NATO-Vuçiçit: Për misionin e KFOR-it në Kosovë vendosin aleatët

”Vendimet në NATO, përfshirë ato për KFOR-in, merren në pajtueshmëri me të gjitha 30 vendet anëtare”, tha një zyrtar i NATO-s, kur është pyetur rreth deklaratës së presidentit serb Aleksandër Vuçiç se vendi i tij ka marrë informacione nga burimet e inteligjencës, se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë të kërkojë zyrtarisht tërheqjen e forcave të KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova.

Në përgjigjen e NATO-s është thënë se aleanca veriatlantike ka kontribuuar në stabilitetin e Ballkanit Perëndimor për shumë vjet dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për rajonin. ”Misioni ynë i KFOR-it ka për bazë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të vitit 1999, për të ofruar ambient të sigurt dhe liri të lëvizjes për të gjitha komunitetet që jetojnë në Kosovë”, është thënë mes tjerash në përgjigjen e zyrtarit të NATO-s.

Vuçiç u ka thënë të enjten gazetarëve në Beograd se nuk mund të thotë se për cilën fuqi bëhet fjalë, porse informacionet janë nga “burimet zyrtare”. Vuçiç ka thënë po ashtu se do të përpiqet të flasë për këtë çështje me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilin pritet të takohet më 17 maj në Bruksel.

”Kemi marrë informacione se një nga fuqitë e mëdha së shpejti do të fillojë një kërkesë zyrtare për tërheqjen e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova. Do të përpiqem të flas me Stoltenbergun për të bërë gjithçka të mundur që kjo të mos ndodhë”, ka thënë Vuçiç të enjten. Sipas tij, tërheqja e KFOR-it dhe UNMIK-ut nga Kosova do të ishte “një katastrofë”.

SHKARKO APP