Mohimi i krimeve të luftës është një mekanizëm psikologjik mbrojtjeje

Shtete dhe grupe etnike në Ballkan vazhdojnë të mohojnë se trupat e tyre kryen krime lufte, në një përpjekje për t’iu shmangur përgjegjësisë morale duke fajësuar palën tjetër dhe duke penguar kështu mundësinë për pajtim.

Nga Loic Tregoures

Ministri serb i mbrojtjes Aleksandar Vulin shkaktoi një polemikë më herët këtë muaj duke lavdëruar kriminelin e liruar të luftës Vladimir Lazareviç, ish-shef i shtabit të Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë Jugosllave, i cili u dënua me 15 vjet burg nga Gjykata e Hagës për rolin e tij gjatë sulmit në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Vulin jo vetëm që e lavdëroi Lazareviçin, por deklaroi gjithashtu se ai do të ishte një profesor i shkëlqyer për kadetët ushtarakë të Serbisë dhe se kishte ardhur koha që serbët të mos turpëroheshin nga ata që i mbrojtën, por «të ishin krenarë për ta».

Që Lazareviç është një njeri i lirë dhe e shleu dënimin e tij, siç theksoi kryeministrja Ana Bërnabiç, ai ka absolutisht të drejtë.

Megjithatë, nuk është ky thelbi dhe Bërnabiç e di këtë. Thelbi është nëse Lazareviç duhet të trajtohet si një hero kombëtar. A duhet të shërbejë ai si një model për t’u ndjekur dhe të jetë profesor për një brez të ri ushtarësh serbë?

Këto pyetje na çojnë në atë që psikologët e quajnë disonancë kognitive. Domethënë, nëse shumica e serbëve i shohin Lazareviçin, Veselinin, Slivançaninin, Nikola Sainoviçin dhe madje edhe Sllobodan Millosheviqin si kriminelë lufte, atëherë ata si popull, do të kishin gjithashtu përgjegjësi morale për atë që ndodhi.

Nëse këta njerëz mbrojtën popullin serb, ata s’mund të jenë kriminelë. Por nëse ata janë kriminelë, atëherë kauza për të cilën luftuan mund të ketë qenë e gabuar, gjë që është e pa konceptueshme, sepse atëherë ata do të duhej të mbartin një pjesë të fajit.

Edhe më keq akoma, vetë ministri i mbrojtjes tani po i pranon ato, duke krijuar një lidhje të drejtpërdrejtë midis kriminelëve të luftës dhe popullit serb, duke shprehur krenari për veprimet e kryera në emër të serbëve në vitet 1990.

Nëse Vulin ka ndjerë ndonjëherë turp për atë që ndodhi në vitet 1990 në emrin e tij dhe në emër të popullit të tij, sipas vetë fjalëve të tij, kjo është një çështje e hapur.

Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, u projektua që të shmangte çdo ndjenjë faji kolektiv dhe për të gjykuar individë për krimet e tyre.

Vulin nga ana tjetër po përkrahë kriminelë që vepruan «për të mbrojtur serbët», duke pranuar përgjegjësi kolektive për ata, por duke hedhur poshtë çdo faj kolektiv.

Në këtë mënyrë, autoritetet serbe po e bëjnë pothuajse të pamundur zhvillimin e ndonjë debati të sinqertë të brendshëm në lidhje me atë që ndodhi 25 vjet më parë.

Të jem i sinqertë, një mekanizëm i tillë mbrojtës psikologjik, i cili e lejon një person ose një popull të shmangë përballjen me përgjegjësitë e veta, është shumë i zakonshëm. Merrni si shembull Turqinë dhe mohimin e vazhdueshëm të gjenocidit armen.

U desh një brez gjermanësh që të nxirrnin nazistët e tyre në gjyq. U deshën 30 vjet dhe një historian amerikan që francezët t’i jepnin fund mitit të rezistencës kolektive ndaj nazistëve dhe të gërmonin në historinë e regjimit të tyre Vichy pro-nazist. U deshën 50 vjet që presidenti Shirak të pranonte përgjegjësinë e Francës në grumbullimin Vel d’Hiv që përfundoi me dëbimin dhe vdekjen e qindra hebrenjve francezë.

Edhe sot, debatet për luftën në Algjeri janë ende plot me plagë të pashëruara tek të dy palët. Thjesht, kujtoni valën e kritikave të shkaktuara nga kandidati për president Emmanuel Macron kur tha në muajin shkurt në një televizion algjerian, se kolonizimi kishte qenë një krim kundër njerëzimit.

I dërguar atje si një ushtar i ri në vitet 1950, gjyshi im dikur më tha se «ne luftuam për asgjë». Meqë ai urrente të fliste për këtë temë, s’e pyeta kurrë se çfarë donte të thoshte me këtë.

A i vinte keq që Franca humbi Algjerinë? Apo e kuptoi që bashkë me  mijëra shokë të tij u dërguan atje për të vrarë dhe për të vdekur për një kauzë që iu prezantua atij dhe shumicës dërrmuese të popullit francez e që ishte e paligjshme dhe e gabuar?

Megjithatë, njerëzit u vranë dhe u torturuan për këtë kauzë të paligjshme, që është një barrë që populli francez duhet ta pranojë.

Përveç kësaj, është gjithashtu një mekanizëm mbrojtës psikologjik t’i shohim viktimat tona si të vetmet të ligjshme ndërsa mohojmë të drejtën e tjetrit për të vuajtur.

E njëjta gjë vlen edhe për krimet e kryera. Krimet tona (nëse janë pranuar se kanë qenë krime) janë të justifikuara, ose të paktën minimizohen nga krimet e tjera kundër nesh.

Ky mekanizëm ishte gjëja e parë që kam dëshmuar gjatë përvojës sime të parë në Ballkan, në Srebrenicë dhe Bratunac, kur çdo ditë serbët vendas më kujtonin krimet e dyshuara të komandantit boshnjak Naser Oriq, një përpjekje për të zvogëluar rëndësinë e masakrave të Srebrenicës nga serbët.

Sigurisht, konteksti gjithmonë ka rëndësi, por një krim lufte mbetet një krim lufte dhe nuk mund të justifikohet ose të shërbejë si justifikim për një tjetër krim lufte.

Që të jem përsëri i drejtë, ky mekanizëm nuk është aspak specifik për serbët dhe shpesh përdoret në rajon edhe nga zyrtarët e lartë si dhe nga njerëzit e zakonshëm, për të zhdukur ose zvogëluar krimet e luftës, siç janë ato të kryera kundër serbëve në vitin 1995 në Kroaci ose në vitin 1999 në Kosovë.

Është e qartë se ka një konfuzion të thellë në lidhje me dallimin midis hakmarrjes dhe drejtësisë, edhe më shumë sepse gjykata që supozohej të sillte drejtësi dhe më pas pajtim, ICTY, nuk është më e besueshme nga populli lokal.

Për këtë ka arsye të ligjshme.

Merrni për shembull Ante Gotovinën, i cili fillimisht u dënua me 24 vjet burg, por më pas u lirua nga akuzat. Merrni Ramush Haradinajn, u lirua dy herë nga akuzat falë një epidemie fatkeqe të zhdukjeve të dëshmitarëve. Merrni Vojislav Sheshelin, i liruar nga akuzat pas 13 vjetësh duke qenë pjesë e një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale, kur vetëm disa ditë para kësaj, në vendimin e gjyqit të Radovan Karaxhiqit, Shesheli u përmend si pjesë e sipërmarrjes së përbashkët kriminale.

Merrni për shembull Jovica Stanishiqin dhe Franko Simatoviqin. Gjyqi i tyre bëri një lidhje të drejtpërdrejtë midis regjimit serb dhe milicisë paraushtarake në fushën e betejës. Ata i dhanë urdhra, para dhe armë Arkanit dhe burrave të tij, e megjithatë u liruan nga akuzat – edhe pse lirimi i tyre nga akuzat u rrëzua nga Gjykata e Hagës dhe ata u dërguan për rigjykim.

Ajo që është në rrezik me rastin e tyre është tepër e rëndësishme. ICTY bëri të mundur përcaktimin e mijëra fakteve dhe të gjithë ata që kërkojnë të vërtetën duhet të jenë mirënjohës për këtë. Tani e dimë saktësisht se kush bëri keq dhe kur ndodhi kjo.

Megjithatë, nëse Stanishiqi dhe Simatoviqi do të lirohen përsëri nga akuzat, kjo do të nënkuptojë se s’mund të mbështetemi më te ICTY-ja për të shkruar një narrativë intelektuale dhe historikisht të saktë të luftërave.

Lirimi i tyre nga akuzat do të nënkuptonte se Gjykata e Hagës i kishte ulur luftërat në një sasi krimesh të kryera nga individë, duke mohuar idenë se konfliktet kishin ndonjë projekt intelektual apo politik, duke forcuar kështu revizionizmin zyrtar në rajon.

Fatkeqësisht, revizionizmi si një mekanizëm mbrojtës psikologjik nuk sjell paqe dhe pajtim, por më tepër grindje, zemërim dhe ndasi.

Në afatin më të gjatë, është shumë shqetësuese që brezave të parë të fëmijëve të lindur pas luftërave u mësohen narrativa revizioniste, kur është pikërisht ky brez që duhet të vërë në pikëpyetje zgjedhjet e prindërve të tij.

Prandaj, sa i përket mirëkuptimit të ndërsjellë dhe pajtimit, dhe duke pasur parasysh se trashëgimia e ICTY-së është shoqëruar me mosbesim, duket më e rëndësishme se kurrë të mbështetet nisma e komisionit rajonal të së vërtetës RECOM, dhe të kemi një platformë që çdo viktimë të dëgjohet dhe të njihet si i tillë pavarësisht nga përkatësia e tij etnike.

Duke folur, duke pranuar vuajtjen e tjetrit dhe duke e parë tjetrin si një person që ka humbur gjithashtu shpresën dhe të afërmit, është hapi i parë për t’u përballur me këtë traumë fizike dhe psikologjike me të cilën mijëra njerëz ende po luftojnë.

Nisma e RECOM për të ngritur komisionin e së vërtetës u citua në deklaratën përfundimtare të Samitit të Triestës për Ballkanin Perëndimor, korrikun e kaluar. Zbatimi i saj nga vendet kandidate të BE-së (edhe Kroacia) duhet të interpretohet si një detyrim në Kapitullin 23 të legjislacionit të zgjerimit të BE-së, kapitulli mbi sistemin gjyqësor dhe të drejtat themelore.

Përveç kësaj, edhe pse varre masive zbulohen rregullisht, kjo nuk është si rezultat i përpjekjeve të vërteta dhe të sinqerta për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur. Dokumentet janë ende të fshehura, dëshmitarët heshtin ende, qindra trupa janë ende të varrosur sa andej këndej, familjet vuajnë ende, në pamundësi të mbajnë zi me dinjitet për të afërmit e tyre.

Prandaj, përsa i përket kushtëzimit në lidhje me procesin e zgjerimit të BE-së, nisma e RECOM dhe çështja e personave të zhdukur duhet të trajtohet nga Komisioni Europian dhe shtetet anëtare në të njëjtën mënyrë që ishte arrestimi dhe ekstradimi i kriminelëve të luftës në ICTY.

Po ashtu, asnjë kriminel lufte nuk duhet të jetë në gjendje të ketë një post në politikë apo ushtri pasi kanë kryer dënimin e tyre me burg, edhe pse problemi i vërtetë është se vetëm një numër i vogël mbrojtësish të të drejtave të njeriut (shpesh femra) e kanë problem praktikën e kriminelëve të luftës që kanë ndikim politik.

Për aq kohë sa revizionizmi mbetet narrativa zyrtare në rajon, e përdorur për t’i shpëtuar përgjegjësive individuale dhe kolektive dhe për të përballuar disonancën kognitive të të gjithëve, mësimi i vërtet i BE-së, periudha më e gjatë e paqes në një kontinent të shoqëruar prej shekujsh me luftëra, do të vazhdojë të injorohet.

A mundet një vend të jetë anëtar i një organizate, mesazhin kryesor të të cilës ai nuk e kupton apo përqafon?

Dr. Loic Tregoures është një shkencëtar politik, i specializuar në marrëdhëniet midis sportit, politikës dhe identiteteve në hapësirën post-Jugosllave. Ai jep mësim shkenca politike në Universitetin Katolik të Lille, Francë.

SHKARKO APP