Ngërçi në Kuvend, partitë nuk lëvizin nga pozicionet, si opsion shihet ndërhyrja e ndërkombëtarëve

Pavarësisht dështimit për herë të shtatëmbëdhjetë të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, partitë parlamentare janë ende larg arritjes së një zgjidhjeje për formimin e institucioneve pas zgjedhjeve të 9 shkurtit.
Në koalicionin Lëvizja Vetëvendosje, Lista Guxo dhe Alternativa, koalicion që ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, vazhdojnë të insistojnë në propozimin e tyre për kryeparlamentare, pavarësisht se deri tani nuk i kanë numrat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun në këtë post, ndërsa presin siç thonë, reflektimin e partive të tjera në Kuvend.
Në anën tjetër, në Lidhjen Demokratike të Kosovës, akuzojnë LVV-në si fajtore kryesore për krizën politike në vend, ndërkaq theksojnë se zgjidhja është propozimi i tyre për një qeveri kalimtare gjithëpërfshirëse.
E gjithë kjo situatë, sipas analistëve politikë, tregon nevojën që faktori ndërkombëtar të përfshihet për zgjidhjen e ngërçit të krijuar.
Deputeti i LVV-së, Artan Abrashi, thotë për KosovaPress, se, partitë e tjera në Kuvend duhet të reflektojnë dhe të votojnë për zgjedhjen e trupave të legjislativit.
Ndërkohë, deputeti i LDK-së, Ekrem Hyseni, thotë për KosovaPress, se koalicioni LVV, Alternativa dhe Lista Guxo, duhet të kuptojnë se nuk i kanë numrat për ta zgjedhur Albulena Haxhiun kryeparlamentare, andaj duhet të tejkalojë inatet dhe të gjejë një zgjidhje përmes marrëveshjes politike.
Sipas tij, kjo marrëveshje politike duhet të bëhet në bazë të propozimit të LDK-së, për formimin e një qeverie kalimtare gjithëpërfshirëse.
Në anën tjetër, analisti politik Arbnor Sadiku thotë për KosovaPress se dështimi për herë të 17-të i konstituimit të Kuvendit, është për keqardhje dhe se një gjë e tillë tregon papjekurinë e partive politike.
Ai vë në pah edhe një element që, sipas tij, është varësia e partive politike nga komuniteti ndërkombëtar për formimin e institucioneve në Kosovë.
Sadiku thotë se një gjë e tillë mund të ndodhë edhe kësaj radhe, që ndërkombëtarët të përfshihen për formimin e institucioneve.
Sipas tij, pasi LDK-ja refuzoi koalicionin me LVV-në, opsioni i vetëm mbetet koalicion qeverisës në mes LVV-së dhe PDK-së, megjithëse një gjë e tillë vazhdimisht mohohet nga të dyja palët.
Kuvendi i Kosovës, që nga 15 prilli kur është thirrur seanca konstituive, ka dështuar shtatëmbëdhjetë herë radhazi të konstituojë legjislaturën e nëntë.
Procesi ka ngecur te zgjedhja e kryeparlamentarit, pasi Lëvizja Vetëvendosje në koalicion me Guxo dhe Alternativa, nuk po mund t’i sigurojnë 61 votat për Albulena Haxhiun – e propozuar për kryetare të Kuvendit.
/Kosovapress/