Mustafa: Kosova e meriton të jetë pjesë e UNESCO-s

 Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri i parë, njëherësh ministër i Jashtëm, Hashim Thaçi, u takua në Nju Jork me sekretarin për Marrëdhënie me Shtete të Selisë së Shenjtë, Paul Richard Gallagher.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e njohu për progresin në Kosovë, duke shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në UNESCO.

“Kosova, si një shtet evropian dëshiron të jetë pjesë e programeve shkencore, arsimore si dhe të mbrojtjes së trashëgimisë kulturore në kuadër të UNESCO-s. Rinia kosovare e meriton të jetë pjesë e këtyre programeve, duke qenë se ndan të njëjtat vlera si të gjithë të rinjtë e tjerë të Evropës”, tha kryeministri Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa e falënderoi sekretarin Gallagher për përkrahjen që Selia e Shenjtë ka dhënë për Kosovën për dekada të tëra, duke theksuar marrëdhëniet që kanë ekzistuar ndërmjet Kosovës dhe Selisë së Shenjtë që nga koha e presidentit historik të Kosovës, Ibrahim Rugova.

Mustafa shprehu përkushtimin e qeverisë së Kosovës për thellimin e bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë, duke kërkuar shqyrtimin e mundësisë së njohjes së Kosovës.

SHKARKO APP