NATO: Dialogu Kosovë-Serbi, mënyra e vetme për zgjidhje politike në Ballkanin Perëndimor

Avdullah Hoti from Kosovo visits NATO and meets with NATO Secretary General Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg ka pritur sot në takim në Selinë e NATO-s në Bruksel, kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti.

Gjatë këtij takimi u diskutua mbi zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor.

“Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg përshëndeti raundin e fundit të bisedimeve të ndërmjetësuar nga BE-ja, në mes Beogradit dhe Prishtinës i cili u zhvillua të hënën në Bruksel, duke nënvizuar se dialogu është mënyra e vetme për të arritur një zgjidhje të qëndrueshme politike në Ballkanin Perëndimor”, thuhet në njoftimin për media.

Stoltenberg dhe Hoti diskutuan gjithashtu për marrëveshjen e arritur në Uashington për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Beogradit dhe Prishtinës.

Stoltenberg theksoi se NATO është e vendosur për stabilitetin në Ballkanin Perëndimor përmes forcës paqeruajtëse të KFOR-it me 3.500 trupa në Kosovë.

Ai shtoi se mandati i KFOR-it mbetet i pandryshuar: të mbajë një mjedis të sigurt dhe të siguroj lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit në Kosovë, në përputhje me Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 1244 të vitit 1999.

Duke folur për pandeminë COVID-19, Sekretari i Përgjithshëm mirëpriti që Aleatët dhe partnerët e NATO-s tashmë kanë siguruar mbështetje të konsiderueshme mjekësore për të ndihmuar institucionet në Kosovë dhe se KFOR-i gjithashtu po ofron mbështetje të drejtpërdrejtë në shpërndarjen e furnizimeve.

SHKARKO APP