Nepotizmi, “kriteri” kryesor për t’u punësuar në Kosovë
Edhe pas përfundimit të studimeve, shumë të rinj në Kosovë me vështirësi arrijnë të sigurojnë ndonjë vend pune, e sidomos punë në profesionin e tyre.
Disa nga ta tashmë janë të diplomuar në degë të caktuara në universitetet publike dhe private në Kosovë, por janë në kërkim të punës apo punojnë çfarëdo pune tjetër, për t’i siguruar ekzistencën vetes dhe familjes.
Për rubrikën e përjavshme “VOX” të Radios Evropa e Lirë, disa të rinj tregojnë për vështirësitë me të cilat ballafaqohen për të gjetur një vend të lirë pune.
Ata thonë se nepotizmi dhe punësimi nëpërmjet të njohurve janë “kriteret” kryesore për punësim.
Bekim Hoti, 26-vjeçar, thotë se ka përfunduar studimet në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, por që ende vazhdon të mbetet i papunë. Ai thotë se ka konkurruar në disa konkurse, por as në intervista nuk është ftuar.
“Punë është shumë vështirë të gjesh. Ka dy vjet që kam aplikuar në shumë konkurse, si në institucione private, po ashtu edhe publike, por nuk kam arritur të punësohem”, tregon Bekimi.
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës tregojnë se shkalla e papunësisë në vend arrin 30.9 për qind, kurse 55. 3 për qind janë të rinj nga mosha 15 deri në 24 vjeç.
Ndërkaq, sipas organizatave joqeveritare, niveli i papunësisë në vend arrin rreth 50 për qind.
Në mesin e të papunëve është edhe Lumir Aliu nga qyteti i Mitrovicës. Ai thotë se është lodhur nga situata e rëndë socio-ekonomike dhe pamundësia për të gjetur një vend pune.
Kështu që Lumiri thotë se për këtë arsye do të lëshonte Kosovën për një periudhë të shkurtër kohore për vendet e Bashkimit Evropian.
“Varet prej situatës, jam lodhur nga këto kushte. Nëse do të kisha mundësi të gjej ndonjë punë jashtë Kosovës, me dëshirë do të shkoja dhe të punoja. Pastaj, sërish do të isha kthyer në vend dhe do të nisja ndonjë biznes të vogël”, thotë Lumiri.
Blerina Beqiri, studente në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, thotë se është koha e fundit që autoritetet kompetente të gjejnë forma dhe mënyra për punësimin e të rinjve.
Sipas saj, shumë të rinj, pas diplomimit, po zhgënjehen dhe po kërkojnë rrugë alternativë jashtë Republikës së Kosovës.
“Kosova nuk po tregon perspektivë për të ardhmen e të rinjve. Kështu që, problemet janë evidente, si për shkollim, po ashtu edhe për punësim. Mendoj që është koha e duhur që institucionet e Kosovës të marrin masa në këtë drejtim”, thekson Blerina.
Në anën tjetër, Kastriot Sadiku, i cili ka përfunduar studimet për Drejtësi në një nga kolegjet private në Kosovë, punon si kamerier në një nga lokalet në Prishtinë. Ai thotë se nevoja vjen para dëshirës.
Si jurist, thotë ai, është vështirë të gjendet ndonjë punë, pasi për të marrë këtë pozitë, duhet pasur ndonjë anëtar të familjes në pozitë të caktuar.
“Fati mund të ndihmojë, por shkalla e papunësisë është shumë e madhe. Unë prapë mirë meqë punoj si kamerier, natyrisht me dëshirë do të punoja si jurist. Por, së paku mundohem që të mos jem barrë e familjes. Paga që marr mjafton për shpenzimet e mia”, rrëfen Kastrioti.
Një problem tjetër që paraqitet në procesin e punësimit, është kërkesa përpërvojë pune. Ky kriter në aplikacione është diskriminues për të sapodiplomuarit, konsideron Agron Zeneli, student në vitin e dytë në Fakultetin e Shkencave Kompjuterike.
“Në sektorin privat kam konkurruar disa herë për punë, por vazhdimisht më kanë pyetur se ku kam punuar. Kam konkurruar në shumë vende pune në sektorin privat, po askush nuk pranon pa pasur përvojë pune deri tre vjet. Kjo është diskriminuese”, shprehet Agroni.
Ndryshe, edhe në raportin e fundit të Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP), shumica e qytetarëve problem kryesor paraqesin drejtimin aktual ekonomik.
Rreth 80 për qind e qytetarëve të anketuarve thonë se problemet më të mëdha, me të cilat përballet Kosova, janë papunësia dhe varfëria.
Në Kosovë thuhet se për çdo vit në tregun e punës hyjnë rreth 30 mijë persona, ndërsa tregu i punës absorbon vetëm 6 mijë sosh.
“Gazetaexpress.com”