e emrit, pra i bëri lëshimin që kërkonte pala greke. Po Kosova a i ka bërë lëshime Serbisë? Po. Ka pranuar Planin e Ahtisarit, duke pranuar kufijtë ekzistues të saj, por duke lënë jashtë territorit shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe duke pranuar mosbashkimin me Shqipërinë. Nuk është pak… Duhet marrë në konsideratë nga faktori ndërkombëtar, i cili presionin duhet ta bëjë mbi Serbinë, jo mbi Kosovën, e cila është e martirizuar nga Serbia në shekuj.

*Autori është përgjegjës i Departamentit të Shkencave Politike në Universitetin Mesdhetar të Shqipërisë.

SHKARKO APP