Ndihma japoneze për Komunën e Bujanocit

Përfaqësuesit e Ambasadës së Japonisë në Beograd, gjatë ditës së premte, të 27 janarit, vizituan Komunën e Bujanocit, të cilës në shenjë donacioni i dhuruan, një auto-ambulancë dhe një auto-cisternë.

Ky donacion japonez, në vlerë prej110 mijë euro, do të jetë në disponim të Ndërmarrjes Publike “Komunalia” dhe shtëpisë së shëndetit.

Njeriu i parë i Komunës së Bujanocit, Shaip Kamberi, në një konferencë për gazetarë, falënderoi sekretarin e parë të Ambasadës së Japonisë në Beograd, Yamato Masayoshi dhe popullin japonez për ndihmat, që po japin për Komunën e Bujanocit.

“Shpresojmë që bashkëpunimi i jonë të intensifikohet edhe më shumë në të ardhmen. Jemi duke u përgatitur për konkurset e radhës, ashtu që të jemi përfitues edhe më tej nga Ambasada e Japonisë në Beograd”, u shpreh Kamberi.

Ndërkaq, Yamato Masayoshi, vlerësoi lartë punën e pushtetit lokal, për mirësjellje e kujdesi ndaj emigrantëve nga lindja, të cilët kaluan nëpër territorin e Komunës së Bujanocit.

Vlen të ceket se ndihmat e popullit japonez, për Komunën e Bujanocit, kanë qenë të pranishme edhe në të kaluarën, falë bashkëpunimit të sinqertë të autoriteteve të Komunës së Bujanocit me Ambasadën e Japonisë, të akredituar në Beograd./Sevdail Hyseni/

SHKARKO APP