Ne i respektojmë gratë e dhunuara në luftë vetëm kur ato nuk janë gratë tona

Nga Berat Buzhala –
Dy ditët e fundit jam përfshirë fizikisht dhe mentalisht në këtë temë. Kjo ndodhi për shkak të një interviste që e dha në Frontal, në T7 një grua që ishte përdhunuar në fillimin e vitit 1999 nga forcat serbe. Ajo çfarë më bëri përshtypje ishte fytyra e saj e mbuluar dhe zëri i saj i deformuar, në mënyrë që të mos njihej. A është e mundur kjo? Jemi në vitin 2019, kanë kaluar plot 20 vjet, kurse dikush duhet të vazhdojë të mbulohet dhe të turpërohet për një krim që nuk e ka kryer. Agresori vazhdon të mos e mbulojë fytyrën. Me fytyra të pambuluara dhe me zë të padeformuar vazhdojnë të shfaqën 60 mijë veteranët e UÇK’së, komandantët e tyre dhe të gjithë ne burrat që nuk patëm fuqi t’i mbronim gratë tona.

A është e mundur që ne të gjithë i duam dhe i respektojmë gratë e dhunuara – me një kusht? Që ato të mos i takojnë rrethit tonë të ngushtë familjar. Në Kosovë flitet që janë rreth 20 mijë gra të dhunuara. Për ato secili prej nesh ka simpati dhe empati maksimale. Përveç familjeve të tyre. Pra një grua e dhunuar është e mirë, është viktimë e pasioneve shtazarake të një grupi kriminelësh, për sa kohë ajo nuk është nëna ime, motra ime, vajza ime dhe bashkëshortja ime. Nëse është, atëherë është deri diku fajtore. Nëse për asgjë tjetër, atëherë është fajtore përse në ditën e caktuar ka rastisur në vendin e caktuar, kur aty ishte një kriminel.

Nëse nuk është kështu, atëherë si është e mundur që askush, bash askush, nuk e mori nënën, vajzën, motrën, ose bashkëshorten për dore, për të shkuar në një studio televizive, për të treguar bashkërisht horrorin e përjetuar?

A është e mundur, ose si shpjegohet, që dikush e urren krimin e caktuar, kriminelin që e ka kryer atë, por njëkohësisht edhe viktimën?

Për këtë temë, për agresionin seksual të forcave serbe ndaj femrave shqiptare të Kosovës, që nga paslufta ne kemi qenë të përgatitur që të diskutojmë vetëm në rrafshin teorik. Në takime të ndryshme ndërkombëtare, për të përfituar politikisht, nuk kemi hezituar që t’i numërojmë se kaq e aq femra janë dhunuar në vendin tonë, se forcat serbe kanë ushtruar terror mbi gratë shqiptare etj. etj. Mirëpo, në fund, dekoratat, pensionet, pushimet në deti, privilegjet në regjistrimin e veturave dhe gjëra të tjera të ngjashme janë rezervuar për 60 mijë veteranët e UCK’së. Gratë e dhunuara vazhdojnë të qëndrojnë diku të mbyllura, larg syve të opinionit publik, e tek tuk ndonjë, duke mos mundur t’i rezistojë dot presionit të jashtëzakonshëm psikik përfundon në konop.

Dy ditët e fundit jam përfshirë fizikisht dhe mentalisht në këtë temë. Kjo ndodhi për shkak të një interviste që e dha në Frontal, në T7, një grua që ishte përdhunuar në fillimin e vitit 1999 nga forcat serbe. Ajo cfarë më bëri përshtypje ishte fytyra e saj e mbuluar dhe zëri i saj i deformuar, në mënyrë që të mos njihej. A është e mundur kjo? Jemi në vitin 2019, kanë kaluar plot 20 vjet, kurse dikush duhet të vazhdojë të mbulohet dhe të turpërohet për një krim që nuk e ka kryer. Agresori vazhdon të mos e mbulojë fytyrën. Me fytyra të pambuluara dhe me zë të padeformuar vazhdojnë të shfaqën 60 mijë veteranët e UCK’së, komandantët e tyre dhe të gjithë ne burrat që nuk patëm fuqi t’i mbronim gratë tona. Dhe tash, për më tepër, këto gra edhe më tutje duhet kamuflohen. Të mos identifikohen. Ata që supozohet të kishin qenë gardianët e tyre mbrojtës, ata që sot janë bërë gati që ta zhvatin buxhetin e Kosovës, ata që jargavitën nëpër studio televizive duke klithur për të drejtat e tyre, kur forcat serbe i shembën për toke këto gra nuk ishin aty. Kishin ikur ku kokën këmbët. Kishin vendosur që ta shpëtonin lëkurën, duke i hutuar policinë serbe me trupat e grave të tyre, grave tona, nënave tona. Disa krime nuk e humbin kurrë peshën e tyre. Shekspiri thotë që komedia nuk është asgjë tjetër përveç tragjedia plus koha. Mirëpo unë nuk kam dëgjuar kurrë dikë që të bëjë komedi me përdhunimin e një gruaje. Kuptohet, përvec PDK’së tash së fundmi.

Nënshtrimi që i bëhet një femre, mënyra se si ajo zaptohet, se si ajo gjunjëzohet, poshtërohet, veç pse është më e pafuqishme, është e pakrahasueshme më ndonjë krim tjetër. Është akt edhe më i ultë se sa ta vrasësh dikë me duar të lidhura. Përveç krimit, në rastin e përdhunimit, është edhe elementi i përçmimit dhe përbuzjes. Agresori, në këtë rast, mbi trupin e viktimës e sheh gjithë palën armike. Në pamundësi që të përballet me burrat e palës tjetër, të cilët në rastin tonë kishin ikur, ai vendosë që të shfryhet më cfarëdo që i del përpara.

Me këto mendime në kokë sot e takova mysafiren e djeshme të T7’shit, të emisionit Frontal, e cila, mbi të gjitha, sikur dhunimi të mos kishte qenë mjaft sa për t’u përbuzur nga familja, kishte mbetur edhe shtatzënë. Ajo sot e ka një vajzë 20 vjecare, e cila ide nuk ka që babai i saj biologjik kishte qenë thjesht një përdhunues. Sipas traditës, pasluftës, kjo grua ishte braktisur nga familja. Kishte mbetur fikall vetëm me disa fëmijë. Kur jeta është e keqe ajo është mjaft e gjatë. E tillë është edhe për këtë grua. Hendeku ku ajo ka sharruar ka qenë i pafundmë. Pa mbështetje, pa dashuri, me një tufë fëmijësh, pa punë, plus komplikimet tjera që t’i sjellë jeta.

“Mos hajde te shpia, se kur të shohin kojshia dyshojnë”, kështu më tha. Vec kjo fjalë t’i prenë të dyja këmbët. Imagjinojeni për një moment jetën që ju e bëni. Për ju fqinji është thjesht një njeri i mirë, ose i keq, por që nuk do të thotë pothuajse asgjë më tepër. Për këtë grua fqinji është shumë më tepër se sa kaq.

“Dyshojnë cka”, i thash unë. Fytyra e saj e bardhë por e vrarë, sytë e saj të bukur, i thanë të gjitha. I rrudhi buzët, ju mbushën sytë me lot dhe u mbështet në mua. Në atë moment e pyeta vetën: Athua sa herë në këto 20 vjet është gjendur në këtë pozitë? Sa herë në këto 20 vjet e ka mbështetur kokën e saj në një situatë të tillë? Ose, sa herë në këto 20 vjet e ka fshehur kokën e saj?

Ajo nëpër çfarë ka kaluar kjo grua është edhe tragjedi edhe heroizëm. Ajo jeton jo përse kjo jetë i pëlqen, por sepse i duhet që t’i kalojë fëmijët e saj në anën tjetër të lumit, për të mos i braktisur, siç ajo vetë është braktisur. Ajo, deri më tash, i ka rritur këta fëmijë me dy duart e saja. Mund të themi që i ka rritur në Kosovën tonë të lirë dhe të pavarur, por në ilegalitet. Ti që po e lexon, ti që jeta të përplasë me lloj-lloj vështirësish, lloj-lloj humbjesh, sigurisht që në një moment të caktuar e pyet vetën: A është jetë kjo? E tash, gjithë kësaj situate, duhesh t’ia shtosh edhe jetën në ilegalitet, jetën e jetuar me standarde të dyfishta dhe të trefishta. Bie fjala, disa fëmijë e dinë që një motër e tyre ka ardhur në jetë nga një përdhunim shtazarak, mirëpo ajo vetë nuk e di këtë gjë. Disa anëtarë të tjerë të familjes e dinë, disa të tjerë jo. Disa dajallarë e dinë, disa jo. Baba ka ikur me bisht nën shalë. Fqinjët vëzhgojnë dhe pyesin vetën se kush është kjo grua që kohë pas kohe vizitohet nga njerëz të çuditshëm? Kush është kjo grua, shtëpinë e të cilës e kanë blerë disa të huaj në një akt të pastër human? Kjo është pjesa heroike e saj. Kjo është pjesa që të gjithë ne do të dështonim ta përmbushnim. Ne rrëzohemi për toke edhe nëse paga na del dy tri ditë me vonesë, e jo me datën 31. Kurse kjo grua nuk merr pagë.

“Për cdo muaj mars jam shumë keq”, më tha. Do të isha idioti më i madh në botë po të mos e kuptoja se për çfarë po flet.

“Me 1999, apo”, i thash unë. Prapë e bëri atë lëvizjen me kokë, pa nxjerr zë nga goja, por, megjithatë, me sytë që i shkëlqenin.

Nuk isha i sigurt a më shumë kishte ajo dëshirë të më tregonte se cfarë kishte ndodhur saktësisht në atë ditë tragjike, a unë. Ndoshta, thosha me vetën, kjo duke treguar e liron vetën. Sigurisht që kanë kaluar 20 vjet, mirëpo ky rrëfim për të është një rrëfim i ndaluar. Kujt t’ia tregojë kur ajo është krejt e vetme? Tek tuk ndonjë gazetari, por që më shumë ka rëndësi që të mbrohet identiteti i saj se sa të thuhet rrëfimi i saj.

“E kam dhanë një intervistë në një televizion tjetër, veç shumë keq ka dalë. U dijke që është zani i jem”, më tha.

Me erdhi ta pyes, po prej kujt po ruhesh? Ata që do të duhej të të kishin qëndruar pranë, ata kanë ikur. Ne të tjerët që nuk e kemi ditur ka mundësi që do të të kishim ardhur në ndihmë. Pra, me fjalë të tjera, pse është aq e rëndësishme që të mos e kuptojnë fqinjtë e tu? Nuk i thash, sepse nuk ishte personi i duhur për t’i shitur mend. Isha me të më shumë për ta dëgjuar se sa për t’i folur. Ose, kur e shihja që po i dridhej buza i qasesha, duke ia ofruar kraharorin tim si prehje. E kisha një dëshirë që me gjeste dhe me fjalë t’ia ofroja gjithë dashurinë e munguar në këto dy dekada. Mirëpo kjo nuk është një gjë që bëhet.

“Kemi qënë shumë gra aty”, e nisi ajo e para. Donte të më tregonte me çdo kusht atë histori.

“A nuk …. vec ty…”, po bëlbëzoja. Nuk arrija t’i formuloja si duhet frazat.

“Jo, ma e reja ka qënë 13 vjecare”, ajo. I pashë vajzat e mia. Më ra tavani mbi kokë. Nuk doja të besoja. Nuk është e mundur. Mendova që e tha gabimisht këtë numër.

“Nana provoji me e ndihmu, por e dhunuan edhe atë”, ajo.

“Qysh nana? Sa vjeçe nana?”, e pyeta i tronditur.

“Osht kanë ma shumë se 60”.

Dhe kjo nuk kishte qenë e tëra. Brenda asaj shtëpie të tmerrit ishin dhunuar edhe dy a tri gra të tjera. Ka mundësi që ka qenë orgjia kriminale më e tmerrshme që nga Lufta e Dytë Botërore. Masakër seksuale mbi gratë e braktisura. Ndoshta, dikush prej atij rajoni, e kërkon edhe statusin e veteranit të luftës.

Nuk kisha më vullnet që të dëgjoja. Nuk doja të dija detaje të tjera. Çdo gjë tjetër do të ishte e pakuptimtë.

Mirëpo, për këtë grua të vetmuar tragjedia kurrë nuk ka përfunduar. As sot e kësaj dite. Vajza e saj e madhe, kishte gabuar kur kishte menduar që e kishte gjetur një vend të punës. Ajo kishte rënë në kthetrat e një përdhunuesi, tash shqiptar, i cili që në ditën e tretë të saj të punës kishte provuar që ta imitonte serbin e armatosur të vitit 1999.

“E ka dëgju gruaja e tij vajzën time duke bërtitur. Ka shku e ka lajmëru policinë.”

Kur i thash që do të bëj përpjekje për t’ia gjetur vajzës së saj një vend të punës, pasi që do të bisedoja me disa miq të mi, më tha “të lutëm vetëm mos të jetë furrë e bukës”. Nuk po besoj që ka nevojë të jap shpjegime të mëtutjeshme se përse nuk duhet të jetë furrë e bukës.

Tash më kjo grua nuk ka besim në njeriun.

p.s.

Të interesuarit për t’i ndihmuar kësaj familje le të lajmërohen në emailin: berat.buzhala@gmail.com

SHKARKO APP