Mustafa dënon sulmin e VV ndaj ministrit Kuçi

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dënoi sulmin me vezë të aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi.

Ai deklaroi se asgjë nuk mund t’i shtyjë që të tërheqin marrëveshjet e arritura në Bruksel. Mustafa i quajti aktivistët e Vetëvendosjes që kanë gjuajtur me vezë ministrin Kuçi, si njerëz të ligj dhe burracakë.

Përmes një njoftimi zyrtar qeveria e Kosovës e dënoi ashpër sulmin ndaj ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, të kryer të premten nga Lëvizja Vetëvendosje. “Veprimet e tilla të dhunshme, rrezikojnë shëndetin dhe dinjitetin e përfaqësuesve të institucioneve legjitime të Kosovës dhe kanë për synim të frenojnë progresin dhe proceset integruese evropiane të Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratën e dërguar.

Theksohet se, “ky akt i ulët i kryer në ditët kur Republika e Kosovës, pas nënshkrimit të MSA-së është në prag të anëtarësimit në UNESCO dhe pret liberalizimin e vizave, dëshmon përpjekjet e Lëvizjes Vetëvendosje për të penguar dhe pamundësuar realizimin e interesave madhore të Kosovës, duke përfshirë edhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të Kosovës në vendet e BE-së”.

Qeveria e Republikës së Kosovës i bën thirrje përfaqësuesve të tjerë opozitarë që të distancohen dhe të mos bëhen pjesë e kësaj axhjende antishtetërore, dhe që së bashku me të gjithë qytetarët e Kosovës, të jenë pjesë e angazhimeve për zhvillim ekonomik, sundim të rendit dhe ligjit, integrim në struktura euroatlantike dhe fuqizim të subjektivitetit ndërkombëtar, në partneritet të përhershëm me SHBA-të dhe vendet e BE-së.

 “Qeveria e Kosovës, po ashtu fton organet kompetente që të marrin masa në parandalimin dhe ndjekjen e autorëve të akteve të tilla të dhunshme dhe të ulëta”, përfundon deklarata.

SHKARKO APP