“Nëse nuk ka marrëveshje për Presidentin mund të bjerë qeveria”, Hoxhaj: Ja frika e VV dhe LDK
Zëvendës kryeministri në detyrë i Kosovës Enver Hoxhaj e sheh mungesën e një marrëveshjeje mes Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës në mungesën e një konsensusi për Presidentin, post që pritet të ndryshojë në vitin 2021.
I ftuar në “Real Story” në News24, Hoxhaj tha se PDK, forcë politike nga e cila vjen ka qenë në garë dhe me opozitën dhe me ata që ishin në pushtet në fushatën zgjedhore e sipas tij, dy forcat që duhet të bëjnë qeverinë nuk e dinë urgjencën në të cilën është Kosova.
“Dy partitë politike fushatën zgjedhore e kishin të drejtuar kundër PDK-së dhe ne realisht kemi qenë në garë pothuajse me të gjithë, me ata që ishin në opozitë dhe me ata që ishin në pushtet. U krijua bindja se këta do ishin forca e ndryshimit. Kam përshtypjen se nuk e kanë vetëdijen e urgjencës në të cilën është Kosova. Bashkësia ndërkombëtare ka pritur një shpejtësi të re në dialog. Negocimi bëhet nga dy parti, njëra që ka kundërshtuar dialogun dhe nga LDK që ka pasur një barrë tjetër mbi supe. Kam dyshime serioze që do ketë një platformë qeverisëse të mirëfilltë që do përmbyllë procesin e shtetndërtimit në të cilën është Kosova. Të kesh plasaritje në formimin e qeverisë jo për tema programore por për tema postesh…frika kryesore e tyre është që nëse tash nuk ka një marrëveshje të mirëfilltë, në mirëbesim se kush do jetë president mund të bjerë qeveria kur të zgjidhet presidenti”, tha Hoxhaj.