MPJ e Maqedonisë konfirmon se Beg Rizaj e Mirsad Ndrecaj janë kapur të gjallë
Ministria e Jashtme e Maqedonisë e konfirmoi autenticitetin e dokumentit të publikuar nga televizioni Alsat M para 3 ditësh, përmes të cilit MPJ-ja e kishte njoftuar ambasadën e Kosovës se mes personave të arrestuar nga policia gjenden edhe Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, të cilët më vonë rezultuan të vdekur.
“Ajo ishte listë preliminare, e të gjithëve në identifikim dhe ne si Ministri e Jashtme e kemi marrë për përdorim të mëtutjeshëm. Atë e përcollëm edhe deri tek Ambasada e Kosovës në Shkup”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ministrisë së jashtme për televizionin Alsat M.
Në këtë listë preliminare që e quan MPJ nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë që humbën jetën gjatë aksionit por qëndrojnë ata të Mirsad Ndrecajt dhe Beg Rizaqjt.
Nga dikasteri i Nikolla Poposkit nuk japin asnjë shpjegim për fatin e dy kryesuesve të grupit të Kumanovës. Alsat M iu drejtua sot me të tjera pyetje Ministrisë së Jashtme, se si ka ndodhur që në momentin e shkresës zyrtare të dërguar institucioneve kosovare, Shkupi zyrtar ka thënë se Rizaj dhe Ndrecaj janë të gjallë dhe të arrestuar, ndërsa vetëm pak ditë më vonë Ministria e Brendshme njoftoi se të dy gjenden në mesin e viktimave.
Alsat M pyet gjithashtu MPJ-në se pse në këtë listë preliminare që është dërguar 3 ditë pas aksionit në Kumanovë nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë që kanë humbur jetën gjatë aksionit, Xhafer Zymeraj, Valon Kabashi, Turgaj Gashi, Arben Rexhaj, Sami Kastrioti, Hisen Rushiti, Fatlum Vishesela dhe Nusret Kaloshi.
Deri në këtë moment nuk kemi marrë përgjigje plotësuese nga Ministria e Jashtme edhe pse premtuan se do të përgjigjen brenda ditës. Ambasadori i Kosovës në vend Ylber Hysaj nga ana tjetër vazhdon të heshtë dhe të mos bashkëpunojë me mediat për të zbardhur të vërtetën e plotë rreth dokumentit të adresuar për të nga institucionet e Shkupit.
Për të tretën ditë me radhë Alsat M kërkon qëndrim prej tij, por kjo është përgjigjja e vetme që morëm sot.
Hysa si duket për fundjavë ka zgjedhur të qëndrojë në Greqi, ndërsa ne do të vazhdojmë të presim kthimin e tij dhe përgjigjen e tij lidhur me këtë rast. Dokumenti i Ministrisë së Jashtme drejtuar ambasadës së Kosovës ku thuhet se Komnadant Nato dhe Komandant Begu janë të arrestuar, mban datën 12 maj, ndërsa vetëm një ditë më vonë, Ministria e Brendshme përmes një komunikate zyrtare për mediat i shpalli të vrarë të dy kosovarët.
Zbardhja e të vërtetës për rastin e Kumanovës mund të bëhet vetëm me hapjen sërish të një hetimi mbi ngjarjet e 9 dhe 10 majit. Deri tani zyrtarisht një gjë të tillë nuk e ka kërkuar askush. Hetim të ri mund të kërkojnë autoritet e Kosovës por edhe ato të vendit, të cilët deri tani nuk kanë treguar gatishmëri për një gjë të tillë.