Nis seanca e tretë në Hagë për ish-drejtuesit e UÇK-së/ Prokuroria: Kemi dëshmitarë, do t’i përdorim; Avokati i Thaçit: Nuk ka prova
Ka nisur ditën e sotme konferenca e radhës ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gjykatën Speciale të Hagës.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, kanë dalë para Speciales për t’u njohur mbi ecurinë e çështjes. Seanca ishte parashikuar të mbahej më 11 shkurt, por është shtyrë për sot.
Gjykatësi Nicolas Guillou paraqiti agjendën e kësaj konference, ndërsa një prokurore e Zyrës së Prokuorit të Specializuar, tregoi të rejat e fundit lidhur me procesin dhe foli edhe për dëshmitarët që do t’i përdorin gjatë gjykimit.
“ZPS-ja vazhdon të përmbush rregullat e veta lidhur me materialin. Ne po përgatisim nxjerrjen e materialeve të tjera. Parashikojmë se nxjerrja e disa materialeve mund të kërkojë masa mbrojtëse. Parashikohet që shumica e madhe e këtyre dëshmitarëve do të përdoren në gjyq. Jemi në proces, dëshmitarët dhe procat e tyre do t’i bëjmë të njohura kur të vijë koha”, tha ajo.
Pas kësaj deklarate erdhi reagimi i avokatit të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili tha se prokuroria nuk ka as të dhëna e as dëshmi të këtyre dëshmitarëve, teksa shtoi se mungojnë hollësitë lidhur me këtë çështje.
“124 dëshmitarë janë bërë të njohur, shumica e tyre me pseudonime. Nuk kemi të dhëna se për çfarë do të flasin këta dëshmitarë. Sepse kur ka dëshmitarë, duhet të ketë prova. Mungojnë hollësitë në lidhje me materialet, dhe ZPS-ja vazhdon të veprojë kështu. Mungojnë të dhënat, nuk është e dobishme mënyra se si nxirren materialet,” ka thënë ai.
Po ashtu Hooper ka thënë se materialet e nxjerra nga Prokuroria duhet t’i ndihmojë të sigurojë mbrojtjen dhe jo ti komplikojnë gjërat.
“Ndihma që mund të marrësh nga materialet, kjo ndihmë duhet të jetë si udhërrëfyes për ta ndihmuar mbrojtjen. Dhe në fund për t’i trajtuar dhe për t’i vendosur përparësitë e saj”, tha Hooper.
Zyra e prokurorit të specializuar përmes një shkrese drejtuar gjyqtarit ka kërkuar që çështja të kalojë për gjykim në shtator të këtij viti, argument që edhe më herët është hedhur poshtë nga mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së. Sipas këtyre të fundit, një kohë më e shkurtër se 18 muaj nuk u jep mundësinë që të hartojnë mbrojtjen e duhur për çështjen.
“Zyra e Prokurorit të Specializuar ka theksuar se ka adoptuar në drejtim të zbulimit të provave, një mënyrë që do të lejojë që gjyqi të fillojë në shtator 2021. Koha e përcaktuar u jep shumë muaj për përgatitje mbrojtjes për një çështje të përcaktuar qartë, ndërkohë që njeh interesat themelore të viktimave dhe dëshmitarëve të drejtësisë, në uljen e rreziqeve të ndërhyrjeve dhe frikësimeve të natyrshme në një gjykim të zgjatur,” thuhet në pikën 19 të kësaj shkrese.
Megjithatë vendimi për dërgimin e çështjes për gjykim ose jo do të merret gjatë seancës së sotme. Në Hagë përveç tyre ndodhen edhe Nesim Haradinaj dhe Hysni Gucati. Të gjithë zyrtarët më të lartë të Kosovës, akuzohen për arrestim të paligjshëm, vrasje dhe torturë, të cilat konsiderohen si krime lufte. Në aktakuzën e publikuar shkruhet se nga marsi i vitit 1998 deri në shtator të një viti më vonë, në Kukës dhe Cahan janë kryer krime ndaj qindra civilëve që nuk ishin pjesë e luftës së UÇK-së.