Ndalimi i tifozëve, Moska thërret për sqarim ambasadorin francez

Ambasadori francez në Rusi, Jean Maurice Ripert është thirrur në një takim nga Ministria e Jashtme ruse, në lidhje me ndalimin e djeshëm të një grupi tifozësh rusë që po shkonin nga Marseja për në Lile për ndeshjen e radhës të kombëtares ruse.

Lajmin e bën të ditur agjencia e lajmeve online, Sputnik, e njohur për qëndrime pro-Kremlinit, e cila nuk jep detaje mbi takimin e zhvilluar.

Lajmin për ndalimin e autobusit e bëri të ditur të martën Alexander Shprygin, drejtues i Sindikatës Ruse të Tifozëve.

Shprygin deklaroi se ai dhe 28 përfaqësues të tjerë të një grupi tifozësh ishin ndaluar në afërsi të Kanës dhe ishin vendosur në një autobus për t’u larguar, edhe pse sipas tij nuk kishin shkelur asnjë ligj në Francë dhe nuk ishin përfshirë në ngjarjet e Marsejës.

Të njëjtën ditë, autoritetet franceze nisën dëbimin e grupeve të tifozëve rusë nga vendi, pas skenave të vazhdueshme të dhunës gjatë turneut Euro 2016.

Policia franceze fajësoi 150 shtetas rusë “të mirëstërvitur” për përleshje, përpara se të luhej ndeshja Angli-Rusi në Marsejë. Edhe Kryeministri francez Manuel Vals deklaroi se, “disa tifozë nuk mund të qëndrojnë në territorin kombëtar”.

SHKARKO APP