Nesho: Osmani dhe Kurti paraqesin një model lidershipi që nuk është parë deri më tani

”Vjosa Osmani dhe Albin Kurti paraqesin një model lidershipi që nuk është parë deri tani dhe ardhja e tyre në pushtet godet modelin e vjetër klientelist dhe autoritar që po zotëron në Ballkan”. Kështu thotë ish-ambasadori i Shqipërisë në OKB dhe eksperti i politikës ndërkombëtare, Agim Nesho. Diplomati mendon që Osmani heq të gjitha dyshimet që Kurti është anti-amerikan dhe shumë i majtë.

“Kjo është risia e këtyre zgjedhjeve, kemi një dyshe shumë të rinj, që nuk janë nga një spektër politik. Kurti vjen nga e majta nacionaliste, ndërsa Vjosa nga qendra e djathë. Një juriste shumë e përgatitur, një pro amerikane në thonjëza. Mendoj që mund të krijojnë një sinergji shumë të nevojshme. Por ajo që është kryesorja është që paraqesin një model lidershipi që nuk është parë deri tani.

Në këtë situatë që ka kaluar Ballkani janë rritur figurat autoritare, klienteliste që kanë punuar për mbajtjen e pushtetit të tyre. Vjen një model tjetër që ngrihet në bazë të një platforme dhe një vizioni. Ardhja e tyre nuk është vetëm një shpresë për ndryshim në Kosovë, për përmirësimin e ekonomisë, por edhe që Kosova të jetë një shtet i respektueshëm. Këta tentojnë ta bëjnë këtë gjë.

Ardhja e tyre godet modelin e vjetër klientelist ballkanik, autoritare. Presioni gjeopotik në katër vjetët e fundit është rritur në Ballkan. Në këtë kuptim zgjedhja e tyre është një heqje e gjithë dyshimeve që kanë portretizuar Kurtin sikur është anti-amerikan dhe shumë i majtë. Kjo dyshe është kompletare.”, deklaron Nesho për ”A2cnn”.

SHKARKO APP