Nesër situatë dramatike në Kosovë gjatë zgjedhjes së Presidentit
Policia e Kosovës i ka bërë të gjitha përgatitjet për ruajtjen e sigurisë publike gjatë ditës së premte kur është thirrur seanca e Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e presidentit të Republikës së Kosovës, raporton KosovaPress.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës Daut Hoxha deklaroi se policia i ka marrë të gjitha masat e nevojshme për ta ruajtur sigurinë e qytetarëve të Kosovës gjatë ditës së nesërme kur pritet të zgjidhet edhe i pari i vendit. Ndërkohë opozita ka bërë thirrje krejt qytetarëve kosovarë që të mbidhen nesër para parlamentit për të mos lenë, sipas atyre, zgjedhjen e Hashim Thaçit President i Kosovës. Po kështu edhe PDK e Thaçit ka ftuar simpatizantët e saj që të mblidhen para sallës së parlamentit për të festuar zgjedhjen e Thaçit. Frika e tensioni mbetet se mos përplasen palët e ftuara nesër para parlamentit kosovar.
Policia po merr masat drastike për nesër, ndonëse parashikohet se do të ketë tension dhe opozita e ka quajtur si dita më dramatike e Kosovës që pas çlirimit.
Si mendohen votat në Parlament?
Një ditë para votimit në Kuvendin e Kosovës për Presidentin e ri të vendit, Lidhja Demokratike e Kosovës ka bërë me dije se pas konsultimeve me struktura të partisë përfshirë edhe grupin parlamentar do ta votojë Hashim Thaçin President. Por, disa deputetë të LDK’së tashmë janë deklaruar se nuk do ta votojnë Thaçin për President, pavarësisht marrëveshjes LDK-PDK. Partneri i koalicionit qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka arritur t’i bindë të gjithë deputetët e vetë që nesër ta votojnë Hashim Thaçin e PDK’së për President të vendit, pavarësisht se në një njoftim për media të LDK’së thuhet që ky subjekt është dakorduar që t’i përmbahet marrëveshjes.
Kundër Thaçit President, po vazhdojnë të jenë edhe me tutje deputetët, Adem Salihaj, Vjosa Osmani, Arben Gashi, Armend Zemaj. Një qëndrim kundër Thaçit por jo përfundimtar e kanë dhënë edhe Alma Lama e Doruntinë Maloku. Po ashtu edhe deputetja Melihate Tërmkolli nuk e ka dhënë ende një mendim përfundimtar se a do ta votojë ose jo Thacin. Derisa, Fatmir Rexhepi, gjithashtu është njëri nga deputetët e LDK-së që nuk ka votuar Qeverinë e koalicionit PDK-LDK në nëntor të vitit 2014, ndërsa nuk është deklaruar asnjëherë nëse do të votojë Thaçin për president siç e parasheh marrëveshja e koalicionit.
E, partia që aktualisht drejtohet nga Isa Mustafa, LDK gjatë ditës së sotme ka lëshuar një njoftim për media me anë të së cilës shfaq bindjen e vet se deputetët e kësaj partie të premten do të votojnë në bazë të marrëveshjes politike ndërmjet PDK’së dhe LDK’së. Mirëpo, në këtë njoftim LDK nuk ka treguar askund se a do të jenë edhe deputetët që janë deklaruar kundër Thaçit pjesë e këtij votimi.
“Anëtarët e të gjitha strukturave të LDK-së, kanë kërkuar pa ekuivok nga përfaqësuesit e saj në institucionet qendrore që LDK-ja si parti me traditë të gjatë institucionale dhe me kontribut vendimtar në themelimin dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës, t’i përmbahet parimeve të saj, duke përmbushur obligimet politike e kushtetuese të dala nga marrëveshja për krijimin e institucioneve në këtë mandat qeverisës, duke përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, sipas kësaj marrëveshjeje”.
Duke iu referuar gjendjes aktuale në vend, të gjitha strukturat e LDK-së kanë kërkuar që LDK-ja, si gjithnjë, të luaj rol konstruktiv në funksionalizmin e plotë të institucioneve të shtetit dhe krijimin e kushteve për realizimin e prioriteteve dhe objektivave nacionale.
Lidhja Demokratike e Kosovës në fund të këtij njoftim ka thënë se pret që të premten të gjithë deputetët e LDK-së në Kuvendin e Kosovës të veprojnë në përputhje me marrëveshjen politike të përkrahur nga strukturat e LDK-së, në mënyrë që t’i shërbejnë funksionalizmit të plotë të institucioneve të Kosovës.